Quhet Armando Broja dhe deri dje pak kush e kishte dëgjuar në Shqipëri, por pas miqësores kundër Uellsit U21 është njeriu i momentit. Dy gola në 35 minuta në fushë, një nuhatje e shkëlqyer para porte dhe një elegancë impresionuese për një 17-vjeçar që luan me ekipet e moshave te Chelsea.
Nëse luan te gjiganti anglez diçka ka, por kur e sheh nga afër është ndryshe dhe 5 gola me Shqipërinë U19 dhe atë U21 në pak ditë janë një sinjal i madh, një shpresë se sulmi kuqezi ka të ardhme të garantuar, edhe pse është tepër herët për të festuar, sepse Broja është në një moshë delikate dhe shumë të tjerë para tij nuk ia kanë dalë të bëjnë hapin e madh.
Me mirësjellje dhe drojtje për shkak se shqipen nuk e zotëron si topin, Broja foli pas ndeshjes për gazetarët e pranishëm, duke rrëfyer emocionet e një debutimi impresionues.
“Nuk e prisja kaq mirë. Unë punoj fort dhe kur më jepen shanset mendoj vetëm t’i shfrytëzoj. Për mendimin tim i shfrytëzova këtë herë dhe jam shumë i kënaqur. Gjithashtu jam shumë i kënaqur edhe se më thirrën te Shqipëria U21 dhe më aktivizuan 45 minuta, sikurse edhe për dy golat që realizova”, tha sulmuesi i talentuar.
IMPAKTI ME U21 DHE LOJTARI QË E KA BEFASUAR: “Këtu janë shumë më të fortë, më të gjatë. Në këto ndeshje duhet të kërkosh më shumë, pasi janë më të mëdhenj. Ka shumë diferenca. Kur hyra në fusha ishte më mirë. Topi luhet më shpejt. Kallaku tek ekipi ynë është nga ata që mund të bëjnë diferencën, duket lojtar i mirë. Ka disa driblime të mira, lëviz topin shpejt dhe duket një lojtar shumë i mirë”, shprehet futbollisti i Çelsit.
E ARDHMJA TE CHELSEA: “Jam stërvitur me ekipin e parë disa herë, por akoma nuk kam luajtur ndeshje. Po pres, duhet të jem me këmbë në tokë dhe të vazhdoj stërvitem mirë”.
“Idhulli im është Ronaldo braziliani, Fenomeni. E kam qejf, pasi ka qenë i shpejtë, i fortë, i mirë me kokë, godite me të dyja këmbët. Ashtu dëshiroj të jem edhe unë. Gjatësia nuk më pengon të jem i shpejtë. Në Angli jam stërvitur shumë për sprinte. Prandaj jam edhe shumë i shpejtë”. S
ËNDRRA SHQIPËRI: “Më ka thirrur Shqipëria e para dhe pranova, pasi mami e babi im jetojnë këtu, kanë lindur këtu, këtu është vendi ku kam gjakun. Thashë ta provoj me Shqipërinë”, shprehet sulmuesi, i cili në shtator mbush 18 vjeç.