PRELË GRIMA NJË JETË E KALUAR ME NDERË E NDËRTUAR ME PUNË

0
160

Nga : Prele Milani 

Buzët e acarta të mordes grabitqare puthën sot rrudhat fisnike në ballin e pastër të një profesori. Në shtëpinë e tij në Lagjen’’ Vasil Shanto” u fik një jetë e moshës së tretë bash në solcsticin e dimrit. Fërshferimat e erës në harmoni me hejt e akullit dhe heshtjen e natës më të gjatë të këtij motmoti lajmëruan miqitë dhe të njohurit se kishte vdekur Prelë Grima. Në duart e njerëzve të tij më të dashur, zemreku i zemrës iu thye. Fija e jetës iu këput si kur shkermoqet një mriz shekullor e bie hordovel në lëndinë. Prelë Grima vdiq dhe askush nuk bën as medet se vdiq i ri as se la keq pas vetit, por Dukagjini sot ka humbur një nga bijtë e tij më dinjitoz të gjysmëshekullit që kapërcyem. Prelë Grima sikur të kishte qenë vetëm dashamiri dhe miku i familjes time do kishte qenë shumë i vogël por ai qe profesori, shqiptari i devotshëm, burri shembullor, beniamini i virtytit, miku, intelektual i mençur i Shkodrës dhe ndera e Dukagjinit. Prelë Grima u rrit në një kohë dergjash kombëtare, por edhe pa baba i cili e la dhe shkoi te të shumtit .U rrit atëherë kur i riu kishte nderim per prind e pleq, kur nuk ishte turp me qënë i varfër dhe gjithçka në jetë e fitoi falë zotësisë, talentit dhe mendjes së tij pjellore.Prel Grima u arsimua dhe u rrit në Shkodër në oponencë të vazhdueshme me tipat e neveritshëm të ashtuquajtur “shkodranë të vjetër” të cilët emrin e Shkodres e përmendin vetëm me përbuzë të tjerët per të vetmin mëkat që nuk kanë lindur në Shkodër. Prelë Grima që një qytetar vërtetë i kulturuar i Shkodrës, një ingranazh lidhës dhe amortizator i bindur se Shkodra dhe Dukagjini janë dy pjesë të një të tëre të pandare,nervi dhe palca e një ashti për të cilën ndihej krenar. Prelë Grima qe një djalë i dalë prej popullit qe rriti shtatin me bukë kollomoqi, pasi trashigim tjetër nuk pati përveç nderës, bujarisë e zellit për punë. Më zell ,me punë, me talent u arsimua, u edukua u bë shërues i përkushtuar i plagëve mesjetare dhe ndriçimit kulturor të brezit të ri. Çdo individ në formimin e tij kulturor dhe profesional ka vulën e kohës së vet, Prel Grima nuk mund të merret i shkëputur nga sistemi që patëm për 40 vjet të cilin është çmenduri të shumëzohet me zero dhe ta mallkosh për gjithçka. Prelë Grima ndërroi pozitë, bëri karrierë në politikë , u bë nder profesorët e parë të ILP, por Prelë Grima nuk ndërroi klasë. Pozita shoqërore e lartë për kohën e fituar vetëm me fryt pune dhe jo me konjuktura nuk ia rriti mendjen as nuk ia ndërruan sjelljen me shokë. Urtësia, modestia e tij qenë shembullore. Prele Grima ishte personifikimi më i mirë i shumë intelektualeve, kuadrove novatorë të përkushtuar me integritet qiellor në krahasim me derrat e pangopur të korrupsionit të sotëm. Prof Prela ishte njeri idealist me mendje te hapur novatore, anti konformist me maliqt e niveleve eprore të pushtetit gjithmonë me këmbë në tokë duke ditur mirë se aty ku mungon buka e mjetet e domosdoshme të jetesës thyhet ekuilibri i drejtësisë. Ata që nuk e nihnin nga afër dhe e shihnin me paragjykim e thonin si u ngrit deri në Sekertariatin e Komitetit Partisë Shkodrës ky Prelë Grima ? Dallaverexhitë dhe Dallkaukët e regjur të kulisave oriental të veshur me kostum marksist , trembeshin nga aftësia, talenti drejtues, e guximi per të thënë të vërtetën në sy . Prandaj Prel Grima u largua nga Sekretariati i Komitetit Partisë Shkodër që të mos u bënte hije Sekretarëve të Parë ndonëse asnjeri me përjashtim të Foto Çamit nuk e patën klasin kulturor dhe aftësinë e Prelës, të cilit iu gjet marifeti per degdisje si pilot i dalë nga pista. Nga ana tjetër Grima që kishte fituar epitetin “bilbili” zhgënjeu jo pak njerëz,shokë e miq pasi nga ai prisnin të përparonte më lart drejt majave të karrierës politike. Prela nuk e kishte sfondin e duhur të bënte karrjerë të madhe, nga qe nuk ishte demagog, nuk ishte servil i bindur, kishte profil më të lartë se sa persona që adhuroheshin nga kupola më elartë e Partisë Shtet. Prelë Grima, Mark Ndou, Prekë Sokoli, Ndue Marashi etj e kishin të parapërcaktuar dronin që do vozisnin, por përtej thanës nuk mund të kalonin. Ata vinin nga një minoritet i padëshiruar që kurrsesi nuk mund të bëheshin çoban i një tufe më të madhe jashtë asaj të tyre. Kur isha student dhe bënim praktikat mësimore në 1986 Prof. Menduh Derguti metodisti më i mirë që kam njohur një grupi që ishte planifikuar të bënte praktikën në Gjimnazin Oso Kuka iu tha:- Jeni me fat që do shihni duke dhënë mësim Prof Prele Grimën një historian shumë i mirë që ka qënë Pedagog në ILP vite më parë. Largimi nga ILP ka qënë drama më e rendë në karrierën profesionale të Prelë Grimës i cili për shkaqe politike nuk u lejua të kthehej më atje. Këto 27 vitet në postkomunizëm Prele Grima asnjëherë nuk bëri të persekutuarin, as disidentin , ndonëse kishte qënë shumëherë më i pakënaqur edhe i goditur nga të ashtuquajturit heronj pas mejdani . Prelë Grima nuk ndërroi flamur, as nuk ra në batakun e tamburxhinjëve që u ka mbetur ora në vitet 70-të. Prelë Grima qe jo vetëm nga intelektualët më dallueshëm të kohës së tij, pionier arsimi e kulture në malet tona dhe Shkodrën tonë. Dukagjini sot ka humbur një mësues dhe edukator të shkëlqyer. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe shkencore është një kurorë me gjethe lari të freskëta në ballin e shkollës 100 vjeçare të Dukagjinit.Prelë Grima është një jetë e kaluar me nderë e ndërtuar me punë. Trupi yt ka me hy nën dhe, ndërsa shpirti yt do fluturojë në amshim,emri yt ka hyrë e do jetë i pranishëm në antologjinë e Dukagjinit .

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here