CAMAJ DHE KOLIQI: MITE TË RREMË?!!

0

Nga : RFita Filipi
Koliqi dhe Camaj e kanë vendin e vet në Letërsinë shqipe. Të pazëvendësueshëm. Ata studiohen në shkolla (në arsimin parauniversitar dhe universitar) për kontributet e çmuara në krijimtarinë e tyre dhe për veprimtarinë e pasur në kulturën shqipe. KAQ MJAFTON.
Askush nuk e zhbën dot më një gjë të tillë.
A kanë të drejtë hulumtuesit, historianët të gërmojnë nëpër arkiva e të nxjerrin në dritë fakte, qofshin brenda apo jashtë konteksteve historike? Mendoj se po.
Po qëllimi? A ka të drejtë një hulumtues i ftohtë të ironizojë këto dy figura të kulturës shqiptare, aq më tepër kur thekson se nuk është kompetent për shqyrtimin e vlerave letrare të veprave të tyre? Kurrsesi.
Në aspektin e etikës, a është i mjaftueshëm ky justifikim?
Sikur në artikull të mos akuzoheshin dy Ministritë e Kulturës (e Shqipërisë dhe e Kosovës), si kontribuese në krijimin e miteve të rreme me figurat e Koliqit dhe të Camajt, “si dy kalorës të mohuar të letrave shqipe”, si “dy shqytarë kalorësiakë” qëllimi i hulumtuesit do të ishte shumë i pastër; hulumtimi dhe nxjerrja në dritë e fakteve.
Është pikërisht ironizimi që e tradhton qëllimin e hulumtuesit dhe njollos këto dy figura që i janë mohuar pa të drejtë afro gjysmë shekulli lexuesit shqiptar, shkollës shqipe, pasi kontributi i tyre është i pamatë në kulturën tonë, ndonëse brenda një konteksti tepër kompleks historik. Mungesa e tyre dhe e autorëve të tjerë avangardë të letërsisë moderne shqipe, solli një edukim artistik skematik te breza të tërë lexuesish, që ende sot vuajnë nga nostalgjia e kronikave e të poetikave të realizmit socialist.
Është pikërisht kjo njollosje, që shumë njerëz të letrave i ka bërë të ndihen keq apo të acarohen e të mbushen me mllef, më tepër sesa faktet që parashtrohen në artikull.
Por, nga ana tjetër, do të thosha se nuk i bën nder Koliqit dhe Camajt gjuha e përdorur në mbrojtje të tyre, që kalon nga nuancat e viktimizimit, deri te sulmet që ngjasojnë me retorikën e luftës së klasave (këlysh komunisti, si dikur këlysh ballisti apo fashisti). Kjo gjuhë anashkalon argumentin dhe mbyt kundërargumentin.

Unë për vete i dua dhe i shijoj këta autorë, pavarësisht se janë apo s’janë të vërteta faktet që sillen për jetën e tyre, aq më pak për atë private.
Camaj më ka mahnitur me palimsestin e tij, më ka bërë të mpreh vëmendjen, të gërmoj një pas një kuptimet, të ndaloj gjatë vetëm te një fjalë dhe të gjej lidhjen e saj me fjalën që nuk është shkruar, por është në mendjen e poetit për të gjetur “fillin e humbun të ndjesive”. Dhe aty ndodhet ai ngashërimi që vjen prej zbulimit, se ke shkuar në fund të palimpsestit dhe drita e shpirtit të poetit të ka ndriçuar deri në fund edhe ty, aty ku s’ke mundur të shkosh vetë pa këtë burim ndriçimi.
Më mrekullon kur e shoh në foto, këtë burrë të pashëm, që reflekton bukuri shqiptare përzier me një përndritje tipike intelektuale europiane.
Kaq më mjafton…
E dua Koliqin, tregimtarin e parë modern shqiptar që shkroi me gjuhën e instinktit, se ma ka zgjeruar horizontin e gjuhës së nënës. I shijoj ato kumbullat erëmira të kopshtit të fëmijërisë, ende më shpohen hundët nga aromat e bimësisë, e goja më mbushet plot lëng, e lëngu më rrjedh nëpër buzë e trupi më bëhet mornica kur e lexoj; mrekullohem nga bjeshkët hijerënda e autoritare dhe burimet e kulluara, zanat flokëgjata që vënë buzët në to; trembem për vdekje kur e gjithë kjo bukuri rrezikohet nga hijet e mentalitit të mykur, patriarkalizmi e gjakmarrja që vazhdon dhe në ditët e sotme. Sa të thella janë rrënjët e botëkuptimit të tij.
E adhuroj aq shumë foton bardhezi ku ky burrë i mençur është përkrah burrave të tjerë të kombit, Fishtës, Asdrenit, Poradecit, veri e jug bashkë, gegnishte e toskërishte bashkë.Ashtu sikurse mua, çdo lexuesi (pasi shkrimtari për atë i shkruan librat, jo për studiuesit), nuk i bëhet vonë nëse shkrimtari paska qenë agjent apo ka bindje fashiste, komuniste; ka qenë imoral, pervers, homoseksual, apo ku di tjetër unë, nëse ka shkruar një vepër me art të mirëfilltë.Dhe është e natyrshme, përderisa jeta e artit është e përjetshme, ndërsa shkrimtari, ai njeriu i vdekshëm, nuk kapërcen dot as një shekull.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.