0

Drama “Jugori” e autorit Rainer Werner Fassbinder, megjithëse e shkruar më 1968, pra 50 vjet më parë, më bëri përshtypje të madhe për hapësirat e reja komunikuese dhe mendimin e thellë. Në të vërtetë, koncepti për hapësirat e reja komunikuese mendoj se erdhi qysh nga ideja e ftesës së regjisorit boshnjak Dino Mustafiҫ dhe zgjedhjes së pjesës, por kam dëshirë të ndalem tek shfaqja e dramës, që më ka pëlqyer dhe mendoj se ia vlen të bëhet objekt diskutimi. Fillimi i rritjes së mundësive komunikuese nis me zmadhimin e skenës (nën skenografi të Sadik Spahisë) dhe me zhvendosjen e vendeve të qëndrimit të spektatorëve aty: ulur në stolat – arka birre. Kur u flas studentëve për raportet e letërsisë me artet e tjera në lidhjen ndërkurrikulare, drama është një lloj që e mishëron në vete këtë lidhje. Por në disa shfaqje dramatike ka detaje që kanë fuqi të flasin shumë. Te “Jugori” shfaqen konceptime të teatrit të aksionit, ku vendosja e spektatorëve në skenë dhe lëvizja e aktorëve herë në amfiteatër, herë në skenë, hap këndshikime dhe gjendje emocionale. Prezantimi i roleve nga secili aktor nga amfiteatri duket se na heq një pjesë nga kurioziteti vrapues, kurse vënia e inserteve në krahun e kundërt (video-Juli Vuka), i bën pothuajse të parrokshme të gjitha detajet. Kjo na “zvogëlon” si spektatorë në gjithҫkanë e shumëkërkuar; ndoshta na heq nga spektatori-klient-mbret dhe na bën më njerëzorë. Ndoshta ishte edhe një mënyrë për na treguar hapësirën e madhe mes njeriut dhe personazhit. Një term që më ka bërë përshtypje në literaturën e filozofisë, ka qenë “njeriu ideal” dhe nuk e di se ku mund të jetë ai në këtë hapësirë. A thua në vetëreflektimin e artistit që prezanton rolin në amfiteatër, apo diku te ne? Apo edhe ne jemi pak (a shumë) aktorë? (A ka ndonjë njeri që nuk bën pak aktrim në jetën e vet?) Ndoshta mund të jetë nëpër kërkimet tona, të ne spektatorëve që qëndrojmë në skenë! Gjithsesi, personazhi që “provokon” konfliktin në dramë është Igori, një “punëtor i ftuar”, që ka emigruar nga Ohri i Maqedonisë (interpretuar nga Tristan Halilaj). Grupi vulnerabël i të rinjve reagues është përzgjedhur për ta pasqyruar dhe tejkaluar sociologjinë. Të dhënit pas pijes (Franci, luajtur nga Pjerin Vlashi), cinizmi (Eriku, luajtur nga Jozef Shiroka), mohimi e mosbesimi deri në vulgaritet (Pauli interpretuar nga Simon Shkreli), egoja meskine (Gunda, interpretuar nga Merita Smaja), provincialiteti si masë e kufi (Helga, luajtur nga Nensi Bakalli), ideologjizimi i përmbajtjes së njeriut si superioritet (në këtë rast i racës së bardhë, Klausi, interpretuar nga Oliver Ymeri), ambicja e rebelizmi skematik (Ingriti, interpretuar nga Krist Lleshi), humbja e kufijve mes interesit dhe dashurisë (Bruno, interpretuar nga Nikolin Ferketa) apo barazimi i jetës me interesa materiale (Elizabeta, luajtur nga Rita Gjeka, Mjeshtër i Madh) janë në fakt karakteristika më shumë psikologjike se sociale, që prania e të huajit i nxjerr në pah, ashtu si edhe ia kufizon shfaqjen brenda një relievi konkret. E vetmja që është ndryshe, është Maria, emri i së cilës nuk është zgjedhur rastësisht, interpretuar nga Linda Jarani. Ajo që bie në sy edhe të një spektatori të thjeshtë të dramës siҫ jam unë, është fuqia komunikuese e elementeve të saj: Lëvizjet koreografike (koreografia Gjergj Prevazi) tejҫojnë simbolika të marrëdhënieve njerëzore herë si energji e padrejtuar (pa dije ku të drejtohet) e herë si eternitet (e paaftë të shprehet me fjalë). Hedhja e vazhdueshme dhe e pafund e tapave të shisheve bëhet shprehëse e krizës së shpirtit që vdes nën alkool. Lloje zhurmash e mërmërimash plotësojnë ose zëvendësojnë fjalët, duke mos lejuar inflacion të tyre. Llogaritë e punëdhënëses Elizabetë zëvendësohen me zhurmën e bletës, apo të grethit… provokimi dhe refuzimi i Gundës apo Elizabetës përveҫ fjalëve, plotësohet shumë bukur me gjeste dhe muzikë (kompozitor Zef Ҫoba). Vulgariteti i fjalëve shpreh krizën e raportit të etikes me biologjiken te njeriu i sotëm: … Nuk ka mbetë edukata te falimndersa … A je shkepë për respekt ndonjëherë?!… E, edhe vulgariteti ka fjalët e veta, që nuk janë njësoj as me meskinitetin, as me anemizmin gjuhësor. Këto elemente nuk mbivendosen, por gjejnë vendin e shprehjen e vet; nganjëherë edhe shkrihen bashkë, por pa mbytur njëra-tjetrën. Futja në tekst e rrëfimeve të vërteta të aktorëve apo e informacioneve gazetareske e rifreskon dhe e përditëson dramën, kurse monologu i Igorit për ndarjen e trupit nga shpirti e ushqen mes tjerash me lirizëm e metafizikë. Shkallëzimi i konfliktit dhe rrëfimeve rritet. Thashethemet plotësohen, zbukurohen, deformohen, tjetërsohen … dhe rrisin urrejtjen që shpërfaqet hapur. E kjo është sa politike, po aq njerëzore. Thirrmat provokojnë idenë se bërtitjet protestuese jo gjithnjë nxiten nga humanizmi… kurse thashethemet e meskinitetet barazojnë jetën private të individit me politikën, ideologjitë a statistikat dhe kjo ҫon deri në kolektivizim të mendimit e gjykim kolektiv. Urrejtja bëhet kuptim jete që manipulon edhe simbolikën fetare. Kolektivja kundër një të ndryshmeje prej saj jepet më shumë me gjeste, lëvizje dhe muzikë, pasi ajo është e verbër. E përsëritja e fjalëve: “duhet të largohem nga ky vend”, duket se shpreh më shumë krizën e individit, sesa të vendit. “A është vendi që na bën ne, apo jemi ne që bëjmë vendin?” – pyes veten unë në skenë, ku jam me aktorët, nën të njëjtat drita të dobëta, që forcohen rallë dhe ndenjur në të njëjtat arka… Kënga kënduar nga Laorjan Ejlli nën tingujt e pianos të Klevis Gjergjit shoqëron epilogun, ndërkohë që personazhet shfaqin veten e tyre të plakur. Nuk ishte e lehtë për artistët të luanin nën sytë tanë. Përveҫ kësaj atyre u duhej zëri, mimika, u duhej shumë plastika e trupit dhe kjo nuk ishte e lehtë për to në këto ditë të ftohta. Megjithatë pashë se si artistë me shumë eksperiencë dhe të rinj u shkrinë në një skuadër, ku të gjithë dinë ҫfarë të japin e marrin nga njëri-tjetri. Kot nuk thuhet se Shkodra është dashuri. Dashuri për artin, të bukurën e trashëgimin e tyre. Kjo mendoj se bën më shumë se skuadër. Unë jam kënaqë duke parë këtë dramë dhe nuk e kisha të lehtë t’i shkruaja këto radhë, por kisha dëshirë dhe nevojë të komunikoja për disa efekte që mora, duke qenë e vetëdijshme se arti i vërtetë prodhon reagim të papërsëritshëm. Shkruar nga

Ermira Alija

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.