75 NGA KRYENGRITJA ANTIKOMUNISTE NË M.MADHE, E PARA NË EUROPEN LINDORE

0

Është organizuar në qytetin e Koplikut aktiviteti memoristik, kushtuar njërës nga ngjarjet mË historike të trevës M.Madhe dhe jo vetëm. Kryengritja e M.Madhe, ose e thënë ndryshe revolta e Koplikut, pati një jëhonë ndërkombëtare aso kohe. Ndaj sot pas 75 vitesh ende mbeten shume gjëra për tu thëne nga deshmitarët e kohës dhe historianet. Gjithesesi në këtë ditë perkujtimi ishin të pranishëm familjar të atyre trimave që e udhëheqën këtë kryengritje, ishin dhe perfaqesues te PD, M.Madhe dhe Shkodër z.Anton Kokaj e Xhevdet Amuli. Ndërsa Historianët Ndue Baci dhe Romeo Gurakuqi rivlersuan edhe një herë këtë ngjarje si ndër më të lavdishmet kryengritje në mbarë europen lindore.
Veçmas të tjerave gjatë kësaj ceremonie memoristike u dorzuan edhe çërtifikata mirënjohje për familjarët e ish të persekutuarve politik M.Madhe, ku ndër të tjera edhe Mimoza Rexhvelaj shprehu krenarinë për vuajtjet e të atit Xhelal Cufaj.

Kështu pra 75 vjet më parë, pranë urës së Rrjollit, u zhvillua njëra nga betejat më të rëndësishme të kryengritjes antikomuniste të Koplikut, qëndresa e parë e armatosur në Shqipëri dhe e para revoltë antikomuniste në vendet që sapo kishin rënë nën thundrën e diktaturës bolshevike. Rezistenca e Koplikut, edhe pse shpërtheu para kohe dhe nuk arriti të sinkronizohej me qëndresën e Dukagjinit, Shkodrës, zonave të tjera të Malësisë së Madhe, Mirditës dhe të gjitha krahinave të tjera të veriut të vendit, pati një jehonë të gjerë kombëtare dhe i dha mesazhin klikës që sapo kishte marrë pushtetin, dhe të gjithë botës mbarë, se populli shqiptar nuk e pranonte diktaturën, se ai nuk do të kthehej në një skllav të saj dhe se ndaj forcave që synonin t’i merrnin lirinë nuk mund të kishte veçse rezistencë të armatosur. Në betejën heroike të Urës së Rrjollit, rezistenca e burrave që udhëhiqeshin nga Llesh Marashi, Gjon Martini dhe Mirot Paloka, shkaktoi panik deri në zemër të diktaturës. Kundër popullit që s’pranonte kërbaçin e nënshtrimin, u nisën falangat më të pashpirta, të drejtuara nga krahu më mizor i regjimit vasal të Jugosllavisë komuniste, nga Mehmet Shehu. Porosia e tyre ishte e prerë: kundër revoltës së parë antikomuniste duhej përdorur terrori në shkallë masive. Pas kësaj, dihet se historia e revoltave antikomuniste u shndërrua në një histori masakrash mizore, me vrasje masive, pushkatime me e pa gjyq si dhe me internime të familjeve e fiseve të tëra në thuajse të gjitha zonat e veriut të vendit. Gjon Martini e Mirot Paloka mbetën të vrarë në betejë, drejtuesi i betejës, Llesh Marashi u pushkatua, ndërkohë që pas qëndresës së Dukagjinit, erdhi vrasja e legjendës Prekë Cali, arrestimi dhe vrasja e dhjetëra banorëve të Shkodrës, Koplikut, Dukagjinit e Mirditës si dhe burgosja e internimi i mijëra të tjerëve. Terrori fitoi përkohësisht mbi rezistencën e parë të armatosur kundër diktaturës komuniste në të gjithë Evropën Lindore, por në librat e historisë u shënua përjetësisht se shqiptarët e nisën të parët luftën e tyre kundër komunizmit dhe patën edhe përplasjen më afatgjatë me diktaturën më të egër në Evropë. Në këtë përvjetor të betejës së Urës së Rrjollit kujtojmë heroizmin e atyre mendjeve e shpirtrave të lirë, klerikë, prijës e intelektualë, që na nderojnë e na japin përditë leksion se për të drejtën duhet luftuar përditë, pa bërë llogari se si del kjo përpjekje. Secili nderon detyrën e tij për t’i shërbyer lirisë së të gjithëve. Ky leksion i përjetshëm po mundohet të errësohet këto ditë nga pasardhës të mekanizmave zbatues të dhunës së diktaturës, por legjendat janë legjenda dhe heroizmi i Koplikut, Dukagjinit dhe zonave të tjera që u ngritën me armë kundër diktaturës, për të mos e lënë atdheun të shndërrohej në një shesh për pazar-përsheshin e vasalëve të Jugosllavisë komuniste, nuk errësohet nga kalemxhinj që rezistojnë t’i përfshijnë këto përpjekje madhështore në librat e historisë, me shpresën miope se kështu ato do të harrohen. Kryengritja e Koplikut djeg sot e gjithë ditën tek pasardhësit e metastazave të diktaturës, të cilat sot, në një realitet të ri, po synojnë që diktaturën ta shndërrojnë në një qeverim të përjetshëm, përmes korrupsionit dhe varfërimit. Armiqtë e sotëm të përkujtimit të Kryengritjes së Koplikut janë të dëshpëruar, sepse ata s’kanë në dorë armën e baballarëve të tyre, terrorin shtetëror, por mundohen që përditë ta imitojnë atë me dhunën ndaj historisë, ndaj fjalës së lirë e ndaj kujtimit të heronjve të popullit. Por për dëshpërimin e tyre, Shqipëria e ka regjistruar faqen e lavdishme të Kryengritjes së Koplikut, dhe kush synon ta errësojë atë është në anën e gabuar të historisë, është në anën e të dështuarve dhe për ta historia regjistron vetëm turpin. Lavdi të përjetshme heronjve të Kryegritjes së Koplikut, të parës rezistencë të armatosur kundër diktaturës komuniste në të gjithë Evropën ish-komuniste.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.