Shtjefen Ivezaj ,një shkëmb i tokës sonë …

0
600

Nga : Zija Vukaj 

Për ditëlindjen e mikut tim Shtjefën Ivezaj; (në vend të një buqete)
Sot ka ditëlindjen një individ që më ka impresionuar me karakterin e tij të veçantë, por edhe më ka krijuar një dëshirë deri në obsesion të shkruaj diçka për të. Dhe jam më skeptik se kurrë nëse ato që do të shkruaj unë mund të kenë ndonjë vlerë përballë njeriut që është objekti i këtyre shënimeve. Ky person është Shtjefën Ivezaj, tashmë shumë i njohur në të gjithë atdhetarinë tonë për vlerat e shumanshme e gati të papërshkrueshme. Për të janë bërë emisione të bukura, janë shkruar faqe të vlefshme, janë xhiruar pamje filmike dhe është takuar me mjaft personalitete të kulturës e të superstrukturës sonë kombëtare dhe në pamje të parë duket se nuk ke çfarë të shtosh më për këtë shkëmb të gjallë shqiptar, me moshë 83- vjeçare dhe me rrënjë të thella sa ekzistenca e genit krenar të racës sonë shqiptare. Më datën 5 shtator 2016 i bëra një vizitë në shtëpinë e tij në Lekaj apo Vranje, një fshat i bukur fushor në jugperëndim të rrafshultës së Tuzit, pranë një kodre shkëmbore, prej atyre që malësorët e Malësisë së Madhe i thonë ‘burg’ dhe vjen nga gjuhët sllave ‘bugor’- një soj kodre gurore, e vogël për t’u quajtur mal. Por shtëpia e Shtjefnit ndodhet në një fushë të bukur e cila do të ishte edhe mjaft pjellore, po të mos kishte ndryshuar destinacioni i kësaj banese, për shkak të ndryshimit të destinacionit të të zotit të shtëpisë, i cili para shumë dekadash, një ditë prej ditësh vendosi të dilte nga rreshti i njerëzve të zakonshëm, thuajse i thirrur nga një forcë madhore, për të rrugëtuar në një drejtim të vështirë, plot privacione personale e familjare, drejt një qëllimi sublim që arrihet vetëm përmes vetëflijimit dhe e bën njeriun të fitojë pavdekësinë. “O shkruani një libër që ia vlen të lexohet; o jetoni një jetë që ia vlen të shkruhet” thotë një fjalë e urtë. Por jam akoma kundruall shtëpisë së vogël njëkatëshe të Shtjefnit dhe sapo futem në zonën e oborrit (them zona e oborrit, sepse nuk ka asnjë gardh kufizues që të parandalon dhe të kërcënon të mos afrohesh). Hiç fare! Aspak! Kjo rrethanë të bën të zbulosh edhe mendjen e pakufizuar të të zotit të shtëpisë. Nga kush të rrethohet ky burrë? Kujt i druhet ky granit i vogël shqiptar që i valëvit flamujt e shqipes në mes të një zone që konvencionalisht ndodhet brenda kufijve të një shteti tjetër. Dhe m’u dhimbsën ata flamuj, sepse i kishte rrahur dielli dhe era e ishin bërë për t’u ndërruar, por sa të merrte pensionin… Sheshi para shtëpisë është i mbushur me objekte të ndryshme historike. Takon aty mokra të vjetra dhe gurë mulliri të rrumbullakët, rrethuar nga shina të hekurta të kapura nga ndryshku. Më tej Shtjefni ka ndërtuar një vend ndenjeje në formë trapezoidale ku ndenjëset janë gurë mali me forma të ndryshme dhe në mes një gur ciklopik që shënon epiqendrën e këtij banketi të gurëzuar prehistorik. Anash ndodhet një gur i përdorur për të hipur në kalë, me një formë të përshtatshme dhe me një si tip vege të vetën për të lidhur litarin. Në këtë hapësirë të sheshit para shtëpisë ka dy objekte që flasin më shumë se fjala dhe tregojnë edhe pasojat dhe historinë e kësaj metamorfoza të pazakontë. Në të djathtë është një gropë e tharë e një baseni, që dikur ka qenë pishina e ndërtuar nga Shtjefni, për ta përdorur me shijen e një njeriu që e njeh shumë mirë sharmin e një jete të kulturuar. Sot ajo nuk funksionon më; është lënë pas dore dhe ka mbetur vetëm gërmadhë. E kush ka kohë të merret me meskinitetin e rehative tokësore, duket sikur na thotë kjo pamje. Dhe në fund të hapësirës trapezoidale të banketit të gurtë, që mua më pëlqeu ta quaja “Banketi i zanave”; dy shtretër kashte që unë mendova se mos ishin simulime apo stilizime etnokulturore. Por jo. Ata ishin shtretërit ku Shtjefni me gruan e tij Gjysten kishin fjetur e vazhdonin të flinin deri sa koha të ftohej e të fillonin shirat e vjeshtës. Për ta kuptuar më mirë këtë, duhet të hyje në shtëpi, ku të gjitha dhomat, korridoret kthinat, anekset ishin kthyer në pavijonet e një muzeumi kaq të pasur, sa është e pamundur të përshkruhet me fjalë. Numri i objekteve të çdo pavioni është kaq i pallogaritshëm, sa po mendoja thjesht dhe vetëm për emrat e atyre sendeve dhe fjalorin e gjuhës së sotme shqipe. A ka ndonjë leksikograf që ua di emrat gjithë atyre veglave bujqësore; atyre takëmeve të gjuetisë; atyre almiseve të peshkimit; atyre enëve prej guri, druri, bakri,dheu etj., që njeriu i ka ndërtuar ndër shekuj, i ka përdorur e natyrisht edhe i ka quajtur me emrat përkatës. Ta zëmë: sheh aty një kosë, një kmesë, një kizë, një kosore, një si maj druri për të thyer plisat e tokës që fshatarët i thonë majungë, cfurqe e rrashqelë druri me forma të ndryshme dhe mjaft vegla që sot nuk u dihet funksioni; por edhe një mori veglash për të tjerrë leshin, disa lloje gërhanësh, vegje, bërdila, ilqe e shpata druri për të rrahur tezgjahun; furka të madhësive të ndryshme e boshte të zbukuruara; pastaj lahuta të llojeve të ndryshme dhe arsenale të tëra veshjesh për burra, gra e fëmijë. Po kështu lloje të ndryshme djepash e komplete të tëra armësh, duke filluar nga ato të brezit e më tej. Interesant është pavijoni i artit të fotografisë.
Shtjefën Ivezaj është pionieri i fotografisë dhe koleksioni i aparateve fotografikë nuk është më i vogël se ai i fototekës Marubi, sidomos për ekzemplarët e rrallë e të veçantë që ndodhen aty. Por është edhe biblioteka e tij e mrekullueshme, me libra të rrallë e me seri enciklopedish në gjuhë të ndryshme. Kjo është edhe si studio dhe aty Shtjefni ka vendosur edhe një arsenal të pafund simbolesh kombëtare. “Po ku flini natën dhe ku gatuani tani”, e pyeti ime shoqe. Na tregoi një shtrat në mesin e një dhome, por mbi shtrat ishte një grebenicë pjergulle dhe disa shqiloke që vinin në madhësi të ndryshme si matrioshkat ruse. Pra e kishte ndarë me objektet e muzeut edhe hapësirën e fjetjes. Por me gjithë pasionin e tij të pazakontë, fisnikëria e tij brilante bëri këtë vërejtje: “Më thoni, cila grua do të kishte pranuar të jetonte qoftë edhe dy ditë me një burrë si unë, që ia ka prishur çdo mundësi minimale komoditeti?” (vazhdon)
I hodha këto shënime si një dhuratë për ditëlindjen e këtij miku të madh të të gjithëve ne, duke i uruar jetë të gjatë e të suksesshme siç e ka pasur deri tani. Edhe 100 vite të tjera Shtjefën Ivezaj !!!

SHARE
Artikulli i mëparshëmEli – G : Ja këngët e mia pas perfundimit të ” Big Brother ” …
Artikulli tjetërZoti jem është i mirë …

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here