Reflekse pedagogjike …

0
320

Nga : Zija Vukaj

Në këtë fillim viti të ri mësimor, që është i tridhjetegjashti kam reflektuar më shumë se asnjëherë më parë. Refleksionet e mia lidhen kryesisht me përpjekjet për të studiuar e njohur brezin e ri të nxënësve. Konkretisht, të këtyre djemve e vajzave që na kanë ardhur nga klasa e nëntë dhe janë sot viti i parë i gjimnazit. Ata janë të mrekullueshëm në aspektin antropologjik dhe në çdo aspekt tjetër të vazhdimit gjenetik të popullit tonë. Por jashtë vullnetit të tyre, janë produkt i brezave që i lindën dhe i shkollës që i edukoi. Prandaj i kundroj si subjekte dhe produkte humane të evoluimit të arsimit tonë kombëtar. Ngulem në soditje dhe në meditim; përpiqem në mënyrë të dështuar të kuptoj këtë realitet të pazakontë që më shfaqet si një enigmë e padeshifrueshme dhe prapë hiç. Mendimi im topitet dhe përpiqem të gjej ngushëllim në disa argumente. Për shembull, është zgjatur kaq shumë mosha e pensionit, sa tashmë aftësia për të lexuar realitetet e reja tek brezi im e lart është zbehur e reduktuar. Zgjatja e ciklit nga tetë në nëntë vite i shkollës ka prodhuar një shtresë faroçash që nuk i komandon kush më në klasën e nëntë. Ky kontigjent i ngjan asaj mizërisë së meshkujve të bletëve të cilët nxirren nga kosheret dhe lundrojnë në atmosferë pa produkt. Nxënësit që kanë ardhur mund të jenë ndoshta edhe nga zona “sub urbane” siç u pëlqen të shprehen disa përçmues të popullit tonë me banim në kryeqytet, por asnjë nga këto hamendje nuk u përgjigjet pyetjeve që më lindin teksa vëzhgoj. Këta të rinj të pafajshëm kanë një komunikim ku ndërfutet në çdo çast “ropt” dhe regjistri i komunikimit të tyre ndër dhjetë fjalë të paktën gjashtë i ka të pista. Një zhargon i denjë për getot dhe personazhet e Oliver Tuistit, të Dikensit. Zëri i tyre është në lartësi dhe tonalitete të tilla sa timpanët e veshëve përreth i kanë ditët e numëruara. Sot po dëgjoja një klithje a piskamë që me intensitetin e lartësisë së zërit mund të thyente edhe llambën. Të guximshëm deri në tmerr. Një djalë po i thoshte një profesori sot: “Ç’ke që bërtet? A ka vdekë kush-a?”, ndërsa mësuesi i gjorë po përpiqej ta bindte të mos përdorte një cigare elektronike, nga ato të vartësve nga nikotina. Mendoj t’i dëgjoj si lexojnë, sepse kisha dëgjuar për analfabetizëm dhe në pjesën më të madhe, gjysma nuk dinë të lexojnë. Në klasë qëndrojnë si kavalierë dhe teknika për të mos iu bindur asnjë porosie apo urdhri është në përpjesëtim të zhdrejtë me koefiçentin e injorancës. Sa më analfabet, aq më i regjur. Të gjithë kanë celularë të shtrenjtë. Të gjithë flasin në kor. Të gjithë qeshin me një rropamë lemeritëse dhe pas kësaj buçime rrahin edhe shuplakat në një rezonancë shurdhuese. Përpjekja për t’i futur në punë dështon qysh në fillim dhe interesi për informacionin është zero. Teksa u fola për llojet e teksteve letrare, i pyeta se çfarë poezish, apo vargjesh a autorësh u kujtoheshin nga klasat e mëparshme. Askujt nuk i kujtohej asgjë. Informacion nëntëvjeçar i humbur në eter. As edhe një grimcë e atyre që janë trajtuar për nëntë vjet, nga lënda e letërsisë nuk është regjistruar në asnjë memorie. Këtë fat do të kenë tani e tutje edhe informacionet dhe dërdëllitjet e mia. I mposhtur nga ky realitet kam filluar të mendoj se unë e kam keqkuptuar rolin e shkollës. Nuk jam hiç në korent. Shkolla është azil. Shkolla është strehë. Shkolla është vendstrehim, për të mos u lagur nga shiu, për të ruajtur ato krijesa të mos humbasin labirinteve të qytetit. Imagjinoni tani në këtë shkretëtirë, në këtë shurdhëri logjike, në këtë absurd, të kërkosh të bësh edhe letërsi. Por shteti funksionon në qejfin dhe lumturinë e vet. Janë shpikur regjistra të rinj dhe teknika të reja vlerësimi, që secili mësues (më i miri) vonon së paku një vit t’i mësojë e kuptojë dhe pastaj t’i plotësojë me demek duke motivuar çdo notë se për ç’arsye është vënë. Po të arrijë të plotësojë këto defterë dhe matrica të ndërlikuara, mund të vlerësohet edhe si më i zoti. Por kjo nuk mjafon. Sepse duhet të mësojë edhe terminologjinë e re, e cila është konvertuar e gjitha në gjuhë të huaj, sepse gjërat janë të njohura nga mësuesia shqiptare qysh në kohë të Papa Kristo Negovanit, pavarësisht se Papa Kristoja nuk ka thënë kompetencë, as performancë as piar, as brainstorming etj. Ndërkohë aparatet logjistike të shkencës arsimore shpikin përditë terma bombastikë dhe bëjnë petulla në ujë me ndryshime kurrikulare e qiqra të tjera në hell. Dhe refreni idiot, i krijuar prej idiotëve për idiotët: “Kujdes, mos ushtroni dhunë ndaj nxënësve”, i rri këtij realiteti si qershia mbi tortë.

SHARE
Artikulli i mëparshëmForca e Kelmendit …
Artikulli tjetërKUPA E SHQIPËRISË , VLLAZNIA FITON NDAJ KASTRIOTIT DHE KUALIFIKOHET…

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here