DHIMBJET

0
Jani Malo 
Brenda meje gjithë jetën kanë udhëtuar dhimbjet.
Dhimbjet e shpirtit –
një tren i shpejtë ekspres, stacionerrallë,
si ata që çojnë ushtarët në luftë.
Ata shpresojnë se një ditë do kthehen fitimtarë,
rinia i bën t’u duket lufta një lodër,
prandaj dhe u ikin pa vënë re aq vende të bukura,
edhe pse sytë gjithë kohës i mbajnë tej dritares.
Dhimbjet e trupit –
një tren i ngadaltë, stacioneshumë,
nga ata që kthejnë ushtarët nga lufta.
Pak peshon nëse janë humbës a fitimtarë,
ata janë të lodhur e të drobitur,
prandaj dhe u ikin pa vënë re aq vende të bukura,
edhe pse sytë gjithë kohës i mbajnë tej dritares.
Në qëlloftë të shkëmbehen trenat, diku në ndonjë stacion,
shkëmbehen edhe dhimbjet e shpirtit me ato të trupit,
siç ndodh me ushtarët,
disa duan të dezertojnë ende pa shkuar në luftë,
të tjerë duan që luftën ta provojnë edhe një herë.
Dhimbjet kanë udhëtuar brenda meje gjithë jetën.
(Nga libri “Shpjegim për orët)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.