Pjeter Vukaj : “Kur theret një kafshë , e ruaj lëkurën që është e përshtatshme “.

0
1413

Malësorja, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet që mëkojnë Mujin janë figurat e femrave që kanë frymëzuar Pjetër Vukajn në 70 punët e gdhendura në dru dhe lëkurë. Vukaj tregon për teknikën e realizimit dhe gjuhën që i flet natyra Trupat e lakuriqtë vajzërorë me gjinj të rrumbullt dhe kofshë të kolme të gdhendura në lëkurë dhie, janë të parat që bien në sy në “Bioartin Unik” të Pjetër Vukajt.

Ndër 70 punimet e gdhendura në dru dhe lëkurë që ekspozohen deri më 10 korrik në Muzeun Historik Kombëtar, gjen gruan nga Kelmendi të veshur me xhubletë, malësoren me bucelë në krah, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet që mëkojnë Mujin, gra shtatzëna me gjinj të fryrë. Të shenjtën dhe djallin bashkë.Vukaj ka punuar gjatë për portretet e tyre. Gdhend më fort lëkurën e dhisë aty kur do të japë vështrimin e thellë dhe bind qimet e kreshpëruara për t’u dhënë tipareve format që ai do.Ka portrete ku hunda mund të jetë gdhendur në formën e grushtit të mbledhur, qepallat në formën e duarve dhe buzët në formën e grishtërinjve. “Më pëlqen figura e femrës, brishtësia dhe bukuria e saj e veçantë” shpjegon artisti ndjeshmërinë që i falin hiret e gruas dhe natyra e saj.Në dy skulptura druri e shohim kur ajo sjell në jetë fëmijën. Gruaja duke lindur dhe pas lindjes shihet në dy skulptura prej druri, ku mitra është në formën e një zgavre peme dhe gjinjtë duken si dy foshnja të vogla. Për Pjetrin kjo simbolikë i përgjigjet vetëmohimit.Për vashat me gjinj të hedhur që rrijnë në hijen e pemëve, 44-vjeçari me origjinë nga Kelmendi, thotë që “ato presin…” dhe fytyra i qeshet. Tani nuk e ka më qëndrimin hijerëndë në fillim të takimit.I çliruar na thotë që malësoret e tij, janë edhe fisnike, por edhe të dashura. “Shihe si e lejon atë malësorin t’ja shkojë dorën rreth belit”, thotë ai dhe hedh vështrimin tek skulptura e çiftit të malësorëve, ku burri gjunjëzohet për të njomur pak buzët në bucelën që malësorja ka mbi supe dhe mbahet në belin e saj.Me teknikën e gdhendjes në lëkurë Pjetër Vukaj është marrë vetëm tri vitet e fundit. Ajo i kërkon përqendrim dhe durim.”Kur theret një kafshë , e ruaj lëkurën që është e përshtatshme “.Fillimisht ajo regjet, pastaj thahet. Pastaj kryhen tri procese: qethja, rruajtja e pjesshme dhe gërvishtja e smaltit të lëkurës për t’i dhënë dritëhije. Është një punë që më shumë ta kufizon se sa të jep lirinë. Nuk mund të biesh në kompromis me lëkurën sepse ajo rebelohet. Është një teknikë shumë e vështirë”, e përshkruan hap pas hapi ai këtë mjeshtëri.Ka edhe të tjera hile ky zanat. Figurat e kreshnikëve, e luftëtarëve si Adem Jashari, duken më madhështore, me tipare të egra, të dendura dhe të zeza pis. Ndryshe ndodh me Skënderbeun, me mjekër të thinjur dhe çehrezbehtë.”Nuk ishte smalti i duhur për ta realizuar”, thotë Vukaj dhe më tej shpjegon se është punuar mbi lëkurën e një dhie të vjetër.Teknikën e drurit e njeh në majë të gishtave. Ka njëzet vjet që punon me të. E zgjedh drurin e arrës, pishës, panjës, në vendin e origjinës, në pyjet e Kelmendit. Ka ditë, që natyra tregohet zemërgjerë me të. Atëherë kur veprat e artit i dalin para syve kacavjerrë në trungjet e pemëve, në zgavra, në degë dhe mjafton të zgjasë dorën t’i arrijë. Por vetëm një sy i stërvitur, si ai i Vukajt e sheh atë.Në ekspozitë shohim një kalë dhe një qen prej druri. Kalin e ka gjetur në gardhin e një të afërmi, kurse qenin nën zgavrën e një peme.”Të dy i ka skalitur natyra”, tregon për autoren e kësaj vepre, artisti, që vetëm i ka pastruar ato. Një tjetër gjurmë ku natyra duket se i ka hapur shpirtin është figura e një burri që kërkon që ndëshkojë fëmijët e tij, dhe nëna që i mbron duke i shtrënguar në gji ata. Edhe këtë formë e ka sjellë të paprekur nga pyjet e Kelmendit.Në të tjera vepra bëhet heqja e lëkurës, një gdhendje e lehtë dhe lyerja me pak llak sa “për të theksuar damarët e drurit dhe për të mos lejuar lëkurën të shkëputet nga druri”. Punimet e drurit duket sikur më shumë “flasin” për jetën malësore. Gratë që mbushin ujë në guva, që vallëzojnë, dëfrehen, dashurojnë, kujdesen për fëmijët. Më të veçantat, gdhendje në dru duken Legjenda e Rozafës, Cirku i Oktapodit, Lojë popullore dhe Figura e Nënë Terezës një portret realist dhe i saktë i murgeshës.Më tepër kohë dhe energji i ka kërkuar Pjetrit lahuta mbi 2 m. “Ka dashur 6 muaj punë dhe është bërë me dru arre. Kërkon shumë kujdes sepse është komplet trungu, pa ngjitje dhe të mbetet në dorë, thyhet, nëse nuk ke kujdes.”E vetmja gjë që Pjetër Vukaj kërkuan të ruajë në punën e tij është liria. Mjafton një daltë, një brisk, pak xham, letër smeril. Ai është shpirt i lirë që njeh për padron natyrën. Tjetër kënd nuk lejon t’i ndërhyjë në punën e tij.Tani askush nuk mund t’i vërë pragje. Jo si dikur, para viteve ’90, kur nuk mundej të bënte atë që donte dhe merrej me punët e rëndomta të fshatit. “Arti bëhej vetëm në qytetet e mëdha”, shton ai duke u munduar ta përmbajë pengun e së kaluarës.Për herë të parë ekspozoi në vitin 1993 në Muzeun Historik Kombëtar disa relieve në dërrasë. Një vit më vonë mori pjesë në një ekspozitë kolektive në L’Aquila, Itali, ku u prezantua me punime në dru, ndërmjet tyre dhe me legjendën e Rozafës. Ka hapur ekspozita në Plav dhe Guci dhe në 2003-2004 në Shkodër.

Shkodra është qyteti i duhur për të jetuar , një vend ku ai është pranë natyrës së paprekur , ku ka njerëz që e duan artin , ka miq artistë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.