Anissa Markarian,Urimi i parë i Ditës

0
KOHA E DHURUAR…..
– Lum kush e shpenzon kohën leverdishëm! – deklamojnë të rriturit e fisit kur bëhen bashkë e koha u kalon pa e kuptuar. – Mos e shpërdoroni kurrë! Dëgjuat apo jo? – na kthehen ne fëmijëve duke na tundur përpara syve një shuplakë paralajmëruese që nënkupton: kush e çon kohën dëm, meriton dajakun.
– Koha është flori! – thotë babi.
– Koha është art! – thotë mami.
– Koha është zotnillëk! – e vulos teta Ita.
E thënë shkurt (për të fituar kohë), në familjen tonë koha ishte shumë e çmuar. Nuk vritej por jetohej. Miklohej e fisnikërohej. Në tuajat, gjithashtu? (Më ndjeni nëse ju marr kohë me këtë pyetje naive.)
Nisur nga parimi që, me çdo kusht, çdo thërrmijë kohë duhej mbushur me punë të vlertë, gjithkush nga të rriturit kishte të drejtën të pyeste të miturit se ç’ishin duke bërë.
– Çfarë po bën syhapur?! – do të dijë mami e përkulur mbi krevatin tim.
– Po pres të gdhijë ditëlindja.
– Joo, akçigës, nuk shpërdorohet koha e gjumit. Përndryshe, nuk do të rritesh.
Mbuloj kokën sa hap e (nuk)mbyll sytë. Syri dollap edhe nën çarçaf. Ngazëllimi i festës së ditëlindjes ma ka shporrur gjumin. Nesër do të jetë një ditë e gjatë. S’do të kem kohë as për të ëndërruar – aktiviteti im i preferuar.
Babi punon, mami bën art, teta Ita këshillon, im vëlla luan në oborr. Unë ëndërroj. Në sytë e tyre, jam e padenjë për kohën që më është dhënë në këtë botë. Me pak fjalë, dhuratën e Zotit po e harxhoj kot.
– Mos rri duarlidhur! – më qorton teta Ita. – Merr tepsinë e na qëro një kile oriz.
– Sot është ditëlindja ime, – i freskoj kujtesën, e bindur që do ta tërheqë urdhërin.
– Ekzakt! Do të bëj një pilaf armen, me kanellë e rrush të thatë, – këmbëngul ajo. – Jepu duarve se, ja, zëre se mbërritën të ftuarit.
Teksa ulem në minder me tepsinë me oriz të paqëruar mbi gjunjtë, vras mendjen të kuptoj se nga më buron bindja marroqe që, në Ditën e saj të Shënuar, e zonja e festës mund t’ia lejojë vetes t’i rrjedhë koha shpenguar. Bah! S’ekziston arsye në botë që mund të përligjë mëkatin e kohëvrasjes. Ëndërrimi jo e jo.
– Në vend që të ëndërrosh me sytë në tavan, shih ëndrra duke lëvizur, – i sugjeroj vetes ca kohë më pas me shpresën se do t’i shpëtoj pyetjes së famshme të të rriturve.
Të ndodhurit “tani” e “këtu”, më kërkon forcë dhe përpjekje titanike. Ndihem mirë veç në sinorë të largët. Në kohë e hapësira të papërcaktuara. Të pashkelura, të pabanuara. “Dikur” e “përtej”. Një hop më mbrapa a më përpara? Ç’rëndësi ka? Mjafton të mos më lidhin me vargonjtë e së tashmes. Koha e ngarkuar dyst me “bëma të lavdishme” më vjedh kohën e ëndrrës.
Lista e veprimtarive jetike zgjatet e stërzgjatet. S’ka fund! Të bluaj kafenë e sapopjekur me mullirin e dorës; të arnoj thembrat e çorapeve mbi vezën prej druri; të mbaj radhën për të mbushur rezervat e stilolapsave të çdo anëtari të familjes; t’i ndërroj fitilat e djegur furnelës me vajguri; t’i kruaj bythën e nxirë kazanit ku ziejmë rrobat; të fus në bodrum drutë e tri latave duke veçuar me kujdes të njomët nga të thatët; të lëviz varakun e kabllos së antenës mbi çati si ilegale; të shkoj te këpucari për të shkrirëngjitur rripat e sandaleve plastike; të lyp një lugë farë kosi te komshija; të mbledh fiq të egër për glikonë e ditëlindjes; ta ngul mirë në kokë që perdja me azhur s’është abazhur; të gjëmoj oraret e ujit e të dritës për t’u larë e për të hekurosur; t’i kërkoj zyshës së letërsisë të më kthejë librin “Nën hijen e hurmave”; të qëndroj gjithë natën gatitu përpara depos së armëve të shkollës me një pushkë pa shul në sup…
– Bekuar ora kur bie në shtrat e mbledh kockat, – dëgjoj të thonë gratë e fisit e të lagjes.
Në mendjen time, shprehja tingëllon: “bekuar ora kur, më në fund, mund të mbledh ëndrrat”. Për shkak të aktivitetit tim ëndërritës, ata që më rrethojnë më marrin për një lloj paraziti familjar, shoqëror e kohor. Sipas tyre, parazitoj kohën e dhuruar. Shfletoj ngutthi Fjalorin Shqip-Shqip. Kur arrij te kuptimi i gjerë i fjalës parazit, pothuajse më neveritet vetvetja. “Njeri që nuk punon vetë por jeton me djersën e një tjetri ose në kurriz të shoqërisë; ai që bën një jetë të zbrazët e të kotë.”
– Anisa, mos rri kot!
– S’po rri kot, o mà.
– Ashtuu?! E çfarë je duke bërë?
– Po mendoj.
– …Aaaa??!
Hera e parë që s’i vjen në gojë një propozim më i mirë se si duhet ta mbush kohën. Afrohen edhe babi e teta Ita.
– Goca po mendon, – i informon mami.
– Të lumtë! – më përgëzon babi.
– Për hair! – uron teta Ita dhe bën kryqin.
Befas, e ndiej veten të rëndësishme e të dobishme. Si kurrë ndonjëherë! Të menduarit më ka ngritur në Olimpin e veprimtarisë njerëzore, familjare e shoqërore. Në dukje, jam një trup i palëvizshëm me sytë fiksuar në tavan. Por vetëm në dukje, ama. Thellë, thellë, po i dhuroj vlerë kohës. E thënë shkurt (për të kursyer kohë), po e shpenzoj kohën në mënyrë antiparazitare – sapo më pagëzuan “Veprimtare”!
Më shijon plotësia e re e kohës sime. Më përshtatet e më mahnit. Më fal qetësinë e nevojshme për të… mendëndërruar. Në ç’zhgjëndërr isha përhumbur që nuk e shpika më parë këtë aktivitet kohëmbushës?!
Tash e tutje, jam jo vetëm e lirë por edhe e nxitur dhe e mbështetur të mendoj, të shestoj, të projektoj. Me vënien në jetë të projektëndrrave të mia do të merrem në një kohë të dytë. Ka një kohë për gjithçka e gjithçka në kohën e vet. (Të paduruarit janë të lutur ta fusin kronometrin në xhep.) Një ditë, nën veprimin e kohës, listës së detyrimeve absurde për të mbushur kohën e dhuruar do t’i ketë kaluar koha.
E nesërmja u përket ëndërrimtarëve…
©A.M. E diel, 4 korrik 2021. “Edhe 1001 ëndrra të bukura, mam!” – urimi i parë i Ditës Sime.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.