Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se ushqimet për familjet e prekura nga tërmetet janë të sigurta për konsum nga njerëzit. Me anë të një njoftimi, AKU informon se ka kryer kontrolle në ambientet e grumbullimit të produkteve ushqimore.
“Më konkretisht, vijon monitorimi i vazhdueshëm nga AKU në ambientet e grumbullimit të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaculini”; magazinat e rezervave të shtetit në Durrës; shkollën “Bernardina Qeraxhija”; shkollën e mesme “Leonik Tomeo” në Durrës; në ambientet e caktuara nga Bashkia Shijak; në ambientet e Pallatit të Sportit; në ambjentet e grumbullimit Sukth, Manëz; në ambientet e grumbullimit Fusha e Sportit, Fushë-Krujë dhe në njësinë administrative Nikël”, thuhet në njoftim.
Sipas AKU, “produktet po ruhen në kushte të përshtatshme, janë brenda afatit të përdorimit, si dhe produktet e ambalazhuara nuk kanë dëmtime”.
Gjithashtu ky autoritet njofton se ka asgjësuar disa produkte në ambientet e grumbullimit të shkollës së mesme “Leonik Tomeo”.
“Ndërsa, në ambientet e grumbullimit të shkollës së mesme “Leonik Tomeo”, pas konstatimit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore (sallam, suxhuk) të ruajtura në kushte të papërshtatshme, trupa inspektuese vendosi asgjësimin e këtyre produkteve ushqimore, të cilësuara si të papërshtatshme për konsum human”, theksohet më tej.