Rruga e Thethit , bien dakord Bashkia Shkodër dhe Banka Botërore

0
2389

Më në fund, zona turistike e Thethit do të njohë ndërhyrje nga Bashkia Shkodër. Kjo edhe falë nëj bashkëpunimi me Bankën Botërore. Ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi që ka zhvilluar një takim në Tiranë me drejtues të Bankës Botërore dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektet t infrastrukturës në zonën e Thethit dhe saktësisht mbi projektin e rrugës së Thethit, segmenti nga Qafë Thore në Theth. Diskutimi është përqendruar në termat e referencës që duhet të plotësohen për një projekt sa më të mirë për infrastrukturën jo vetëm për rrugën por për të gjithë fshatin Theth. Bashkia Shkodër ka aplikuar me 3 projekt- propozime dhe ky projekt është shpallur fitues.Nga ana tjetër, BB do të mbështesë Bashkinë e Shkodrës me asistencën teknike dhe më konkretisht, qoftë me mirëmbajtjen në vazhdimësi të kësaj rruge dhe rrugëve të tjera rurale, por edhe për projekte të zhvillimit të zonës së Thethit dhe për komunitetin e Thethit, në veçanti për menaxhimin e bujtinave, menaxhimin e territorit, zhvillimin e lehtësive për shërbime dhe të tjera aspekte që për zonën e Thethit janë prioritare. Gjatë takimit, kryetarja Ademi adresoi edhe problematika të tjera të rëndësishme për zonën e Thethit siç është furnizimi me energji elektrike të të gjithë zonës si një nevojë që pret zgjidhje me fonde nga qeveria shqiptare apo donatorë të tjerë. Energjia elektrike është një nga shërbimet kryesore të munguara për Thethin. Ndërsa shërbimi i mbledhjes, transportit për në landfill i mbetjeve, shërbimet për turistët, guidat turistike, asistencë për pjesën e ndërtimit arkitekturor të bujtinave po bëhet i mundur nga Bashkia Shkodër. Gjithashtu, Ademi kërkoi që të zgjidhet cështja e pronësisë për bujtinat dhe tokën për banorët e Thethit- problem ky akoma i pazgjidhur.Megjithëse përpjekjet e Bashkisë Shkodër vazhdojnë në këtë drejtim, çështje që lidhen me procedura të pamiratuara nga Ministria e Financave, nuk i japin mundësi Bashkisë të pajisë me dokumentacionin përkatës të pronësisë të banorëve të Thethit qoftë për bujtinat apo edhe tokat për të cilat nuk ka një ligj specifik në fuqi. Marrëveshja e kredisë në mes Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare për financimin e projektit, pritet të lidhet ne mars të këtij viti dhe ka një vlerë 6.2 milion euro.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.