Na kishte marrë malli të dëgjonim këngët popullore burimore të ahengut shkodran. Këngëtari Agim Molla korri një sukses në koncertin e tij me këngë të vjetra shkodrane në teatrin “Migjeni”. Disa prej perlave të këtyre këngëve erdhën për spektatorët që mbushën sallën e teatrit për dy netë me radhë. Këngëtari shkodran tregoi një moment kur ai ishte ende fëmijë dhe shkoi për të dëgjuar Shyqyri Alushin dhe orkestrën më të mirë të asaj kohe. Agim Molla kujtoi edhe disa prej emrave të mëdhenj të muzikës, këngëtarë e kompozitorë shkodranë, duke i falenderuar ata për këtë pasuri të madhe kulturore që lanë pas dhe që për fatin e mirë në Shkodër po trashëgohet me shumë pasion dhe dashuri nga brezi i ri. Përveç orkestrës profesioniste të Teatrit “Migjeni”, në skenë u ngjitën edhe orkestra që Agim Mollën e shoqëron prej shumë vitesh duke ndezur edhe më shumë atmosferën në sallë. Një grup bejtaxhish e pasuruan këtë mbrëmje duke sjellë humorin e tyre brilant. Në koncertin recital të këngëtarit Agim Molla morën pjesë edhe disa prej këngëtarëve më të mirë të qytetit, si zonja e këngës popullore shkodrane Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe”, Eduart Jubani, Hajro Pepa dhe këngëtarja e talentuar Aislin Kavaja. Stafeta e interpretimit të këngës popullore vazhdon nga më të vjetrit te të rinjtë, dhe kështu ajo vazhdon të përcillet brez pas brezi dhe nuk humbet kurrë. Kënga popullore qytetare shkodrane është repertor i hapur që nuk mbyllet asnjëherë. Me këngën popullore shkodrane u morën dhe profesionistë, poetë të mirëfilltë dhe kompozitorë.
Nga: Ramazan Çeka