DONI TË JETONI? RRESHTOHUNI PAS MEJE

0

Jeta është si një rrugë e gjatë, që e ka një fund.Në doni që të arrini deri në finish, armatosuni moralisht, se ajo ka malore, ka dishezë, ka kthesa, ka asfalt dhe baltë.Mos e ktheni kokën pas, që të shpresoni nga të tjerët dhe mos e përmendni kurrë lodhjen, se më shumë nga rruga të lodh shtrati.Llogariteni ta përballoni vetë jetën tuaj, se të vetëm kemi lindur.Dua t’i mëshoj fort rrezikut që u vjen nga shtrati, sepse ai të gllabëron e nuk të lëshon më. Mos u mashtroni prej tij dhe qëndroni sa më larg. Nuk ju them ta provoni, se e kam provuar unë 27-vite rresht.Mos kujtoni se bëra prova, por rashë mbi të pa e kuptuar dhe shpëtova prej tij pas një lufte tepër të gjatë.Nuk kam pranuar të më ngrinin të tjerët, sepse ishte pakujdesia ime, prandaj luftova i vetëm dhe shpëtova prej tij.Jeta është lëvizje, por duhet të mësohemi edhe për të ecur, se mund të gremizeni edhe në mes të asfaltit.A e dini që njeriu duke ndënjur pret vetëm vdekjen? Po sa herë vdes njeriu, a e dini? Nuk është pyetje aq e lehtë sa mendohet. Është e vërtetë që njeriu ka vetëm një lindje e një vdekje, por shumë herë nuk e kuptojmë, që nga pakujdesia vetvdesim, por edhe na vdesin disa herë nga pak.Ju lutemi më dëgjoni me kujdes! Unë që shkruaj këto radhë, nuk jam më i mençuri, por më i vuajturi i të vuajturve.Nëse nuk vetvdiqa, kanë dashur të më vdesin ata që e kishin detyrë për të mbrojtur jetën njerëzore.Të mjekosh duke bërë prova mbi vuajtësin do të thotë të vdesësh.Mua më ka zënë breshëri dhe nata edhe në mes të rrugës, por nuk jam kthyer prapa, as kam rënë poshtë e të ulurija. Juve nuk e dini, por mua më ka zënë pritë një sëmundje, që kot ja kanë vënë emrin hodgkin, sepse ajo është vdekje!A u ka rastisur të luftoni kundër kësaj vdekjeje i vetëm? U ka rastisur, që në këtë luftë të keni kundër mjekët dhe njerëzit e tu? Më mirë mos e provoni, po luftoni kundër çdo kundërshtari që u cënon shëndetin.Nuk dua të bëhem Belul, por as të abuzoj me një farë modestie të tepruar, që të bën të harrosh dhe veten.Fjala është për jetën.E mbrojmë apo e shpërdorojmë atë? Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve, ne vetsëmuremi e vetvdesim më shumë se na vdesin të tjerët.Të këqiat i kemi brenda vetes sonë, por bëjmë sikur nuk i shikojmë.Kemi një siklet në trup, por nuk e përfillim, pa menduar se ka nisur të na cënohet jeta.Presim e presim sa të na krijohet ajo gjendje, që s’ka ç’na bën as mjeku.E dimë që shumë gjëra na dëmtojnë shëndetin, por nuk heqim dorë.Kjo e ka emrin vetvdekje. Po përse kjo këmbëngulje për të vdekur?! E kam ndërsy një vajzë në moshën e saj, që ishte shtruar në klinikën ortopedike në Tiranë. Nga pakujdesia e saj dhe mësuesit, u aksidentua duke kaluar kaluçin në shkollë.Kishte dëmtuar kolonën vertebrale dhe ja kishin hedhur trupin të tërin në allçi.Kishte muaj që luftonte me dhimbjet e me veten. Shtrati po e vdiste çdo ditë nga pak. Sa herë kaloja pranë dhomës së saj, e gjeja duke qarë.Nuk ishte e lehtë të mbërtheheshe aq gjatë pas shtratit në atë moshë. Por ajo gjeti vetë një zgjidhje.Edhe në shtrat nisi të merrej me punë dore e lexim librash. Që atëherë nuk pashë lotë në sytë e saj.Një ditë ajo doli nga spitali dhe kur e shikoja nëpër rrugët e Tiranës, më dukej sikur nuk ecte, por fluturonte. Tërë ato vite kam parë tipa të çuditshëm të sëmurësh, që qepeshin pas shtratit dhe bëheshin si të vdekur.Në dhomën time, që ishte bërë si dhomë pritje, vinin shumë të sëmurë e pyesnin, se si jetoja me atë sëmundje në trup.Më shumë vinte një shoku im, që kishim të njëjtën diagnozë; “Pa më thuaj si do të vejë halli ynë?” Dhe unë i përsërisja të njëjtën gjë: Jetën e kemi ne në dorë, po e shpërdoruam ajo na ikën,prandaj mos e prano vdekjen.Ai ikte duke qarë e vinte sërish duke qarë.Më në fund unë i thashë troç:Kështu si qahesh ti i bën thirrje vetëm vdekjes. Ai niste ulurimën e kujtonte djalin e vetëm që kishte.Që të mos u lodhim me thënie e stërthënie, ai njeri, për të cilin ndjej dhimbje edhe sot,nuk diti ta mbronte jetën dhe vdiq shpejt.Ai njeri i qëndroi besnik vetëm shtratit, nga i cili kërkonte shëndetin. Por mbyllja dhe shtrati për çdo moshë, është një farë vetburgosje. I sëmuri mund të pranojë mbyllje të përkohshme, që ja dikton sëmundja,por jo përjetësinë e saj.Unë që i kam provuar të gjitha, u këshilloj, që të mos bashkoheni as me sëmundjen, as me shtratin, as me mjekun sharlatan.Jo të gjithë mjekët dinë të mjekojnë pavarësisht se mbajnë stetoskopin rreth qafës dhe një Dr. në xhëpin e bluzës.Se unë kam vuajtur më shumë nga mjekë të tillë se sëmundja vdekjeprurëse.Në të gjithë qëndrimet nëpër spitale, brenda e jashtë vendit, jam udhëhequr nga kjo këshillë e një mjeku të vjetër arab:”Ne jemi tre: Unë, ti dhe sëmundja.Nëse ti do të vish me mua, ne do ta mposhtim sëmundjen. Nëse ti nuk vjen me mua,unë nuk kam fuqi t’u mposh të dyve.” Nuk më pëlqen të bëhem Belul, por unë kam luftuar kundër të dyve dhe munda të jetoj.Se kur diktova që mjekët po bënin eksperimente me mua, i refuzova të gjitha mjekimet dhe analizat. Se si e kam bërë këtë luftë 27-vjeçare, do ta gjeni në librin që kam shkruar me titull “A vdes vdekja?” Nuk e them për reklamë, por ky libër nuk duhet të mungojë në asnjë familje.Nëse ndokush do të mëshirojë të më sponsorizojë, atë libër do ta dhuroj falas, fillimisht tek të sëmurët e onkologjisë dhe hematologjisë. Jeta është lëvizje dhe unë nuk e kam ndërprerë këtë as kur më kishte mbërthyer shtrati si me morsetë.Kur shikoja nga e vetmja dritare e dhomës, që lëviznin zogjtë, gjethet, makinat, njerëzit…lëvizja dhe unë aq sa mundja, pavarësishr se ngadalë, po nuk prisja të më lëviznin.Zvarritesha pas murit, bija e ngrihesha vetëm e vetëm për të braktisur shtratin.Mos harroni, shtrati është për të fjetur, jo për të jetuar.I sëmuri është opozitar me shtratin, me sëmundjen dhe me sharlatanët.Zot i vetes është vet njeriu.Nëse s’lëviz dot gjithë trupin, lëviz këmbët,sytë e duart,jo të shkrehesh si çatia e një shtëpie.Një ditë, pas shumë vitesh, jam bërë pikë referimi për të gjithë të sëmurët kancerozë, të cilët nuk mungojnë të vijnë edhe sot.Nuk e kam kursyer shtëpinë dhe zyrën, ku punoja për ta, por nuk e di sa kanë përfituar nga këshillat e mia.Po deri sa kam marrë disa letra, të cilat vazhdojnë, do të thotë se ata kanë marrë diçka nga unë, që jetojnë.Ime shoqe ka marrë disa letra ngushëllimi, sepse pas mjekimit që më dhanë mjekët hungarezë, nuk u paraqita më në spital.Por duhet të dini dhe një gjë. Unë pata guxim të korrigjoja edhe terapinë e profesorit hungarez, i cili më dha gjashtë cikle për të bërë, por unë bëra vetëm dy dhe shpëtova!Nuk ua këshilloj ta bëni këtë korrigjim pa u bindur.Të mos e teprojmë e të quhemi trima para një sëmundje të tillë.Fillimisht edhe unë qava dhe u mbylla brenda dhomës së spitalit të vdekjes, që emërtohej onkologji dhe hematologji.Isha vetëm.Pyeta infermieren për emrin e ilaçeve, ajo më drejtoi për te mjeku, i cili më tha me mospërfillje: “Ç’të duhet ty, piji dhe rri rehat.”Atëherë qava një ditë të tërë.Pastaj pushova e vrava mendjen për të mos vrarë veten.U ngrita dhe ika pa e ditur se ku vija.Kur kisha arritur sek spitali pediatrik, ku kishim kufirin e fundit,më ndaloi roja i portës.U detyrova të kthehesha, po nuk shkova në dhomë.Në spital më kishin kërkuar për të bërë terapinë, që në esencë ishte një copë vdekje.Atë ditë u konfliktova me mjekun.Ishte ai mjek që kishte firmosur vdekjen time, por vdiq për vete.Ju nuk e dini ç’është cikli dhe mos e provofshi kurrë.Që atë ditë nuk dëgjova njeri veç vetes sime.Zot i vetes nuk është mjeku, por i sëmuri.Mjeku është bujtës në jetën e të sëmurit.Si mund t’i bindesha një mjeku, që më bëri analiza 27-vite rresht dhe nuk nxori asnjë përfundim? Mëshojini fort këtij fakti.Mos pranoni tu përvetësojnë autorësinë e vetes. Mos e përmendni kurrë vdekjen dhe ruhuni nga ata që u vdesin.Jeni të lutur mos rrini kurrë pa ngrënë.Hani edhe atëherë kur ua kanë mbyllur oreksin me ilaçe e gjithfarë përrallash.Të mos harroni, ushqim nuk është vetëm buka.Hani një kokërr mollë, një kumbull, një portokalle një arrë, një vallzë, një luleshtrydhe, një dardhë,një misër të pjekur, një kivi dhe më shumë lëngje.Se njeriu rron me të ngrënë.Nëse trupit i mungojnë këto, zot bëhet sëmundja.Mjekun mos e dëgjoni për çdo gjë, ai le tu dëgjojë juve.A e keni vënë re, se mjeku u shoqëron me një tufë këshillash. Mua më janë dukur bajate disa prej tyre dhe nuk i kam zbatuar.”Mos hani të kripura, mos hani të tharta, mos hani të skuqura, mos hani të ziera, mos hani të ëmbla, mos rrini në diell, mos rrini në të ftohtë, mos u lodhni…!” Mirëpo njeriut i duhen të gjitha, që të plotësojë kaloritë, edhe tymi i zjarrit, edhe zjarri, edhe dielli, edhe hija, edhe shiu, edhe dëbora, edhe lodhja, edhe lulet, edhe gjëmbat, po më shumë ushqimi.Të gjitha këto janë pjesë e asaj që ne i themi jetë. Ne e duam jetën të plotë, jo zvarranike që e shikojmë vetëm nga fërngjitë e dhomës, pa të cilat, jeta është gjysmake. I nderuari dhe i ndjeri Petro Marko, më erdhi një ditë në spital dhe na i përshtati bisedën rreth sëmundjes.Unë kisha dhe tre shokë në dhomë, të cilët ja kishin ngulur sytë atij dhe po çuditeshin kur na tha: “Vdekja dhe jeta ecin paralel,kush e kush të mundë njëra-tjetrën.Mos e lini, po mundeni ju!” Shokët e dhomës sikur u zgjuan nga një apati, ku i kishte futur ajo sëmundje e tmerrshe dhe m’u lutën ti thosha Petros të vinte sërish. Pasi isha shëruar plotësisht, një ditë shkova në onkologji dhe hematologji të shikoja ata shtrëtër që më kishin mbajtur 27-vjet të izoluar.Unë i kam provuar të gjithë spitalet, brenda dhe jashtë shtetit.Në dhomën ku kisha qenë i shtruar qëndronte një burrë i shkrehur, që i lutej e shoqja të hante, por ai nuk pranonte. Pashë lotët e gruas që i çërruan nëpër faqet e mavijosura. Unë isha ngopur me lot e konflikte prandaj hyra brenda t’i qetësoja. As më njihnin, as i njihja. Ata më kujtuan se isha mjek dhe po më shikonin me buzëqeshje.Iu afrova të sëmurit dhe i thashë të mos i fuste në kokodinë ushqimet, por në stomak, se mulliri nuk bluan pa drith e ujë.E mora ushqimin nga komodina dhe i thashtë: Në do të kesh shëndet ai është tek ushqimet, ku gjenden dhe ilaçet,po haji shpejt! Pashë fytyrën e të sëmurit që e kishte braktisur apatinë dhe filloi të hante, jo me naze, por me babëzi.Edhe fytyra e asaj gruaje u çel si rrezet e diellit kur bien mbi ujrat e kaltra të detit.Në fund u tregova, se edhe unë mezi haja kur isha shtruar në këtë shtrat, po pa ngrënë nuk ndënja kurrë. Gruaja u ngrit e më përqafoi. Edhe pse vdekja më ka ndjekur pil më pil, gjithmonë e kam lënë pas dere.Unë nuk qava më, por më kanë qarë sa herë vija pa ndjenja në shtëpi, sepse nuk besonte askush, se një ditë do të shërohesha e t’u jepja këshilla të tjerëve.Në bisedat e përditshme të fisit dhe shoqërisë time kishte zënë vend pyetja: “Kur do të vdesë, se po e mundon shumë?!” Ata kishin të drejtë, se disa herë vajta te buza e varrit, por ai u tregua i mëshirshëm dhe nuk më pranoi.Nuk më pranoi apo nuk e pranova, gjykojeni vetë. Unë kam të drejtë t’u them: Doni të jetoni? Rreshtohuni pas meje! Jeta nuk ndërtohet me komandë, prandaj kurseni, po mos shpërdoroni, të paktën jetën.Mos harroni që jemi në rrugë e sipër.Ecni edhe kur u vënë prita, paçka se ngadalë.Mos harroni mençurinë popullore: “Bota është një errësirë, ku çdo njeri i bën dritë vetes së tij.” Mos e lini kurrë kohën bosh edhe kur u ka mbërthyer shtrati.Nëse s’jeni të zot të merrni kazmën, rrëmbeni librat.Shkruani dhe ju ashtu si dini.Niseni me zhgarravina e përralla le të vini deri ku të vini.Nëse shkruani keq ditën e parë, korrigjojeni ditën tjetër, mjafton të jeni në aktivitet.Boshllëku është një krimb i padukshëm që u bren jetën. Për jetën tuaj veproni me kokën tuaj nëse jeni të bindur. Një nga mjekët që më mjekoi me hamendje në fillim, të cilin e kundërshtova, më tha kur mori vesh, se unë vazhdoja të kundërshtoja: “Akoma me kokën tënde ti?” Po unë me kokën time munda të jetoja.Mos kujtoni se kam kundërshtuar mjekët, por nuk kam qenë dakort me eksperimentimet e tyre.Ju nuk e dini, po qentë e Pavllovit, ku bënte eksperimente ai, ngordhën, unë i përballova të gjitha. Më vjen keq që të tre ata mjekë që më mjekonin kanë vdekur! Jeta nuk është as e vështirë, as e lehtë për ta jetuar.Në doni të mos dalë në skenë vdekja, hidhni themele të forta e bëni mure të gurtë, por më shumë luftoni kundër vetes tuaj.Vdekja nuk është ashtu siç i thonë rëndomë,”Kapak floriri”.Për të vdekur nuk është e vështirë. Të mbrosh jetën do të thotë të luftosh çdo ditë, sepse sëmundja dhe vdekja nuk pushojnë asnjë ditë.Të mos harrojmë, trupi është si vija kufitare, po nuk vigjëloi ushtari, hyn i zi e i bardhë brenda. Natyra na ka caktuar ne t’i bëjmë roje trupit tonë, prandaj mos e kërkojmë atë nga të tjerët. Kur isha shtruar për herë të fundit në sanatorium, në dhomën time erdhi një i sëmurë tiranas.Më erdhi mirë që nuk pranoi të shtrihej në shtrat, por nuk isha në një mendje me të, kur iku e nuk u kthye më në kohën që e kërkonte mjeku për të bërë terapinë.Ai ishte terajqi alkooli dhe duhani, të cilat i pinte ndyrazi. Një ditë i sugjerova t’i shtrohej mjekimit se nuk ishte mirë, por ai nuk e prishte dot atë regjim, ku vdiste çdo ditë nga pak.Temperatura dhe sentimenti i shënonin shifra të larta. Mjekët diktuan se një pjesë e mushkërisë nuk i funksiononte dhe ishte bërë e rrezikshme për tjetrën.I rekomanduan se ajo pjesë duhej hequr, të cilin ja kishte shkaktuar pirja e duhanit dhe rakisë. Atëherë nxori paqetën nga xhepi dhe e flaku nga dritarja.Mua m’u duk e nevojshme të ndërhyja.Tani mbaje paqetën, se flake mushkërinë.Askush nuk është i paprekshëm nga sëmundjet, por më keq është kur i shkaktojmë vetë.Edhe një orë e një ditë më shumë i kemi qelepir, se jemi jabanxhinj në këtë jetë.I ndjeri baba e ndjeu thellë humbjen e bashkëshortes dhe çdo ditë i thërriste vdekjes.Mirëpo kur e cënonte ndonjë epidemi, më telefononte të merrja mjekun dhe të vija atje.Jeta nuk jepet kollaj.Babai arriti shekullin, po edhe pse i thërriste vdekjes, e donte jetën.Me një vigjilencë të rreptë, të gjithë mund ta kalojmë shekullin.Në këtë pikë unë u ftoj të vini pas meje.por jeni të lutur mos u kujtoni që keni zemër vetëm atëherë kur u dhemb!

NGA: Enver CAKAJ

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.