Rudolf Marku; NJË FALENDERIM PUBLIK Z. PJERIN NDREU
Me 23 Tetor, 10 ditë më parë, u përkujtua 150 vjetori i ditëlindjes së kollosit të letrave dhe kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtës. Siç edhe pritej, Qyteti i Lezhës ishte në krye të këtij përkujtimi.
Ne kete pozicion prires ne perkujtimin e Fishtes padashur qytetin e Lezhes e ndihmuan Institucionet shtetërore të kulturës dhe të institucioneve përkatëse në rang Kombëtar, te cilet shprehën një përtesë të çuditshme mendore, kujtesore, intelektuale mosdashëse për ta përkujtuar këtë përvjetor. Dhe qyteti i Lezhës u ndodh në ball të këtij përkujtimi. Po shpreh veç një fakt i cili ma kursen mundimin e komentit që mund ta kisha bërë në lidhje më këtë, një fakt që flet me shumë elokuencë në favorin e asaj që thash më lart: një komunitet i vogël shqiptar në Kroaci e festoi këtë përvjetor, në ato rrethana kufizimesh mjetesh dhe njerëzish me të cilat mund të ballafaqohet një komunitet shqiptar në një vënd të huaj. Çuditërisht, ( në standartin habitor të shtetit shqiptar) në këtë përkujtim të shqiptarëve të Kroacisë, për të nderuar figurën madhore të Fishtes, mori pjesë ministri i Jashtëm i Kroacisë. Kjo pjesëmarrje e njërit ndër personalitetet më të rëndësishme shtetërore të Kroacisë kontraston vajtueshëm me mospjesëmarrjen e shtetarëve shqiptarë. Dukesh se Institucionet shtetërore të Kulturës, duke shkëlqyer me mos praninë e tyre në përvjetorin e 150-të të Fishtës, donin të afirmonin atë thashethem urban se shteti i sotëm është veç një riciklim me veshje dhe costume moderne ( jo domsodashëmrisht me çitjane) i atij shteti të mëparshëm që burgoste njerëzit po të lavdëronin a përmendnin Fishtën. Asgjë tjetër nuk mund t’i paraqes synimet e fshehura te një shteti se sa qëndrimi i ketij shteti ndaj kulturës dhe njërzve të kulturës.
Përkujtimi i 150 vjetorit të Fishtës ishte një fenomen ishullor. Në ditët e festimit të këtij përvjetori, Qyteti i Lezhës po ecte në gjurmët e atyre Qytet- Shteteve të dikurshëm, Dubrovnikut a Venecjes , qytete që u kushtonin vëmendje dhe respekt njerëzve të tyre të shquar, sidomos njerzëve të kulturës, me vetëdijen se progresi njerzor mbështet pikërisht dhe në radhë të parë te përkujtimi i njerëzve të tyre të mëdhenj. Nuk eshte e rëndësishme se sa njerëz te mëdhenj ka nje vend, na kujton mençuria romake, se sa çfare bejme ne me keta njerez te mëdhenj!
Ky vizion sa i vjetër aq dhe modern u bë i mundur të realizohej falë një njeriu i cili ka shprehur me kohë një mirëdashje aktive tepër të qyterëruar ndaj kulturës. Ky njeri është Kryetari I Bashkisë së qytetit të Lezhës, zotit Pjerin Ndreu, i cili që në fillim mori përsipër organizimin përfekt të këtij përvjetori. Ndryshe nga përvjetorët e herëve të tjera, qenë ftuar ata të gjithmonë harruarit, krerët e Urdhërit Françeskanë shqiptarë, Pater Pashko Gjojcaj, Provincial i Provinces Franceskane , dhe pater Viktori, drejtori i revistes Hylli i Dritës, një njeri aq i përkushtuar ndaj vazhdimësisë letrare, kuturale dhe kombëtare të Hyllit të Dritës të viteve kur ajo drejtohej nga Pater Gjergj Fishta.
Në perkujtimin e 150 vjetorit të Fishtës referuan kumtesa prestigjioze shkencore pr. Dr. Sabri Hamiti, Pater Pashko Gjojcaj, pr. Dr. Vincens Marku, Pr.Dr Bajram Kosumi, poeti Rudolf Marku, dhe A. Bido,drejtor i Arkivit të Shtetit.
Qyteti i Lezhës qe gjatë gjithë kohës në një gjëndje të përmbajtur dinjitoze festive. I zbukuar në çdo qoshe më portretin e Fishtës. Dhe sidomos i zbukuar me gjithë ato që nuk morën pjesë.
Falenderimi im i veçantë i shkon zotit Kryetar të Bashkisë së këtij Qyteti.
Të falënderoj, zoti Pjerin Ndreu, për gjithëcka që ke bërë dhe vazhdon të bësh për qytetin tim të Lindjes, dhe sidomos për ndjeshmërine tënde proverbiale për kulturen dhe njerëzit e saj! Ndjehem krenar qe jam nga qyteti i Lezhes!