Ballkani përëndimor dhe mediat

0

Artikulli “Ballkani Perëndimor i lirë të shprehet: Shoqëria, armiku më i madh” i botuar në portalin kosovalive360.com, i cili flet për lirinë e shprehjes dhe ndikimin e gazetarisë në shoqëri, kërcënimet dhe të mirat që gazetaria sjellë, ka qenë temë e diskutimit ditëve të fundit.
Pjesë e kësaj teme ishin gazetarë dhe analist nga të gjitha shtetet e Ballkanit përëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia).
Dafina Lata, ligjëruese në Departamentin Media dhe Komunikim (UBT), konsideron që nuk kemi mjaftueshëm liri të shtypit apo të shprehjes në Kosovë.
“Për sa i takon lirisë së shtypit në Kosovë, mund të them se kemi një përparim të vogël, nëse bazohemi edhe në rezultatet e fundit të ‘Freedom House’, ku Kosova llogaritet që ka pjesërisht liri të shtypit. Kjo nuk do të thotë se gjendja është e mirë dhe mund të kënaqemi, kur kemi parasysh faktin se gazetarët në vendin tonë vazhdojnë të ballafaqohen me shumë vështirësi për ta kryer punën e tyre. Ata kërcënohen në forma të ndryshme dhe askush nuk merr përgjegjësi për rastet e tilla”, thotë Lata.
Sipas rangimeve të bëra nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, Kosova hyn në mesin e shteteve që kanë vetëm pjesërisht liri të shprehjes. Rezultate të ngjashme me vendin tonë marrin edhe shtetet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor.

Milica Sarić, kryeredaktore në Qendrën për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS) mendon se keqpërdorimet eventuale të lirisë së shprehjes mund të ndodhin dhe shpeshherë nga vetë mekanizmat shtetërorë që i mbështesin mediat financiarisht.

“Çdo e drejtë mund të kepërdoret, njësoj edhe liria e shprehjes. Ajo mund të abuzohet për shpifje të pabazuara me agjendat politike, ekonomike dhe të tjera. Sidoqoftë, mundësia e abuzimit nuk është aq e madhe sa një justifikim për të heshtur mediat. Në Serbi, mediat mbështeten nga fondet e shtetit, materialet ekskluzive dhe madje edhe frekuencat kombëtare, mirëpo shumica e popullatës së Serbisë nuk është në dijeni të ekzistencës, të punës së mediave profesionale dhe problemeve të këtyre mediave”, tha Sarić.

Engjëll Serjani, gazetar nga Shqipëria, mendon se tek ata mediat janë të ndërvarura nga politika, pushteti dhe biznesi.
“Në Shqipëri peizazhi i medias është i larmishëm, por mbizotëron situata e mediave të ndërvarura nga politika, pushteti dhe biznesi. Në këtë moment është shumë problem varësia ekonomike e cila qëndron mbi politikat editorialiste. Nuk bëhet fjalë për media të lira, po për media të përdorura”, thotë Serjani për KosovaLive.
Kristjan Dukaj, gazetar e analist në Mal të Zi, mendon se të arriturat sa i përket lirisë e shprehjes në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit janë përafërsisht të njëjta.

“Duhet pranuar se Mali i Zi ka bërë hapa të duhur në këtë drejtim, edhe pse jo të mjaftueshme. Duhet pranuar gjithashtu, se vendet në tranzicion të përballura me nevojën e realizimit të reformave gjithpërfshirëse, nuk kanë arritur ende të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e plotë të lirisë së mediave. Nëse i referohemi të arriturave në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, mendoj se situata është përafërsisht e njëjtë. Në tregjet e vogla, arritja e pavarësisë së mediave, është më e vështirë, pasi në ato rrethana, nuk është e lehtë mbijetesa në hapësirën mediatike”, u shpreh Dukaj.
Dukaj, ndryshe nga të tjerët, mendon se sulmet dhe kërcënimet e cenojnë lirinë e shprehjes, duke ndikuar direkt në rolin e gazetarisë së lirë.

“Çfarëdo kërcënimi apo sulmi ndaj gazetarëve, kudo qoftë, e cenon lirinë e shprehjes dhe kjo, drejtpërdrejt, e kufizon rolin që duhet ta ketë gazetaria në shoqëri. Vetëm dënimet e ashpra ndaj atyre që kërcënojnë dhe sulmojnë, respektivisht rregullimi ligjor i kësaj çështjeje, mund të krijojë ambient më të sigurt për punën e gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi.”
Borka Rudić, gazetare e sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Gazetarëve në Bosnjë e Hercegovinë ka treguar për KosovaLive rastet e sulmeve dhe kërcënimeve të ndodhura në vitin 2019 në BiH.

“’Free Line Help Media’, si një shërbim i veçantë ligjor brenda Shoqatës së Gazetarëve të BH, regjistroi 37 sulme ndaj gazetarëve nga janari deri në qeshor 2019. Midis këtyre rasteve ka pasur 6 sulme fizike kundër gazetarëve dhe ekipeve të mediave, 18 kërcënime e presione politike dhe 5 kërcënime me vdekje”, theksoi ajo.
Gazetarja nga Mali i Zi, raportuese për UNICEF, Sofija Krivokapić, nga ana tjetër thotë se asnjëherë nuk ka marrë kërcënime.

“Nuk kam marrë asnjë kërcënim, as unë dhe as raportuesit e UNICEF-it, kështu që në përgjithësi jemi shumë të mbrojtur. Ne shkruajmë për tema sociale të rëndësishme, por nuk e drejtojmë gishtin për ta fajësuar dikë, veçanërisht jo politikisht”, thotë Krivokapić.
Sara Kajolli, gazetare në televizionin Alsat M, konsideron se kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, gazetarët janë të lirë të informojnë e të shkruajnë lirshëm përfshirë edhe tema të ndjeshme.
“Duke pasur parasysh se tani gjërat në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) kanë filluar të ndryshojnë dhe është krijuar një atmosferë pak më e relaksuar sa i përket kësaj teme, mendoj se ka një tendencë në rritje që gazetarët të jenë më objektivë, qoftë ata të mediumeve sociale apo të mediumeve informative. Shihet se gazetarët, sidomos ata më të rinj, kanë më shumë guxim për të informuar për tema të ndjeshme politike dhe mendoj se ka një dallim nga vendet e rajonit, tek ne është më mirë. Liria e mediumeve sociale është më e theksuar në raport me ato televizive pasi që në RMV ende nuk ka dispozita ligjore që i kontrollojnë mediumet online”, thekson Kajolli.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.