RRUGA SHKODER – HANI I HOTIT U NDERTUA NGA NJE I HUAJ

0
641

NGA : NDUE BACAJ

Sot shumë pak njerëzve nga Malësia e Madhe e më gjërë mund t’u shkojë në mendje se rruga nacionale që përshkon tërë gjatësinë e Malësisë (fushore), dhe e lidh me pjesën tjetër të Europës në rrugë tokësore, me emrin e njohur RRUGA SHKODËR – HANI I HOTIT ka një moshë relativisht të “re” rreth 100 vjeçare nga ndërtimi i saj. Kjo rrugë filloi të ndërtohet në aksin rrugor që është sot vetëm në ditët e fundit të nëntorit të vitit 1916 dhe përfundoi në fillim të vitit 1918 nga ushtria Austrohungareze. Përpara se të fillojmë me një histori të shkurtër të ndërtimit të kësaj rruge menduam të “sqarojmë” se Shkodra me Malësinë e Madhe lidhej me troje të tjera shqiptare, malazeze dhe për më tej Europën  me dy “Rrugë” të vjetra të kohës së perandorisë sonë Ilire , ku këto rrugë kalonin, e para në afërsi të Liqenit të Shkodrës (nën Koplikun e sotëm), Kalldrun, nëpër fshatrat e Buzës së Ujit, Kosan e në Han të Hotit, gjithashtu rruga e dytë kalonte në afërsi të Maleve dhe Kodrave të Malsisë Madhe (nëpër Grizhën e sotme) nën Koplik të Sipërm (te Pusat e Mollës) e vazhdonte rrëzë qytezës mbi dymijë-vjeçare të Marshenjit, nëpër Jeran, Goraj, Budish, Kastrat e përfundonte Rapsh. Por kjo rrugë kishte një degë në Vukpalaj që lidhej me Hanin e Hotit, dhe ky degëzim bashkohej me atë që vinte në afërsi të Liqenit të Shkodrës. Shenjat konkrete të këtyre dy rrugëve, madje edhe udhëtime primitive (me këmbë, mushq e qerre) kanë vazhduar deri vonë, rreth vitit 1966, ku për arsye të sistemimit të tokave nga Kooperativat bujqësore u punuan këto dy rrugë, (edhe pse që në vitin 1918 ishte ndërtuar rruga kryesore Shkodër – Hani i Hotit). Historia e ndërtimit të rrugës së sotme Shkodër – Hani i Hotit, siç shkruam më sipër filloi në ditët e fundit të nëndorit të vitit 1916 me një urdhër të Komandës Ushtarake të Ushtrisë Austrohungareze të instaluar në Shkodër (sigurisht urdhëri ishte marrë nga Vjena). Sipas një shkrimi interesant të ushtarakut të lartë shqiptar, Ramiz Ficorri, ish drejtor i xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes, botuar në gazeten “Shekulli” të datave 16 dhe 17 maj 2007, me titull HISTORIA E RRUGËVE SHQIPTARE, ndër të tjera lexojmë: “Në urdhërin e lëshuar sipas dekumenteve arkivore të kohës, rrugët do të ndërtohen nga forca ushtarake, robër dhe puntorë vendas me pagesë. Në këtë kohë nisën dhe u ndërtuan rrugët … në mes të tjerave (shënim N.B.) edhe rrugët Shkodër – Bushat dhe SHKODËR – HANI I HOTIT”. Ndërtimi i rrugës (Shkodër – Hani i Hotit) nga Austro-Hungarezet figuron edhe në dokumentet arkivore të asaj kohe të cilat ruhen në arkiven e Ministrisë së Mbrojtjes , të cilat i citon ushtaraku i lartë si më siper. Gjithashtu nga të parët tanë kemi trashiguar dëshmi gojore , një pjesë e të cilave të marrura edhe nga ata burra malsorë që kanë punuar në ndërtimin e rrugës nacionale Shkodër – Hani i Hotit, nën urdhërat e komandantëve ushtarakë Austro-Hungarezë, ku të gjithë ata burra që kishin punuar në hapjen e rrugës ishin paguar me një sasi parash të konsiderueshme për kohën. Është interesant se përveç punës me pagesë të dekumentuar, nga të parët tanë mësojmë se në ditë të veçanta është punuar edhe falë, pra pa pagesë, pasi kështu mendonin të parët tanë se i kontribuonin një vepre që u shërbente atyre dhe jo investuesve austrohungarezë, të cilët një ditë do të iknin, dhe rruga do të mbeste në interesë të malsorëve, shkodranëve e më gjërë. Rruga u projektua me gjersi 22 metra , duke u shpronsuar dhe dëmshperblyer pronaret e tokava nga qeveria Austruhungareze. Fillimisht u ndërtuan me kalldrëm vetëm 6 metra gjërësi në mes të 22 metëshit të kesaj rruge tashma pronë publike, ndersa në gjersinë tjeter (anash rruges) u hapen kanalet (kulluese) dhe pjesa tjeter e tokes u la per rindertimin e zgjerimin e kesaje rruge në prespektivë… Gjatësia e rrugës Shkodër – Hani i Hotit kur përfundoi u tha se ishte 35 km e 473 m e gjatë. Në gjatësinë e kësaj rruge u ndërtuan shumë vepra “arti”, ku ndër më të rëndësishmet ishin:
1. Ura e Vrakës, sot kjo urë është shkatërruar, por pranë saj është ndërtuar një tjetër.
2. Ura e Rrjollit (në fshatin Grizhë), është një ndër Urat më moderne për atë kohë. Kjo urë është rikonstruktuar në vitin 2004 , ndersa në vitin 2012 me rindertimin e superstradës është ndertuar edhe një urë tjeter alternative , ngjitur me urën e vjeter funksionale , per aresye qarkullimi…
3. Ura e Banushit (në fshatin Palvar). Kjo urë ekziston edhe sot dhe është mjaft funksionale, ku ndonjë rikonstruksion i vogël nuk i ka ndryshuar shumë nga origjinali i ndërtimit.
4. Ura e Prronit të Thatë (në afërsi të fshatit Pjetroshan), është një urë interesante për nga mënyra e ndërtimit dhe funksionit. Ndër vite ka pasur nevojë për disa rikonstruksione të vogla, të cilat nuk i kanë prishur origjinalitetin. Në vitin 2012 me ndertimin e superstradës (Shkodër – Hani i Hotit) , ngjitur me urën e vjeter është nmdertuar një urë moderne , e cila e ka nxjerrë jashtë funksionit urën e vjeter.
5. Ura e Vukpalajve, ka qenë një ndër urat më të bukura të rrugës Shkodër – Hani i Hotit. Edhe kjo urë ndër vite ka pasur nevoja për rikonstruksione , deri sa në vitin 2012 thuajse është rindertuar plotësisht me permasa më të mëdha e bashkohore. Ura “dikur” ka qenë shpallur “Monument kulture”… Me ketë “rast” sa per evidencë historike kujtojmë se deri në vitin 1912 , nga pushtuesi 450 vjeçar Turko-Osman kishim të ndertuar në të gjithë Shqipërinë vetëm 160 km rrugë , të hapura për qerre siç thuhej atëherë , ndërsa pushtuesi Austro-Hungarez vetëm për rreth tre vite ndërtoi rreth 1100 km rrugë (dhe rrugë dekovili) gjithsej, ku një ndër këto rrugë ishte edhe rruga nacionale Shkodër– Hani i Hotit…
Se si ndër vite u ‘”rrudhë” rruga Shkoder-Hani i Hotit nga 22 m gjersi në rreth 9 metra , vlenë të kujtohet se gjatë regjmit komunist u ngushtua në favor të “shtimit” të tokes së punuar (per prodhimin e bukes në vend) , ndersa sot ajo është zgjeruar por pa shkuar akoma në gjersinë 22 m. Pjesa e rruges që pershkon qytetin e Koplikut deri në vitin 2016 ka qenë 9 metra rrugë e asfaltuar , ndersa në dy anet e rrugës ka pasur nga 3 metra trotuar , gjithseit 15 m gjersi.. Pas rikonstruksionin të fundit (që ende vazhdon edhe pse si datë perfundimi kishte 7 korrikun 2017) , rruga përmes qytetit të Koplikut është ngushtuar nga 9 metra (që ishte e asfaltuar) në 6 metra rrugë pedonale e shtruar me rrasa guri (thonë të ardhura nga Berati..), ndersa gjersia tjeter po konstruktohet në (mini) vendparkimi , (mini) lulishte dhe trotuare , ndersa te kryqëzimi në mes qytetit po ndertohet një rotondo , në mesin e të ciles do të ketë një lulishte…
Duke pasur parasysh gjithë rëndësinë ekonomike, strategjike, politike e mbi të gjitha civilizuese e kulturore të rrugës nacionale Shkodër – Hani i Hotit, si arteria kryesore që lidhë në rrugë tokësore Malësinë e Madhe, Shkodrën e më gjërë me pjesën tjetër të Europës, si dhe duke e vlerësuar sot si një ndër rrugët moderne për kohën , kjo rrugë shpresojmë që në të ardhmen të fitoi dimensione të reja bashkohore duke u rindertuar si autostradë moderne…

SHARE
Artikulli i mëparshëmVasel Muçaj ; Mes dy dashurive , Amerikës dhe Shqipërisë !
Artikulli tjetër” PROVA XHENERALE E REFORMES NE DREJTESI “

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here