Epoka e pikëpjekjeve me qytetërimin dhe monomenti i pa shembur i gjuhës shqipe

0
Ndriçim Kulla    Mund të jetë një imazh i 1 person dhe libër
Në gjithë shtrirjen e historisë sonë, mungesa më e ndjerë e të dhënave dhe dokumenteve i përket periudhës së mesjetës. Gjithsesi është e nevojshme të theksohet se Shqipëria, duke qenë vendi ku në çfarëdolloj epoke kanë zbritur në log të betejës Lindja dhe Perëndimi, ka provuar gjithmonë një ndikim të dyfishtë. Megjithatë, do të qe jo vetëm i skajshëm, por deri dhe i gabuar pohimi se ajo që qe greke apo bizantine në Shqipëri, ishte edhe fociane apo anti-romane; nga ana tjetër, ashtu siç nuk duhet mohuar se në periudha të caktuara e në rajone të caktuara kultura konstantinopolitane arriti të mbizotërojë mbi atë romane, po ashtu duhet pohuar se pjesa veriore e Shqipërisë, ajo që i përkiste Prevalitanisë antike ka qenë gjithmonë fortësisht e spikatur nga mbizotërimi latin.
Nga pikëpamja e një këndvështrimi ngushtësisht kulturor dhe letrar, njëri prej monumenteve që në një lloj mënyre ka ngelur i pashembur prej asaj epoke, është gjuha shqipe, trashëgimtarja e të folurës antike të kësaj treve, me thekse ilirikë ose thrako-ilirikë – që i shtrijnë madje rrënjët e tyre deri në gjuhën dhe epokën pellazgjike – por kaq shumë të transformuar nën ndikimin latin, saqë i ka munguar veç një hap – sipas gjykimit të kompetentëve – që të arrinte të përfshihej në gjuhët neolatine, siç ndodhi me rumanishten dhe vllahishten.Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
E vërteta është se një ndikim i tillë i atribuohet në pjesën më të madhe sundimit roman. Aq më tepër që kjo ndihet në po të njëjtën masë edhe në dy dialektet bazë të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes. Madje, përtej gjithë kësaj, gegërishtja që nga fillimi i shekullit XVI gjendej e pasur nga një numër i madh fjalësh e frazash latine me origjinë kishtare, e plotësisht të transformuara sipas fonetikës shqiptare, në një masë të atillë që shpërndarja dhe depërtimi i tyre nuk mund t’u atribuohet shkrimtarëve të shquar të këtij shekulli, por përkundrazi duhet trajtuar si diçka organike dhe antike.
Se ç’jetë kulturale kishin katedralet e shumta apo manastiret dhe abacitë e shpërndara në të gjithë vendin, në shekujt përpara invazionit turk, nuk na është bërë e mundur të njihet; nuk dimë as se ç’ndikim patën në këtë jetë ipeshkvit e ditur të rangut të një Guillelmus Adae apo të një Giovanni da Pian di Carpine, arqipeshkvi i Tivarit; as oborret e princërve të pajisur me një kulturë të rafinuar siç qe ai i Napolit apo ambientet intelektuale të Venecias (duke pasur parasysh se ajo pat sunduar shumë zona të Shqipërisë gjatë shekujve XIV e XV).
Ndikimi i këtyre qarqeve kësisoj mundet veçse të aludohet dhe të justifikohet logjikisht, ndërkohë që është goxha i dokumentuar nëpër arkiva ndikimi i disa qyteteve të kultivuara latine të asaj kohe, të shndërruara në qendra të vëmendjes për studiozët e rinj shqipëtarë. Të befason e mrekullon njëherësh numri vërtet i madh i klerikëve dhe murgjve shqiptarë – nga një epokë shumë më e hershme se shekulli i XV – që frekuentonin Universitetin e Padovas (mund të numëroheshin rreth 15 dioqeza latine vetëm në Shqipërinë veriore, në të cilat klerikët nuk mund të mungonin kurrsesi) apo i atyre që dërgoheshin aty për të përsosur formimin e tyre intelektual fetar. Edhe Raguza, njëra nga qendrat më të kultivuara të kohës, sipas dokumenteve të gjendura në arkivin e qytetit, e të publikuara më vonë edhe te “Hylli i dritës”, duhet të qe frekuentuar nga një numër i madh studentësh shqiptarë. Në një shkallë më të vogël, një frekuentim të tillë e ka patur edhe Venecia.
Ndaj, nuk mund të quhet aspak e rastësishme që në fund të shekullit të XV, shohim të dalë në skenë një plejadë e tërë humanistësh të shkëlqyer shqiptarë, duke filluar që nga Gjon Gazulli, më i moçmi, matematikan dhe astrolog i shquar, për të vazhduar me dy figura, jo shumë të përmendura, si Tomeu, filozof në Universitetin e Padovas, propagandues i madh i filozofisë greke në Itali dhe Maksimi nga Arta, i cili pas një formimi kulturor dhe asketik në ambientin latin, shkoi në Rusi për të kultivuar atje humanizmin. Mund të shtojmë këtu në mënyrë të veçantë edhe poetin stratiot Mikel Maruli, të ardhur nga Moreja e që ka jetuar gjatë gjithë kohës në Itali, i cili na ka lënë një prodhim të kënaqshëm poetik në një latinishte të shkëlqyer.
Edhe nga pikëpamja e artit religjioz, dallohet qartë në këto kohë dualizmi i zakonshëm, ku në jug spikat më shumë bizantinizmi, me kodikët e Beratit nëpër kishëzat e shpërndara aty-këtu në të gjithë zonën dhe me veriun, shumë më të spikatur në kulturën latine, por me monumente shumë më pak të rruajtura, për shkak të furisë më të madhe turke nëpër këto rajone.
Po gjithësesi, mund të ravijëzohen 4 shkolla apo tendenca në zhvillimin e artit të asaj epoke: e para ishte ajo e Dalmacisë latine, që përpara se t’i dhurojë Rilindjes italiane skulptorët e vet të mrekullueshëm, nuk mungoi t’i shpërhapë veprat e saj nëpër gjithë Shqipërinë, duke lënë pas një traditë të gjallë deri dhe tre shekuj më pas. E dyta, ishte një shkollë e lirë e artit romantik, e importuar nga mbretëreshat franceze të hyra nëpërmjet martesës në shtëpinë mbretërore të Rashajve apo të fedualëve anzhuinë, si Topiajt.
Interesante është rryma e tretë, ajo që mund të përkufizohet si shpërhapësja e një arti krejtësisht latin, që filloi prej Kotorit e arriti deri në Deçan, në zemër të mbretërisë Rashiane. E së fundi, një shkollë e artit venecian ose të paktën veneto-dalmatian, që duhet të ketë ekzistuar patjetër, pavarësisht se prej saj nuk njihet vepër tjetër përveç një portiku të ringjalljes që ruhet në katedralen antike të Shkodrës.
Vijmë pastaj tek dy prej figurave më të mëdha të këtij shekulli për shqiptarët, që i përkasin Shkodrës. Marin Barleti, prift shkodran për jetën e të cilit nuk dimë shumë gjëra, është vlerësuar si një prozator latin kaq i përsosur sa të mos ketë asgjë për t’i pasur zili një Poxhioje a një Valla; aq më tepër që veprat e tij kanë qenë nga më shpesh të ribotuarat në atë periudhë të parë të shtypshkrimit të historisë botërore. Edhe humanisti tjetër i madh Marin Beçikemi, i lindur rreth vitit 1468, edukuar në Breshia dhe profesor në Raguza, Venecia e më pas në Padova, vazhdoi ta mbajë lart famën letrare të shkodranëve, pavarësisht se laik, por me të njëjtat sentimente thellësisht latine e katolike si dhe bashkëpatrioti i tij i shquar.
Ky shpërthim i oratorisë dhe retorikës, i studimeve shkencore e filozofike të majës më të lartë, kjo historiografi e stampës humaniste, i ka dhënë emrin kësaj kohe si lëvizja e parë mendore e shqiptarëve në historinë e vet. Mirëpo, për ta përligjur dhe analizuar këtë etiketim duhet të shpjegojmë patjetër kalimin nga faza e “historisë së personaliteteve të mendimit” siç mund të quhet mendimi përpara kësaj epoke, në një fazë tjetër, ku shtrirja dhe zhvillimi të jetë më kapilar e më domethënës për shumë treva të Arbërisë së asaj kohe. Pra, nevojitet të mos përmenden vetëm shenja, por horizonte kulturore, të mos ketë vetëm kulme të gjenisë, por një frymë e tërë që mbizotëron hapësirën shqiptare dhe e qerthullon atë rreth një ideje apo teme të caktuar. Për t’ia arritur këtij përcaktimi, duhet të spikasim disa konture të këtyre horizonteve që arritën të kondensonin të gjithë këtë rrymë humaniste të shtrirë në shumë vite, brezni e në mjaft fusha të mendimit.
Tre janë horizontet më të spikatur të shoqërisë arbërore të atyre viteve, si pasojë e shkrirjes së të cilëve u formësua horizonti i asaj lëvizjeje të kulturës dhe mendimit arbëror, që i dha shkëlqim edhe Evropës në mjaft fusha.Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
– Horizonti i lëvizjes edukativo-arsimore që ndërmorrën në dy shekujt përpara pushtimit turk klerikët e lartë katolikë, një orvajtje kjo e vazhdueshme që kulmoi nëpikëpjekjen tonë më të madhe me qytetërimin perëndimor, themelimin e universitetit të Durrësit, të parit në Ballkan.
– Horizonti i zhvillimit administrativ dhe juridik, që përfaqësohet prej statuteve të shumë qyteteve shqiptare, një dukuri që në vetvete shpreh edhe një shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik të zonave të këtyre qyteteve.
– Horizonti i zhvillimit të një tradite të lashtë shumëshekullore të profesionit të shkruesve, të oganizuar në shkolla të veçanta të tyre në disa qytete të Shqipërisë, që provohet nga koleksioni i madh i kodekseve të lashtë që kanë arritur të ruhen deri në ditët tona.
Në sfond të këtyre horizonteve qëndron edhe zhvillimi politik i Arbërisë, që sapo kish nisur procesin e formimit të principatave të vogla shqiptare, me zhvillimin e tyre kulturor e qytetar, që po niste t’i afrohej perëndimit. Të gjithë këta faktorë janë nga më vendimtarët e atyre që formësuan konturet e asaj periudhe të quajtur “Albania felix”, që përkon pikërisht me periudhën përpara pushtimit turk.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.