Zija Vukaj Intelektual i Përmasave Kombëtare …

0
318

Nga : Ilmi Kurti 

Ka lindur më 1 mars të vitit 1960 në fshatin Dodçë të Reçit të sipërm Malësi e Mdhe .Ky fshat i vogël ndodhet në prehrin e një formacioni kodrinor, mbushur me gështenja e drurë të ndryshëm frutorë, pranë brigjeve të thepisura shkëmbore të luginës së thellë të Rrijollit. Pamja e tij i ngjan një ballkoni të ngritur mbi vargmalin e Sukës së Madhe, nga ku vështrimi i njeriut endet e humbet poshtë, duke rrokur me sy të lirë një pjesë të madhe të fushave të Mbishkodrës, brigjet dhe pasqyrën e ujërave të Liqenit, Taraboshin dhe sfondin e maleve, pas të cilave dielli fsheh kokën në perëndimet e tij mahnitëse që ngjyejnë me rrezet e fundit ujërat e liqenit ku pasqyrohen edhe fshatrat e Krajës të ngritura në shpate dhe lugina, si dhe qytetin e Shkodrës dhe Kalanë Rozafat. Shkurt, një fushë shikimi e rrallë për një fshat të vogël, strukur në skutat e një terreni të çrregullt me brinja e përrenj dhe me copa arash e mezhdash të rrëpirëta e rrallë të sheshta.Zijai është fëmija më i vogël i familjes së Cen Sokolit dhe Gjylës (Vukaj); një familje me gjashtë fëmijë, dy djem (Fahriu dhe Zijai dhe katër motra: Zyba, Hyrija, Sofija dhe Halimja). Zijai e mbaroi shkollën fillore dhe tetëvjeçare në fshatin e lindjes, ndërsa studimet e mesme i ndoqi në gjimnazin “JordanMisja” të qytetit të Shkodrës. Studimet e larta i ndoqi në universitetin “Luigj Gurakuqi, dega Gjuhë- Letërsi. Ka punuar si mësues në fshatrat, Repisht, Ndrejaj Shosh, Palaj Shosh, Vig, Domën, Koplik i Sipërm, Bogë, Dedaj, Laç Vau i Dejës, si dhe drejtor i shkollës “Martin Camaj” dhe drejtor i shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka” dhe tani është mësues letërsie në gjimnazin “Jordan Misja”. Figura e tij si mësues dhe si intelektual tashmë është tepër e njohur dhe shumë e spikatur në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë.Zijai ka pasur një pasion të veçantë për lexime dhe njihet si një lexues i pazakontë i librit artistik, filozofik dhe historik, por pasioni i tij i madh lidhet me gjuhët e huaja, ku ka edhe kontributin kryesor të jetës dhe të punës së tij krijuese. Njohës i disa gjuhëve, Zija Vukaj është sot një përkthyes i denjë i letërsisë botërore, i merituar për të qenë pasardhës i plejadës së shkëlqyer të përkthyesve të famshëm shkodranë, si Gjon Shllaku, Koliqi, Gjeçi, Shantoja etj. Në arsenalin e përkthimeve të tij futen rreth 15 vepra dhe pjesë nga krijimtaria e më shumë se njëzet autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore. Ndër to mund të përmendim dy romane të autorit nobelist italian Luixhi Pirandelo, që është edhe emblema e teatrit modern botëror, që titullohen “Marta Ajala” dhe “Një, asnjë dhe njëqind mijë”; nga autori i famshëm GabrieleD’Annunzio romani “Kënaqësia”, që mbahet edhe si vepra e parë e letërsisë moderne evropiane; nga shkrimtari brazilian Paulo Coelho romani “Aleph”; nga i famshmi Alberto Moravia, 61 tregime të përmbledhura në librin voluminoz “Tregime romane”, nga autori francez Emil Zola, romanin e famshëm “Naná”, nga i cili është marrë edhe libreti i filmit me të njëjtin titull; Nga nobelisti Dario Fomonodramën e luajtur në teatrin “Migjeni”; nga Massimo Jevolella “Rrënjët islamike të Evropës”; si dhe tregime të zgjedhura nga Tristan Bernard, Çezare Pavese, Xhovani Verga, Pirandelo etj. Në fushën e poezisë janë të njohura përkthime nga poetë të famshëm si Jevtushenko, Lorka, Kavafis, Bodler, Karduçi, Paskoli, UgoBeti, Ungaretti, Quasimodo, Montale, Saba etj.Në vitin 1999 Vukaj ka qenë i ftuar nga Qendra Kulturore e Studimeve Pirandeliane në Agrixhento të Siçilisë, me rastin e përkthimit të veprave të Pirandelos, ku ka referuar në lidhje me sfidat e përkthimit në gjuhën shqipe të këtij autori me famë botërore.Është i njohur kontributi i Zija Vukajt në fushën e studimeve letrare, ku numërohen mbi 120 shkrime për autorë dhe vepra të ndryshme në organe periodike; në hartimin e parathënieve të librave të Skënder Drinit, Paulin Selimit, Fadil Krajës, si dhe në trajtimin dhe interpretimin e mjaft veprave dramaturgjike të luajtura në skenën e teatrit “Migjeni”, si “Hana e janarit”, “Dy jetë”, “Shtatë shaljanët”, “Eldorado” etj., me regji të Fatbardh Smajës. Në fushën e publicistikës Vukaj ka një kontribut të konsiderueshëm në trajtimin analitik të çështjeve për arsimin, kulturën dhe problemeve të ndryshme sociale me shkrime të veçanta, të cilat shquhen për kulturën e rrallë të shkrimit dhe forcën e madhe argumentuese. Zija Vukaj ka qenë i pranishëm në mbi 200 puntata televizive lokale e kombëtare ku janë trajtuar probleme nga më të ndryshmet për kulturën, shoqërinë, letërsinë, gjuhën, komunikimin etj., si një zë origjinal dhe mjaft i spikatur.Më 25 janar të vitit 2017, me propozimin e Lidhjes së shkrimtarëve Shkodër dhe me votim të lirë nga lexuesit u shpall “Shkrimtari më i mirë i vitit”. Ky titull iu dorëzua nga Mjeshtri i Madh Fadil Kraja në spektaklin e organizuar në nderim të figurave më të spikatura të Veriut.

SHARE
Artikulli i mëparshëmDashuri e Vrarë …
Artikulli tjetërKanadaja heq vizat për dy shtetet e Ballkanit.Maqedonia do të mbetet pa Maqedonas …
Revista "FJALA" është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe...

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here