AKTORI AGRON DIZDARI – NJË COPËZ HISTORI E TEATRIT “MIGJENI”

0
Nga: Gëzim Puka
Aktori Agron Dizdari u nderua këto ditë në disa aktivitete, me këtë rast po veçoj një kujtim që kam me aktorin dhe disa aktorë të tjerë të Teatrit “Migjeni” në shfaqjen “Çmurosja” të Serafin Fankos, fituese e disa çmimeve në Festivalin Teatrot të vitit 1994. Në foto Bep Shiroka, Ymer Bala, Agron Dizdari, Marilda Malacaj dhe Gëzim Puka. Më poshtë një shkrim i imi në nderim të Agronit dhe urimi për një jetë te gjatë…
Teatrit mund t’i heqësh muzikën, efektet me drita e fonike, skenografinë, mund t’i heqësh madje edhe regjisorin e dramaturgun, por kurrë nuk mund t’i heqësh aktorin, pa të cilin nuk ka shfaqje teatrore.
Për analogji edhe skena e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës nuk mund të kuptohet pa aktorët e vyer, ndër të cilët do të veçoja Agron Dizdarin. Si mbartës i vlerave më të mira të një familjeje qytetare shkodrane, ai trashëgoi nga babai Feti Dizdari, sportist dhe trajner i njohur, ngulmimin për ta zhvilluar talentin përmes zellit të punës.
Që në fëmijërinë e rininë e hershme e ndoqi pasionin për aktrim pranë trupave të ndryshme amatore. Aktivizohet si amator në skenën e Teatrit “Migjeni” në vitin 1967. Edhe pse në fillim fati nuk e ndihu të përfundonte Institutin e Lartë të Arteve, ai do të fillonte punë si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” në vitin 1978. Do të ishte një ndër aktorët e preferuar të dy regjisorëve më me emër të këtij teatri Serafin Fankos dhe Elez Kadrisë që në vitet ‘70 – ’80 do të konkurronin denjësisht në skenën shqiptare dhe do ta sillnin plot risi në të.
Agron Dizdari do t’i jepte një ngjyresë të re teatrit “Migjeni” me zërin e plotë dhe portretin e hijshëm, duke krijuar figura artistike mbresëlënëse. Ndër ta unë do ju kujtoja 2 role në teatër, të ndriçuara me finesë nga ky aktor. Për fat të mirë këto role janë të fiksuara edhe në regjistrimet e dramave të bëra në atë kohë nga Televizioni Shqiptar. E kam fjalën për rolin e Erikut tek drama “Vizita e inspektorit” e autorit J. Prisley, vënë në skenë nga Elez Kadrija, si dhe rolin e Danielit tek “Gjaku i Arbrit“ e Fadil Krajës, vënë në skenë nga Serafin Fanko. Më pas vijuan rreth 70 role në shumë shfaqje të tjera, në pjesë të autorëve vendas dhe të huaj, ku interpretimet e tij do të kishin mjaft sukses
Aktori Agron Dizdari do të kishte përherë vëmendjen e duhur artistike për mishërimin e figurës me origjinalitet krijues, duke pasur si pikë të fortë përjetimin e rolit në çdo shfaqje. Edhe pse në turne të gjata anekënd vendit, interpretimi i tij nuk do të mekanizohej, pikërisht falë vullnetit të aktorit dhe pasionit për punën e bukur, që kishte qenë gjithmonë ëndrra e tij. Ky pasion e ndoqi edhe pas viteve ’90.
Agron Dizdari do të performonte mjaft mirë në të gjitha shfaqjet moderne dhe postmoderne të autorëve të rinj dhe atyre të ndaluar, tashmë në një teatër “ndryshe” që po përjetonte së bashku më aktorin dimensionin e lirisë. Do të kujtonim interpretimet e tij në një varg dramash e komedish, si: “Çështja e Blertës”, “Korrupsion në pallatin e drejtësisë”, “Mirandolina”, “Big Brother”, “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit” etj.
Edhe interpretimet në filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re„ shënojnë një ndihmesë të vyer të këtij aktori, portreti i të cilit do të bëhej i njohur edhe për spektatorin mbarëshqiptar. Veçohet dhe spikat pjesëmarrja e tij në 16 filma.
Agron Dizdari nuk ngurroi të jetë një ndihmës i mirë edhe pas kuintave. Ai shpesh motivonte të tjerët kur ndërmerrte edhe detyra administrative në ndihmë të trupës. Për disa vite (2002-2004) ishte edhe drejtor i Teatrit “Migjeni„ dhe shërbeu me devotshmëri për një paraqitje sa më të mirë të trupës në premiera dhe festivale teatrore.
Gjithmonë i ndezur nga pasioni për dramën shqipe, ai do të ishte një nxitës dhe promovues i kësaj drame edhe në trevat shqiptare jashtë kufijve shtetërore, ku do të spikaste edhe më vënie në skenë në teatrin e Tuzit dhe fitues i çmimit të parë si dramaturg në Festivalin e Bjellopoljes në Mal të Zi. Drejtues artistik në përfaqësimin e shqiptarëve të Malit të Zi në Festivalin e Gjirokastrës, në Festivalin e Pri Poljes në Serbi me trupën e Malësisë së Madhe, në veprimtarinë artistike të Logut të Bjeshkëve etj.
Është autor me regji dhe libret i më shumë se 10 dokumentarëve në televizionet lokale, që paraqisnin personalitete dhe probleme sociale të qytetit.
Të gjurmosh krijimtarinë e këtij aktori patjetër që e ke bërë edhe një copëz historie të këtij teatri, pikërisht atëherë kur ka qenë shumë i ndjekur nga spektatori shkodran dhe ai shqiptar. Në të njëjtën kohë edhe pse në pension Agron Dizdari nuk ka reshtur së kontribuari për këtë skenë. Ai është gjithmonë pranë kësaj trupe, veçanërisht pranë aktorëve dhe regjisorëve të rinj duke përditësuar përvojën e tij, por edhe duke mësuar prej tyre.
Fati dhe genet e mira i kanë dhënë aktorit mundësinë, edhe në këtë moshë, që ta vijojë shpenzimin e energjive në të mirë të punës artistike për qytetin dhe atdheun. Do të ishte në nderin tonë që ta nderojmë sot Agron Dizdarin për përmasën profesionale dhe njerëzore të tij.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.