“SHTJELLË LETRARE” E ZIJA VUKAJT …

0
618

SKENDER TEMALI Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve-SHKODER

…SHTJELLË VLERASH TË MENDIMIT KRITIK DHE ESTETIK

Kisha kohë që e “ngucja” mikun tim e shokun e penës, anëtarin e kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Zija Vukaj që të dilte me një vëllim të kësaj natyre, pasi brumi në magjen e tij kishte ardhur prej kohësh. Madje pak me humor e më shumë në mënyrë të figurshme i thoja se boll ke përkundur autorët e huaj me përkthimet nga italishtja e frëngjishtja, tani ka ardhur e ka kaluar koha të përkundësh “pjellën” tënde. Dhe ja, sot kemi në dorë një vëllim aq të domosdoshëm e të rrallë për lexuesit e krijuesit, me një spektër ku ndiçon mendimi elitar, bashkëkohës, larg steriotipeve, larg folklorizmave, pranë thelbit të shumëçkaje për të cilën ka nevojë letërsia e sotme shqipe. E theksoj letërsia e sotme, pasi këto shtjella letrare e orientojnë lexuesin e krijuesin drejt vlerave të mirëfillta, që të dijnë të bëjnë krahasimet me antivlerat që kanë mbirë si këpurdhat pas shiut.
Zija Vukaj është erudit. Erudit e ka edhe mendimin. Atë e lexon tek analiza për kritikën letrare e letërsinë e sotme, me një vertikalizëm në analizë të “Elektrës” së Sofokliut, me refleksionet, analizat e esetë brilante për Migjenin, duke i ngritur peidestalin e merituar këtij kollosi të letërsisë moderne shqiptare, në rragvimet në udhët e veprave letrare të zërit të përveçëm të prozës bashkëkohëse, Skënder Drini, e me radhë të Xhahid Bushatit, Paulin Selimit, Masar Rizvanollit, Rita Petros, Mark Lucgjonaj, Mehmet Gucisë, Isa Alibalit, Shyqyri Mollajt, Qazim Çelës, Hajro Ulqinakut, Skender Sherifit, Ahmet Dursunit, Monika Stafës, Besnik Camajt, Adnan Merovcit, rreth përkthimeve të vëllimeve nga Edvin Cami, Alma Hafizi, Lorena Dedja, dhe të mendimeve e analizave artistike për veprat skenike të Fadil Krajës, Albri Brahushës, Lisandri Kolës, etj.
Ndjehem i nderuar që në këtë vëllim dinjitoz, autori Zija Vukaj i ka bërë një analizë të thukët, dashamirëse e vizionare vëllimit tim më të fundit poetik, “Të pathënat”.
Diku në parathënie të librit, autori Vukaj ka thënë se më shumë ky vëllim është një sprovë e tij. Modestësisht e tha e për të cilën unë nuk jam dakord. Vëllimi siç e ka titullin ashtu dhe të krijon shtjella mendimesh për zhvillimet letrare, që nga letërsia klasike greke, eposi ynë e deri tek autorët më të rinj, por që sjellin diçka të re.
Nuk duhet anashkaluar edhe një dëshirë e imja e jo vetëm: ky libër, doracak për nga paraqitja, ia heqtë nga dora telefonin celular të rinjve për aq kohë sa duhet për t’u lexuar, gjimnazistëve e mësuesve të tyre, studentëve e krijuesve, i cili, edhe pse pa referenca, e ka një të padukshme: referencë është vetë autori Zija Vukaj.
Vëllimi është botim i Shtëpisë Botuese “Albas” në Tiranë, ka rreth 300 faqe dhe gjëndet në libraritë e Shkodrës, Tiranës e të qyteteve të tjera.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here