VJOLA , NJË LULE QË NUK VYSHKET KURRË

0
195

Nga : Ramazan Çeka

Vjoleta Zefi , pas 50 vitesh në skenë , sot “Mjeshtre e Madhe” …

Vjoleta Zefi, me një vokal dhe interpretim krejtësisht të veçantë, vazhdon të elektrizojë edhe sot e kësaj dite skenën e muzikës popullore qytetare shkodrane e në mënyrë të veçantë me zërin e saj vazhdon të zbukurojë oborret e lulëzuara ku ashtu siç ka emrin, gjenë edhe shoqet e veta që gjithmonë janë të freskëta e të lulëzuara.   E kanë quajtur “Mbretëresha e këngës shkodrane”. Ajo lindi në Shkodër më 15.6.1960 dhe u ngjit në skenë në një moshë fëminore në mars të vitit 1968, ku e inkuadruar me trupen e Estradës Profesioniste të Qytetit, mahniti publikun me zërin dhe talentin e saj të mrekullueshëm, duke interpretuar dy këngë, “Librazhdi im sa fort të dua”, dhe “Hyjo-hyjo, kalë vrapo”.    Që nga këto shfaqje ajo nuk u shkëput më nga skena. Sa mbaroj shkollën 8-vjeçare, për nevoja ekonomike u vendos në punë në Uzinën e Telave në Shkodër. Pa u rritur mirë tashmë ajo ishte bërë e njohur në të gjithë Shkodrën.    Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Teatrit “Migjeni”, në këtë institucion nga ku kanë dalë me dhjetra këngëtarë të famshëm.   Këtu pra ajo u inkuadrua me trupen profesioniste të Estradës së Shkodërs, përkrah këngëtarve të mëdhej Bik Ndoja dhe Shyqyi Alushi, ku për një kohë të gjatë këndoi në trio, bashkëpunim që i solli një sukses të jahtëzakonshëm si në Shkodër ashtu edhe në turne jashtë shkodrës.    Dalja e saj gjithnjë përkrah dy kolosve të këngës Shkodrane, krijuan tek ajo vetëbesimin për të kënduar në skenë por edhe përfitoi prej tyre shumë për këngën popullore shkodrane. Ajo pati fatin e madh, që në këtë moshë të njomë të kishte pranë vehtes këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë ndër më të njohurit dhe më të aftët e artit skenik shkodran.    Në kohën që punonte në Uzinën e Telave, u njoh me parodistin dhe humoristin e mrekullueshëm Gjosho Vasija, që në atë kohë drejtonte grupin artistik të kësaj ndërmarrjeje, humoristin tjetër dhe aktorin Mark Lëkunda, këngëtarët Bashkim Alibali dhe Eduard Jubani, me të cilët dha me dhjetra shfaqje dhe fitoi sa e sa çmime ndër festivale lokale dhe kombëtare.   Kur ishte ende 13 vjeçe, dhe pse në një moshë që askush s’e beson mori pjesë në Festivalin e 13-të Kombëtar të këngës në RTSH, me këngën “Tre brezat”, e cila fitoi çmimin e tretë. I vetmi rast që në këtë moshë konkuron në festival, duke befasuar publikun e Tiranës me talentin dhe interpretimin e saj të sinqertë fëminorë, të brishtë e të pasigurtë ende. Gazetat e kohës, filluan të shkruanin për këngëtaren e vogël shkodrane, për Shkodrën që të befasonte gjithnjë me talentet e veta në festivalet e RTSH.   Kështu Vjoleta vazhdoi të jetë pjesmarrëse edhe në festivalin e 14-të, duke vijuar më pas me festivalin e 15-të me këngën “Dasëm në fshat”, ku përsëri u vlersua me çmimin e tretë dhe vazhdoi të jetë pjesmarrëse edhe në festivalin e 18-të.    Vlerat e Vjoletës nuk qëndrojnë vetëm tek zëri, por edhe tek inteligjenca e saj për të plotësuar vetveten edhe me një repertor sa më të larmishëm e të dashur për publikun, me këngë shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, kosovare dhe të Jugut.    Vjoleta  Zefi, u aktivizua në shumë drejtime, si këngëtare, si spikere dhe si aktore; kujtojmë këtu aktivizimin e saj tek drama “Përmbytja e Madhe”, ku ajo luajti përkrah aktores së njohur të Teatrit “Migjeni”, Vitore Nino, dhe ku ajo në një aktivitet kombëtar të teatrove fitoi çmimin e parë si aktore amatore.   Natyra e saj e gëzuar, optimiste dhe plot humor, përfaqësohet edhe në repertorin e zgjedhur për interpretim, këngë të gjalla dhe të gëzuara, plot dinamizëm të brendshëm e me shtrirje që i përgjigjen edhe natyrës së saj vokale, tematikë e larmishme, nga ato lirike dashurore, tek ato të trimërisë,  të kurbetit, nga këngët e vjetra tek ato më të rejat.    Talentin e saj ajo e ka demonstruar edhe në marrëdhënie me zërat e tjerë si në duete, ansamble vokale etj. Vjoleta që nga koha kur ka dalë për të parën herë në skenë, ka fituar respektin dhe dashurinë e spektatorit, i cili e ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Këtë respekt e mirëpritje Violeta e ka patur jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë, e në të gjitha skenat ku ka përformuar jashtë shtetit.   Në të gjitha aktivitetet  artistike kombëtare dhe ndërkombëtare Vjoleta  ashtë vlerësuar maksimalisht me diploma, çertifikata dhe medalje. Kështu vlersohet me Çertifikatën e Çmimit të Parë, në konkursin e këngëtarëve dhe instrumentistëve solistë zhvilluar në Tiranë  nga data 25 deri me 28 Mars 1971.

Festivali i Estradave i zhvilluar në Tiranë prej datës 21 korrik deri me 2 gusht 1971 e vlersoi punën e Vjoletës me Fletë Lavdërimi. Po kësaj kohe i takon edhe një Festival i Estradave që u zhvillua nga data 4 e deri me 6 gusht të vitit 1971, i cili e vlerësoi me Medaljen e shkallës së parë, për interpretim shumë të mirë.    Në Festivalin kombëtar të Shtëpive të Kulturës, zhvilluar në vitin 1975, në Durrës,  nderohet me Çmimin e Parë, si këngëtarja më e mirë.    Me 22 Shkurt 1975, i jepet Çertifikata dhe medalja me motivacionin “Për punë të dalluar në përhapjen e kulturës në masat e gjëra”.   Në vitin 1976 Vjoleta Zefi dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullorë me urdhërin “Naim Frashëri i klasit të dytë”.   Vitet ’80, kur Ansambli i Radio Shkodrës shkoi në Kosovë për të bërë një turne në qytetet kryesore, ajo këndoi me bashkombësit e saj. Ky kujtim do të mbetet i pashlyer në gjithë karrieren e saj artistike.   Në takimin ndërkombëtar të Turqisë (1981), Vjoleta u nderua nga juria me çmimin më të lartë duke i dhënë titullin “Mbretëresha e Festivalit”. Vjoletën sukseset e ndoqën kudo. Në vitin 1993, kur shkoi në Amerikë, pritet shumë mirë, pastaj vijnë turnetë e tjera si: Zvicër 1994, Gjermani 1995, Mal të Zi 1996 e Maqedoni 1998.   Më 2 qershor 2005, nderohet nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodërs me titullin “Mirënjohja e qytetit”, me motivacion: “Për merita të veçanta në fushën e interpretimit të këngës popullore dhe për kontributin e madh të saj në këtë gjini”.   Ka kënduar nën shoqërimin e brezave instrumentistë si: Abdullah Salabegu, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Luan Barova etj.  Ka kënduar me orkestrat Simfonike të RTSH, RT Prishtinë, Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Orkestrën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Banden Frymore të Shkodërs, Orkestrinën e Estradës së Shkodërs, dhe shumë formacione të tjera orkestrale edhe jashtë vendit. Ka regjistruar 39 potpuri, prej të cilave 5 janë kolazhe dhe 20 janë duete dhe trio.   Ka bashkëpunuar me figura të tilla të artit shkodran si: Tish Daija, Tonin Harapi, Xhavit Ujkani, Nazmi Lishi, Luan Borova , Tonin Daija, Ilir Zoga e shumë të tjerë.  Në 7 albumet e saj ka 84 këngë të regjistruera, prej të cilave 61 janë shkodrane, 9 Shqipëri e Mesme dhe të tjerat nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare jashtë atdheut.  Në Albumin “Hala jam”, ka një bashkëpunim me këngëtarët Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, si dhe një duet me këngëtarin Adnan Bala me këngën “Dukane”.      Tek kënga “Edhe baba po m’bërtet”, një këngë e re e viteve ’70, e krijuar enkas për dy tenorët e famshëm popullorë Bikun e Shyqin dhe vajzën e re, u krijua një trio e bukur që u realizua mjaft mirë nga të tre kengetarët.    Në këtë shkrim ja vlen të evidentojmë disa nga interpretimet më brilante që Vjoleta ka në karrieren e saj, në veçanti në interpretimin e këngës shkodrane, duke përmendur këtu disa prej tyre: “Kndon bylbyli me t’madhin za”, “Hala emrin s’ta kam zan”, “Ashtë nji djalë moj nanë”, “Këngë për Mujo Ulqinakun”, “O bylbyl, o i bukri shpendëve”, “Shtëpia pastë gjithmon pranverë”, “Erdhi pranvera”, “Pse ti lule rrin e mshehun”, “Këpucët me meste”, “Djalë i dashur”, etj., të cilat i gjejmë edhe në albumet e saj: “Tash du me fillu”, “Pasha sytë e mi”, “N’andërr më del”, “Hala jam”, “Merre nji tub lule”,  “Ti je si nji gonxhe” dhe “Shkodra ime”.    Vjoleta Zefi është ndër ato këngëtare që me zërin e saj të ëmbël dhe me interpretimin e saj mjeshtëror ka mahnitur dhe ka bërë që spektatori të bëhet pjesë e këngës së saj duke e shoqëruar vazhdimisht me duartrokitje e duke kënduar bashkë me te. Skena dhe kënga popullore do ta dëshirojë gjithmonë zërin e ëmbël dhe interpretimin mjeshtror të këngëtares Vjoleta Zefi”.                                                                    Këngëtarja e mirënjohur Vjoleta Zefi jeton sot në qytetin e saj të lindjes në Shkodër me familjen e saj të mrekullueshme e shumë të nderuar. Ajo respektohet, ashtu siç edhe këndon në një këngë të saj “Si një zonjë e randë” sepse në asnjë moment nuk është shkëputur nga dashuria dhe respekti që ka për qytetin e Shkodrës dhe anasjelltas. Në ekranet e televizioneve dhe emetimet e valëve të radios, shpesh bie heshtje në ambientet familjare ose lokalet e qytetit për ta dëgjuar atë, por edhe më shpesh krijohen atmosfera të gëzueshme, sepse çdo i pranishëm do ta shoqërojë me zërin e tij këngën e saj.   Edhe unë kam pasur fatin e madh të bashkëpunoj me këtë këngëtare të madhe, ku mund të veçoj duetin e mrekullueshëm të saj me këngëtaren e shquar kosovare Shkurte Fejza në interpretimin e këngës “Të kam motër sa t’jem gjallë” me tekstin tim, muzikë të maestro Sabah Bytyçit, orkestruar nga mjeshtri Ilir Zoga.   Pas një karriere kaq të gjatë artistike, pas një suksesi 50-vjeçar në skenat shqiptare, por edhe ato në gjithë hapsirën shqiptare dhe në Diasporë, puna e kësaj këngëtareje, u vlerësua me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, një titull ky që i shkon përshtat kontributit të saj, talentit si një pekt që këtë lule e mbanë gjithmonë të freskët, ashtu siç janë të gjitha lulet në bahçet shkodrane.
Korrik 2017

SHARE
Artikulli i mëparshëmTRUPAT – SKELETE ESHTRASH, KU JANË ??
Artikulli tjetërKARIKATURE

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here