Nga cikli “Ringritja e Institucioneve”
Nga: Vangjush Saro
Babai e pëlqente humorin dhe filmat, por mua më donte mjek; nëna më bleu librat e parë: “Zemra” (De Amiçiz) “Mumu” (Turgeniev). Vëllai i madh, Ilia, sapo pikasi pasionin tim për të shkruar, hartoi një ‘manual’ me emra autorësh, citime nga librat, fjalë të urta, shprehje popullore, etj. Familja ka qenë përherë një mbështetje e pazëvendësueshme për mua. Daja, Raqi Çani, ndër më të paharruarit; prej xhirove me motorçikletë (ai ndërroi soj-soj marka) te ‘përcjelljet’ në udhëtime, student, por dhe më pas. (Kur nuk gjeja biletë autobuzi, shkoja tek ai, që në mëngjes; kishte ‘kredi’.) Shtëpia e tij e bukur, me lule dhe shatërvan, me akuariume dhe zogj, si dhe biblioteka e gruas së tij, mësuese gjuhe, ishin gjithnjë një inspirim për mua…
Ndër të parët që na folën për letërsinë, ishte Vangjush Ziko, që me durim lexonte budallallëqet tona të asaj kohe, duke na orientuar në terma dhe në gjuhë. Profesori, sot ndër miqtë dhe kolegët e vyer, ka shkruar dy herë për fabulat e mia e po ashtu për romanet ‘Kurora e Ballkanit’ dhe ‘Misioni’. Në gjimnaz e kur nisa të botoja rregullisht (‘Hosteni’, ‘Fatosi’, ‘Bashkimi’, etj.) Teodor Laço, atëherë Kryetar i LSHA në Korçë, inicoi një diskutim letrar për rreth 30 vjersha satirike e fabula të miat. Edhe kur u ktheva në Tiranë (në Kinostudio) e më pas, te gazeta ‘Alternativa SD’, ai mbeti po aq dashamirës dhe inspirues. Tuni Papuçiu te ‘Fatosi’, Skënder Hasko te ‘Pionieri’ dhe Dionis Bubani te ‘Hosteni’ ishin gjithashtu në ‘panelin’ e mecenatëve për shkrimtarët e rinj.
Po gjatë gjimnazit, Tasim Aliaj, shkrimtar, redaktor te ‘Hosteni’, gjatë një vizite në Korçë, më foli për letërsinë dhe hartoi për mua një listë autorësh. (Unë lexoja – Biblioteka e Korçës, ku punonte e çmuara Klara Çelo, ishte ‘Kisha’ jonë – por ende nuk kisha shkuar te një sërë autorë: Xh. Suift, N. Gogol, A. Frans, Ç. Dikens, etj.) Tasimi qe në krahun tim edhe më pas, kur e larguan nga revista e filloi të bënte një faqe me humor e satirë te ‘Zëri i Rinisë’; ishte dhe mbetet ndër kolegët dhe miqtë e çmuar. Ashtu si dhe Gjikë Kurtiqi, që në mbarim të Universitetit, ia doli të dërgonte në Fakultet një kërkesë për emërimin tim te ‘Hosteni’ – atëherë Tirana ishte ëndërr për të gjithë – paçka se situata politike e kohës diktoi të tjera destinacione dhe fati im u lidh me Gramshin, ku nuk munguan dashamirësit e miqtë; s’mund të ish ndryshe në një rreth me qytetarë të urtë, që e donin arsimin dhe kulturën.
Ndër ata që më shtrinë dorën, ishte Ilia Nikolla, me profesion jurist, por që, në fakt, shpirtin e kishte te poezia, tekstet e këngëve dhe sidomos te skena. Shkroi dhe realizoi një sërë komedi e pjesë me një akt; bashkë e çuam rrethin në disa konkurime zonale e kombëtare. Në mesin e viteve ‘70, kur punoja në fshat, ai sajoi nevojën e ngritjes së një Rrethi Letrar, kështu që duhej edhe një Drejtues dhe ky… isha unë. Me të dhe krijues të tjerë, ngritëm më pas Degën e LSHA. Dhe kur kishin kaluar mbi 10 vjet, çuditërisht u shfaq Gjergj Pano, atëherë punonjës në Ministrinë e Kulturës; gjatë një vizite në Gramsh, më propozoi të ndiqja një Kurs Pasuniversitar, si fillim i një rruge tjetër të gjatë. Kur erdhi koha për të ikur në Tiranë, u gjendën për mua Afërdita Haxhia dhe Luan Jaupi; nuk ua harroj nderin. Në Kinostudio – kur vite të tëra vajzat i kishin sytë tek unë e gruaja mori përsipër barrë të madhe – ishte fat përkrahja e kinoregjisorit Albert Xholi, me të cilin ideuam kinokomedinë “Shkëlqim i përkohshëm”, ndër punët më të vlerësuara në karrierën time.
Po, vërtet. Ka edhe një ‘Institucion të mirënjohjes’**.
………………………………………………………………….
*Në foto: Me prindërit dhe dy vëllezërit.
**Me ‘Ringritja e Institucioneve’ kuptoj kthimin në normalitet të komunikimit, etikës, kulturës e qytetarisë, kundër çdolloj banaliteti, mendjemadhësie e cinizmi që ka pushtuar jetën, mediat, rrjetet.