Festivali mbarëshqiptar i poeteshave
organizuar nga lëvizja “gratë frymojnë vlera”
Udhë e thyer
Shpejt ma zunë ca re të zeza kaltërsinë e qiellit tim,
Veç më nisen disa shkresa, si një dozë për ngushëllim.
Pasi m’vodhen copëza dritë, buzë gremine vet’ më lanë,
Ca ngërdheshje ironike sikur plumb mbi gjoks më ranë.
Shpejt m’i mori krejt çka pata, kohë përbindshe, e pa fe,
Gjithë gëzimet nëpër data m’i groposi thellë nën dhè.
Si kujtim më mbet i hidhur, një mungesë që rron e gjallë,
I ngjan shpresës së pabindur, është si malli-përmbi-mall.
Shpejt ja njoha gjithë mungesat kësaj bote hileqare:
Natës kur mungojnë nënkresat, prej mjerimit të ndjesh marre;
Dita të të zbardhë të lodhur nga një bark që ulërin;
Veç me ujë të jesh e ngopur, dhe me barrën përmbi shpinë.
Shpejt më lodhi jetë e çmendur, çmenduri e njerëzisë,
Si një breshër vjen e dendur gjithë kjo loj’ e djallëzisë.
Ndoshta, shpejtas ju dorëzova këtij fatit tim të keq
Por besomëni, luftova, dhe u munda si për dreq.
Fatmira Loci