Nga: Ndue Lazri
Rreth romanit “Nata e Kosovës” të Rexhep Hotit –
Premiera e dramës sapo ka filluar. Personazhi qendror, Shpëtim Dreni, ish ministër i jashtëm i Kosovës, del nga burgu, i përçudnuar nga torturat, vuajtjet,fyerjet e poshtërimet e dhuna e autoriteteve gjyqësore e të administratës së burgjeve serbe. Idealisti përkrahës i lëvizjes së quajtur irredentiste për kërkesën e Kosovës Republikë, del i lirë nga burgu. Por është një liri në një tokë të djegur rreth tij, të krijuar posaçërisht nga autoritetet vendase nën udhëzimin serb, që ai të endet rrugëve të Prishtinës apo të fshatit të tij Dardhishtë si një i zgjebosur, që të mos i afrohet askush.
Madje as gruaja e tij, Besa e pabesë, që ka hyrë në traktativa me autoritetet vendase që të ketë një divorc me përfitime për veten e saj. Ajo dhe autoritetet ja shkëpusin me forcë edhe të vetmen qenie që e donte, vajzën Erblira, siç mund të shkëputet me dhunë lulja nga thileja e xhaketës së dhëndrrit në çastin e martesës.
Kjo është drama e Shpëtim Drenit, por që autori i romanit “Nata e Kosovës”, e ve paralelisht e në mënyrë domethënëse me dramën e Kosovës. Dhe nuk vihet më kot nata si një sfond mortor i kësaj drame. Një dramë dhe një natë që zgjasin mbase që prej më shumë se 600 vjetësh, nga Beteja e Fushë-Kosovës kundër turqve në vitin 1389 e deri më sot.
Lexuesi i romanit e ndjen veten vërtet si në premierën e një drame me përmasa tragjike, ku nuk luhet vetëm me fatin e personazhit qendror, por me fatet e një populli, të një kombi. Si nga tragjeditë e Shekspirit del në skenë një personazh ogurzi, Sllobodan Milosheviqi, me oborrtarët e tij si ministri i brendshëm serb Zoran Sokoloviqi, akademiku famëkeq Vasa Çubrilloviq, gjenerali Kadijeviq etj. Janë këta përgatitësit e etshëm të kasaphanës në kurriz të popullsisë shqiptare në Kosovë. Natyrisht, me ndihmën e krerëve tradhtarë të Kosovës si Kasem Buza,kryetar i komitetit krahinor të Kosovës, Rreshkan Dhëmbi, ministër i brendshëm i Kosovës etj. Këta renegatë, me krushqira në Serbi për të ruajtur kolltuqet e tyre, ulen në tryezën e përgjakshme serbe për të përgatitur masakra të padëgjuara në kurriz të shtetasve të tyre.
Ky është thelbi i dramës dhe natës së gjatë të Kosovës, me strategjinë e Milosheviqit të përpunuar që nga koha e Karagjiorgjeviqëve e nga akademia serbe, që “ kudo ku banojnë qoftë edhe dy serbë e ku ka qoftë edhe një varr serb, do të jetë Serbi”. Mundësisht duke fshirë nga hartat emrin Kosovë e e emrat shqiptarë.
Autori i romanit i vendos ngjarjet pikërisht në ato momente kur historia ishte në kapërcyellin e ngjarjeve të mëdha në Europë, rrëzimin e sistemit komunist, shpërbërjen e ish-Federatës Jugosllave, lëvizjeve të studentëve e të popullit kosovar për të shkuar drejt Kosovës republikë etj. Është nata e gjatë mbi Kosovë, ku kuçedra serbe kërkon të zërë çdo burim drite mbi këtë krahinë, duke qenë njëherësh xheloze për historinë e këtij populli që është më e lashtë se e tij. Xheloze për ardhjen e vonë të sllavëve mbi këto troje që prej shumë shekujsh më parë banoheshin nga ilirët, xheloze pse sulltan Muratin e vrau në shqiptar dhe jo një serb, xheloze pse në betejën e fushë Kosovës kishte edhe shqiptarë e ballkanas të tjerë e jo vetëm serbë. Xhelozi që ua errëson sytë e, meqë nuk kanë forcë të zhbëjnë historinë, duan të zhbëjnë një komb të tërë nëpërmjet shfarosjes masive.
Dhe kulmi i dramës arrin me dosjen gri, që i dorëzohet ministrit të brendshëm kosovar të personfikuar në roman me emrin e Rreshkan Dhëmbit. Tek lexon atë strategji të përpunuar me hollësira makabre jo vetëm nga kulisat politike të Milosheviqit, por edhe nga akademia serbe, të rrëngjethet mishtë. Autori, me një gjuhë të zgjedhur enkas e me mjeshtëri të fut në ankthin e një nate të frikshme, ku amfiteatrin e veprimeve e zënë tanket që shtypin deri dhe fëmijë, vrasjet e studiuara imtësisht në kazermën e ushtarëve të bëra nga serbët por për të fajësuar shqiptarët, atentatet e dhinimet e bëra po nga serbët kundër serbëve duke ua kaluar autorësinë shqiptarëve me qëllim përligjjen e masakrave në masë, përzënie e pak familjeve serbe nga Kosova për të përligjur përzënien e tërë popullsisë shqiptare, pronësimet e tokave e plot hollësira të tjera. E mbi këto hollësira serbe, ministri i brendshëm shqiptar, me zellin që ia kërkon mbajtja e kolltukut, vinte jo vetëm firmën e tij, por edhe fantazinë e vet perverse e kriminale për t’i rënduar akoma më shumë aksionet tragjike serbe në kurriz të vëllezërve të tij shqiptarë.
Shqiptarët jo rrallë herë në histori janë ndjerë të tradhëtuar nga vetë shqiptarët. Ndaj ka ardhur koha që ndaj mercenarëve të serbëve të veshur me pushtet e nostalgjikëve anadollakë të mbahet një qëndrim i distancuar, se janë pikërisht ata ndihmësit e parë të atyre që duan të fallsifikojnë historinë tonë.
Autori i romanit e le të pashkruar aktin e fundit të dramës. Sepse atë do ta shkruante vetë populli i Kosovës bashkë me Nato-n e SHBA në vitin 1999 në qëndresën kundër genocidit e deportimit serb ndaj popullsisë shqiptare, duke shkruar faqe te lavdishme me gjakun e mijëra dëshmorëve e sakrifikimin e familjeve të tëra, sakrifica që shenjtëruan lirinë e pavarësinë e shtetit të ri të Kosovës, Republikës që lindi si lulekuqe me rrënjët në gjak, duke triumfuar mbi egërsinë, dinakërinë e shovinizmin serb.
Romani i Rexhep Hotit “Nata e Kosovës” është shkruar me një gjuhë të bukur, moderne, të pasur, tërheqëse e intriguese nga fillimi në fund. Ai e përdor gjuhën me shumë efikasitet në ravijëzimin e personazheve, duke përdorur ato ngjyrime emocionale që evidentojnë tërë egërsinë, makiavelizmin, makutërinë, paturpshmërinë e perversitetin e tyre. Autori është antikonformist por edhe kundër manierizmave. Edhe pse është mjeshtër i metaforës dhe i fjalës së figurshme si në poezi, ashtu edhe në prozë, autori qëndron larg hermetizmit, një fenomen që ka qenë i dukshëm në letërsinë kosovare. Madje duhet marrë si një shembull i mirë në këtë drejtim. Mesazhet që kumton autori janë të forta dhe depërtojnë natyrshëm në thellësinë e vetëdijes kombëtare të lexuesit shqiptar.
Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, që është edhe autor i parathënies së këtij libri, shkruan ndër të tjera: “Romani “Nata e Kosovës i shkrimtarit të ri Rexhep Hoti është një nga shenjat e sigurta, se në këtë kohë trandjesh letërsia shqipe në Kosovë po rigjen veten. I shkruar me dendësi e dramacitet, ky roman me frymëmarrje të gjerë ndjek fillin më të mirë të letrave shqipe, ballkanase e evropiane njëkohësisht. Ai shpalos përpara leuesit një Kosovë të zymtë, në prag të krimit më të madh që mund t’i sulet një populli: masakrës dhe deportimit. Ndonëse libri është shkruar përpara aktit të fundit të dramës,ai jo vetëm e parandjen,por e paralajmëron fare qartë tragjedinë. Aktorët e dramës janë të gjithë aty: ata që e përgatitën zezonën e ata që do ta pësojnë, ata që do të vrasin e ata që do të vriten, së fundi ata që historia do t’i dënojë e do t’i heqë rrëshqanthi nëpër baltë, gjak e turp, e ata që, pas kalvarit, do të rikthehen prapë në Kosovë, në tokën e tyre, për të qenë aty në jetë të jetëve”.
Duke lexuar librin lexuesi e përjeton premierën e dramës, që është prologu i tragjedisë që do të ndodhte me luftën në Kosovë. Dhe e ndjen se autori, që disa vite më parë ka ditur të hedhë mbi natën e Kosovës, dritën e së nesërmes, atë që do të vinte me fillimin e shekullit të ri duke futur në hartën botërore shtetin më të ri në zemër të Ballkanit, Kosovën martire.
Ndue Lazri.