TRADITA NË ARSIM DHE E SOTMJA

0
872
Zija Vukaj

(Perpetuum mobile)

Së pari, a është mirë me pasë traditë? Së dyti, a kemi traditë? Së treti, a e respektojmë traditën dhe a ka mbetur gjë sot nga tradita?

Të konsumosh pjesën më aktive të jetës, t’ua falësh mundin tënd prej më se tri dekadash fëmijëve të vendit dhe të popullit tënd, si në rastin tim dhe shumë të tjerëve, është një detyrë e zakonshme dhe po aq normale sa edhe të ngresh zërin dhe të shqetësohesh për ecurinë e zhvillimeve në fushën e arsimit. E fillova shkrimin tim me tri pyetje që kanë lidhje me traditën dhe jam i bindur se shumë lexues të keqkuptuar dhe ndoca të implikuar, e kanë humbur tashmë durimin dhe do të nguten të më quajnë nostalgjik të traditës dhe do të dihaten deri në asfiksi nga shpejtësia e dëshirës për të më thënë që ka ikur koha e gjërave tradicionale; se ne jemi bërë anglosaksonë- kupton apo jo- që ne jemi kaq të zotë, sa nuk njohim më konvencione as shenjtëri tjetër, përveç atyre që sjellin punonjësit tanë që bredhin botën dhe na bien çdo javë eksperienca të reja që meritojnë të futen në historinë e arsenaleve arsimore të shekujve që kaluan e do të vijnë. Sepse,- ç’do ti, zotëria jote, kur këtë thagmë e bëjnë anglezët e gjermanët apo skandinavët? Ç’ke ti që e refuzon? E ku ma ke traditën ti? Pastaj edhe po e pate, kujt dreqin i duhet tradita jote? Dhe me një të rënë të lapsit apo të daulles arriviste të pseudospecialistëve tanë famozë, shumëzohet me zero çdo gjë që është bërë më parë, si në librin e Azis Nesinit “Fëmijët e sotëm”, kur mësuesi zëvendësues u thotë nxënësve të fillojnë nga pika zero e njohurive, sepse paraardhësi i tij e kishte pasur gabim në të gjitha gjërat që u kishte mësuar.
Si mësimdhënës i vjetër dhe dashamirës në brezni familjare për arsimin, kam vërejtur me kureshtje, shpresë, por edhe shqetësim e sy kritik veprimet që janë bërë në arsimin tonë sidomos në 27 vitet e fundit. Nuk janë të gjitha të mira, as nuk janë të gjitha të kritikueshme. Vendime dhe kthesa shumë të rëndësishme janë marrë e realizuar nga imperativi i pashmangshëm i ndërrimit të sistemit. Dihet që në këto raste operacionet bëhen dhe janë bërë me dhimbje. Kjo është e shpjegueshme dhe e falshme. Populli është falangë e madhe dhe ka gjithmonë të drejtë. Kishte të drejtë edhe atëherë kur unë isha mësues letërsie në fshatin Dedaj dhe kisha në ngarkim bibliotekën e shkollës, e cila, krahas librave të Enverit, Marksit Engelsit, Leninit e Stalinit kishte edhe Balzakun, Hygoin, Xhek Londonin, Tolstoin, Shilerin, Majakovskin, Naimin, De Radën, Lasgushin, Migjenin, Mjedën, etj,. etj., që ishin 90% e bibliotekës dhe populli ynë heroik dhe liridashës i kishte nxjerrë të gjithë këta autorë në fushën e topit, i kishte grisur dhe i kishte masakruar “siç e meritonin”. Pra edhe kjo autodafé është e shpjegueshme për kohën. Një lloj kirurgjie e bërë me kmesën e popullit, për popullin. Më pas u bënë eksperimente të shumta, sidomos me kurrikulat dhe me autorët. Kullotën në këtë klimë meraklinj letërsie të veshur me pushtet që hiqnin e vinin autorë dhe vepra, sipas shijes së tyre, meraqeve personale, mllefeve që burojnë nga të gjitha arsyet e egos njerëzore dhe udhëtimet që po i bënin shqipot të shihnin botë me sy, aq sa, po ta ndjekim vit pas viti formatin e librave të letërsisë, të cilat unë i kam ruajtur si relike të çmuara të budallallëkut kozmik të njeriut të apasionuar, do të mahnisnim edhe flegmatikun më të madh. Këto ishin fillimet; mbushur me romanticizëm dhe ashikllëk patriotik individësh që kishin pushtet politik dhe një kulturë të kultivuar nga faqet kulturore të gazetave të kohës. Një ditë nxirrnin një suplement gazete me vargje të Fishtës, që ishte sa çereku i “Anzave të Parnasit”, një ditë futnin në tekst fragmente nga poema e bukur danteske “Kanali” të Arshi Pipës, pastaj vitin tjetër pendoheshin dhe e zëvendësonin me Kasëm Trebeshinën, me Bilal Xhaferin apo ndonjë “Pasqyrë Narçizi” etj., etj. Në vitet e mëpastajme zhganet e politikës rrokullisnin njëri-tjetrin dhe secili që vinte, bënte heroizmat e radhës në arsim. Doli fjala ‘reformë’. Shumicën e herës u kuptua si zëvendësim njerëzish. Reforma baraz me mallkim. Dhe ironia e fatit e deshi që dëshira për të përmbysur çdo gjë të mëparshme të kthehej në sindromë, të bëhej sëmundja më e madhe e arsimit. Në një hark kohor prej më pak se dy dekadash janë bërë shumë “reforma” dhe rezultati i tyre ka qenë i mjerueshëm. E di që këtu do të mallkohem dhe nuk do të jem aspak militant as elektoral, por gjërat absurde i kam kritikuar edhe në kohën kur ishte më e rrezikshme se sot. Por si mbahen gjallë budallallëqet? Mbahen gjallë nga servilët, të nënshtruarit, ata që kujtojnë se epoka e idiotësive është përjetësi. Një miting super i madh dhe i populluar nga mijëra njerëz e quan lakuriqësinë e mbretit “rrobë e bukur”. Ne kemi qenë të lumtur me leximin e gazetës “Zëri i popullit” nëpër shtëpitë e banorëve të Dukagjinit, të Tropojës e të të gjitha malësive e fshatrave e qyteteve shqiptare. Kjo lumturi popullore, sindromë turmash qenka e përjetshme dhe përsëritet sot e nesër në forma të tjera. Ne bëjmë sikur jemi të lumtur, sepse kemi ‘liruar’ çantën e librave dhe bëjmë dy orë rresht me nxënësit që nuk dinë të lexojnë dhe qëndrimi me ta për më se dhjetë minuta rrezikon të të lërë pasoja për tërë jetën; dhe prapë jemi të lumtur. Bëjmë plane në shtator dhe lumturohemi kur i zhbëjmë në gjysmë të vitit. Shkatërrojmë regjistrin tradicional, që është bërë i përsosur nga përpunimi prej dekadash dhe e zëvendësojmë me një paçavure dhe prapë jemi të lumtur. Kemi tjetërsuar të gjithë terminologjinë e arsimit me fjalë të huaja bombastike që thonë të njëjtën gjë që është thënë qysh më 1887 dhe mezi kuptohet, por prapë jemi të lumtur. Arsenali i dokumentacionit dhe burokracia e dengjeve të shkresave që duhen thasë për t’i mbartur, rritet dita- ditës dhe mësuesi ka kohë që ka humbur në pellgun e dendur të tyre e i janë atrofizuar të gjitha vetitë mësimdhënëse nga ankthi i shkresurinave, dhe prapë jemi të lumtur.Arsimi është si toka, si puna e bujkut. Pra është diçka që matet, shihen rezultatet, jepet produkti. Sa para bëjnë eksperimentet? Eksperimentet apo edhe reformat dhe çdo veprim a nismë vlen aq sa rezultati që ka prodhuar. E kemi rezultatin më të mirë se më parë? I kemi nxënësit më të ditur apo në fakt shkollat tona po pushtohen nga analfabetizmi? Janë më të kulturuar, të edukuar, më socialë, më qytetarë brezi i sotëm? E duan librin, artin kulturën më shumë? Flasin me zë më të shtruar e të ulët dhe mendojnë, krijojnë apo meditojnë më shumë? A është fakt që në klasat e dhjeta përqindja e analfabetizmit apo e të lexuarit me rrokje si dhe mosnjohja e tabelës së shumëzimit është çdo ditë në rritje? A është fakt që nxënësit tanë nuk i afrohen më librit? A është fakt që nxënësit tanë janë më bërtitës, çjerrës, shpërthyes në impulset e tyre, me një lartësi të llahtarshme zëri dhe një fjalor tmerrues? A kanë varësi nga celulari dhe mjaft prej tyre njohin edhe substance të dëmshme? Fundja, çfarë funksioni ka shkolla sot? Mos është azil? Apo ka për detyrë shkollimin e brezave? Mos vallë shkolla jonë duhet të përgatisë gjeni? Njerëz të zakonshëm? Duhet të edukojë qytetarë? Duhet të krijojë individë të përgatitur për të përballuar sfidat e jetës? Apo të gjitha, sipas përqindjes së kontigjenteve dhe grupmoshave? I qartë dhe i sigurt deri tani është funksioni i shkollës si azil.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.