Nga: Vagjush Saro
FILLIMI DHE… FUNDI
Pilivesa është shumë në humor;
i bën nja dhjetë xhiro në oborr.
E ndjek atë plot admirim një Brumbull,
pastaj edhe një Mizë sa një sumbull.
Madje kokën ia tund një Buburrec…
Dhe Pilivesa nis e thotë serbes:
“Epo ja, unë jam!
Dhe kjo është bota!
Të tjerat, si ta themi, janë të kota…”
Një Shpend i madh,
që gjuante kaqolen,
mbulon me hije gjysmën e oborrit.
Dhe befas… fjalën ia lë në mes;
bëhet vakt e shkreta Pilivesë.
LEPUR ME PRETENDIME…
Ai u ngrit me mendje të keqe:
“Kështu, more vëlla, diçka nuk vete.”
Mërzitur ish me atë jetë modeste;
donte pakëz bujë, njëlloj feste.
“Përse mos ulërij si Ujk njëherë,
t’i shtie drithmat pyllit të mjerë?”
Hop (!) mbi shkëmb dhe hapi gojën pyka:
Veç një piskamë nxori nga gryka.
Mirë… por mund të bënte si Ari,
të tundej Bota nga hungërim’ e tij.
Edhe njëherë mbi shkëmb i ngrati;
por ‘objektivin’ prapë nuk e kapi.
Atëher’ iu kthye gëmushës për gjumë;
në ëndërr i kishte ecur më shumë…
VETËPËRMBAJTJE
Bam (!) një çifte në pyllin e vjetër;
nga strofkulla doli zonja Dhelpër.
“Po hedh njëherë sytë te përroi.
Ndoshta për mua diçka teproi:
ndonjë thëllëzë a ndonjë lepur…”
Por befas u dëgjua çiftja tjetër.
U kthye Dhelpra:
“Kurrën e kurrës!
Më mirë pa ngrënë, se të lë lëkurën…”
…………………………………………………………………