Luljeta Avdiu – Cura
Takimet me poetët janë takime të veçanta, por unë zgjodha t’i them dy fjalë për mësuesin, poetin, shqipëruesin nga gjuha malazeze të shumë librave letrarë dhe redaktorin e librave në gjuhën shqipe (në të gjitha nivelet) për shkollat shqipe në Mal të Zi, ambasadorin e kulturës shqiptare dhe malazeze Dimitrov Popoviq.
Foto me rastin e orës letrare organizuar në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”, nën përkujdesjen e “Art Club” dhe shkollës në fjalë në Ditën Botërore të Poezisë, mars 2022
Diçka për poetin
U lind në Kamicë-Koplik të Shkodrës. Shkollën fillore 8 vjeçare e ka përfunduar në vendlindje, kurse shkollën e mesme në Gjimnazin e Durrësit. Institutin e Lartë Pedagogjik e ka përfunduar në Shkodër në vitin 1968. Diplomon në Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitin 1974, në drejtimin Gjuhë-Letërsi. Shkruan poezi dhe merret me studime letrare.
Ka botuar: Vëllimin me poezi “Përtej shpresës”, botuar në gjuhën shqipe në Podgoricë nga Shoqata Botuese Specijal-Podgorica në vitin 2008, dhe vëllimin në gjuhën malazeze në vitin 2016 me titull “Amfora”; librin me ese “Një shtrëngim dore”; në vitin 2019 Qendra e Kulturës në Podgoricë boton në shqip vëllimin me poezi “Biseda e brezave”.
Ka marrë pjesë në antologjinë voluminoze dy vëllimesh “Një libër-dy gjuhë” – “Dva jezika- jedna knjiga” në poezi e prozë, në shqip e gjuhën malazeze, ku Dimitrovi ka dhënë kontributin e tij me përkthimet nga gjuha malazeze.
Më pas ai ka shqipëruar një nga prozatorët më të njohur malazezë, Zyvdija Hoxhiq (Berisha) gjegjësisht romanin “Të gjithë të mitë”; ka arritur që me një mjeshtri të lartë të sjellë në shqip “Antologjinë e poezisë malazeze” për 40 poetët më të zëshëm të Malit të Zi. Me këto përkthime ai ka arritur të përcjellë me finesë e frymëzim, me pastërti gjuhësore shqipe të admirueshme, individualitetin artistik të poetëve e prozatorëve malazezë. Ka përkthyer vëllimin me poezi të Pavle Goranoviqit “Stinët e humbura”, dramën e M. Neleviq “Vezët”, tregimet e Z. Hoxhiqit “Dikush thërret”, “Tregime nga Montanari” me autor Vladimir Vojinoviq dhe ka redaktuar librin e Mlladen Llomparit e romanin e Mirash Martinoviqit “Dita e fundit e Eskilit”, pjesa dërmuese e të cilëve janë botuar nga Onufri në Tiranë. Libri dhe përkthimi i tij i “Këngët e Ali Binakut”, u vlerësua si libri më i mirë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Podgoricë. Gjithashtu ka përkthyer për shkollat me mësim në gjuhën shqipe lëndët zgjedhëse për gjimnazin si: etika, logjika, sociologjia e kulturës, arti e komunikimi viziv, muzika – gjuha ime e shumë libra të tjerë. Vlen të shtohet afërsia që ka Dimitrovi me shkrimtarët tanë dhe ndihma që jep për botimin dhe promovimin e librave të tyre pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë.
Dedikim poetit
Nga simbolika e emrit, në kohën kur lindi ishte një personazh historik me emrin Dimitrov dhe shpesh herë emrat e personazheve të kohës jetojnë edhe sot e kësaj dite ndër ne. Nga ky aspekt Dimitrovi na lidh me Bullgarinë. Nga mbiemri na lidh me Popajt/Popoviq nga Mali i Zi, ndërsa nga jeta dhe vepra me Shqipërinë.
Nuk ma merr mendja se Dimitrovi vë këmbën në një shkollë a tjetër dhe nuk i kujtohet rruga që ai bënte në këmbë e që i duheshin dy ditë për të mbërritur në Dragobi, vendi ku punonte si mësues. Dhe a mundet njeriu me shpirt poeti të mos pyeste veten: “Përse mendohen këto male?” dhe të recitonte vargjet teksa bënte rrugën e gjatë ndërmjet malesh. Dhe këtu poezia e Dritëro Agollit jehon fuqishëm:
“Lërmë të bie në prehrin tënd plot ledhatime
O hallemadhja ime shekullore!
Le të hyjë në shpirt çdo fëshfërimë
E fustanellës dhe Xhubletës sate malësore”.
Çdo intelektual që ve këmbën nga Shkodra apo ndonjë qytet tjetër nga Mali i Zi, nuk mundem mos t’i lidh me intelektualët që lanë gjurmë në Anë të Malit – Prenkë Jakovën, mësuesin e parë në gjuhën shqipe në vitin shkollor 1941/42 dhe me Jonuz Divanin, reformatorin e madh që Ministria e Arsimit e atëhershme e solli në Anë të Malit për ta dënuar. Por, Jonuzi me punën e tij ngriti një oazë të dijes për të cilën ndër vite do të shkruheshin 67 artikuj gazetaresk dhe do të realizoheshin tre filma dokumentarë.
Po kthehem te Dimitrovi, i cili erdhi në shkollën tonë në Ditën Ndërkombëtare të poezisë bashkë me Ali Gjeçbritaj nga Kraja e princ Vladimirit, në aktivitetin e përbashkët ndërmjet Shkollës “Bedri Elezaga” dhe “Art Club-it”.
Dimitrovi me thjeshtësinë e tij, me oratorinë dhe me përvojat e bukura jetësore që aq bukur i paraqet edhe në poezi la gjurmë tek mësimdhënësit dhe tek nxënësit. Nuk mund të lë pa përmendur se sa bukur thur dhe tregon ngjarje nga jeta e tij si fëmijë dhe si i rritur, dhe me këto ngjarje aq bukur edhe edukon brezin e ri.
Shkollës i duhen mushkëri për të marrë frymë, dhe mund të them me plot bindje se organizime të tilla janë oksigjeni i shkollës, ndoshta për faktin se unë e dua anglishten si mësimdhënëse e saj, por me dashtë dua gjuhën shqipe (sidomos gegnishten).
Dimitrovi erdhi duar plot, bibliotekës i dhuroi shumë libra që do të jenë një vlerë e shtuar për bibliotekën tonë. Senzacion ishte edhe harta e Malit të Zi, si e para hartë te ne që tashmë flet shqip.
Arnold Von Harfi kur mbërriti në Ulqin pat thënë: “Könte dass die Paradise sein?”
E unë shpresoj se institucioni ynë do të kthehet në një parajsë të vogël përmes aktiviteteve dhe krijimit të lidhjeve me institucione dhe me njerëz të artit dhe të kulturës. Kurse fotografi që fotografon me pasion dhe i bën të pavdekshme këto ngjarje më kujton Dan Xhurretën, fotografin e parë nga kjo zonë falë të cilit shumë ngjarje mbeten të pavdekshme.
Luigj Gurakuqi pat thanë: “Më gjeni një gjuhë në këtë botë që mbërrin me ba një fjali kaq elegante me shtatë folje rrjesht, pa asnji emër, mbiemër, ndajfolje, përemër a lidhëz!
“Me pas me mujtë me kanë me shkue me i thanë me ardhë me më pa”.
Me pak gegnisht për n’ fund sa me ju urua mirëseardhjen të gjithë atyre që na nderojnë me pjesëmarrje. Thonë se nostalgjia shfaqet në drejtime të ndryshme, por tri janë më kryesoret:
- Gurët e hirtë, rrasat e gurëve, gomilat dhe varret.
- Drurët: frashri, mani, ftoni… e thana.
- Dhe së treti njeriu me unin e tij poetik.
Profesor, edhe një simbolikë për fund, mua dhe ty na bashkon ‘91-shi.