PËR VERMOSHIN

0
114

NGA : Jani Malo 

Teksa zbret nëpër rrugën që zgjatet teposhtë, si një bollë pakrye, gjigande dhe e frikshme, i rrethuar nga male gjithë mister, të padepertueshëm, të duket se hyre në legjendë. Janë Leqet e Hotit! Këtu natyra është e mbushur me gracka bukurie dhe i pari që bie në lakun e tyre është hutimi yt.
Mos u tremb! Më vesh të pëshpëritë Cemi. Pastaj të del përkrahë, me zhdërvjelltësinë dhe hiret e një djaloshi. Herë shfaqet e herë fshihet prapa kanionesh mahnitës. Të shoqëron, të flet dhe je me fat se, gjatë rrugëtimit tënd, do të kesh për ciceron një lumë.
Por diku Cemi të del nga sytë dhe fjalosja me të ka mbaruar. Zgjat dorën dhe epërshëndet, natyrshëm, si një njeri. Falë rrugës së re, largësia me Vermoshin, skajin fundor të Malësisë së Kelmendit, është shkurtuar ndjeshëm. Është vetëm një vrap pele.
Vendasit e quajnë fshatin e tyre koka e Shqipërisë. Shpesh legjendat e kanë veshur këtë vend me një vello misteri. Ki pak më tepër durim, si me vellon e nuses, dhe bukuria del sheshit. Hijeshi të tjera ta mësyjnë vështrimin dhe asnjë figurë poetike, sado e guximshme, e thënë për natyrën e Kelmendit, nuk është e tepërt. Peizazhi këtu është si punët e gjenive të artit, ka elemente përjetësie . Kurrë Vermoshi nuk ka qenë më i populluar se këtë verë. Asfaltimi i rrugës nuk shkurton vetëm largësinë, por përshpejton afrimin me të renë, me bashkëkohoren. Së paku, kështu duhet kuptuar. Turistët, eksploruesit e kuriozitetit, e kanë mësyrë Kelmendin si një hordhi pushtuese dhe duket i kanë gjetur vendasit të papërgatitur. Nuk është çudi që, në ditë të veçanta, numri i vizitorëve ta kalojë numrin e vendasve, sepse kelmendasit kanë marrë udhët e kurbetit, pjesën më të madhe të tyre i gjen në Amerikë. Prandaj, edhe pse kapacitetet pritëse janë të pafundme, burimet njerëzore janë të kufizuara. 
Këtu të duket se edhe shteti edhe njerëzit i kanë hyrë në hak natyrës, aq sa e ke të vështirë të kuptosh ku fillon neglizhenca e njerit dhe ku mbaron indiferenca e tjetrit.
Qendra e fshatit me godinat pa jetë, i ngjan një muzeu të vdekur, si vetë koha kur atje gjallonte kooperativa socialiste.
Në fshat, vendas e mysafirë, duket se do fillojnë edhe një herë me “majën e krahut” sepse askund nuk arrijnë valët e asnjerës prej kompanive celulare dhe aparatet telefonikë shërbejnë vetëm për të fotografuar natyrën apo veten.
As lumi, që gjarpëron përmes fshatit, nuk mbetet prapa sivllazënve të tij shqiptarë. Mbeturinat e shumta të shpërndara andej këtej brigjeve, ngjajnë si hudhra ciklopike të varura enkas për të mos i marrë mësysh bukuritë e zonës.
Aty këtu, në ndonjë nga bujtinat mikpritëse, e sheh të zotin e shtëpisë, burrë në moshë e burrë zakoni të merret edhe me punë grash. Nuk arrin të ndash nëse kjo ndodh se kanë ardhur kohë të reja dhe është “zbutur” burrnia e malësorit, apo grykësia komerciale i ka hyrë në pjesë dhunshëm zakoneve të malësisë.
Por, mbase më shumë se gjithçka, është dita për t’i dalë zot vendit. Është koha kur, për të përballuar turizmin që shtohet paprerë, të jepet kushtrim. Se turisti nuk është zaptuesi i rradhës, por një pushtues i dëshirueshëm, sa fin aq edhe nazeli, që nuk vjen me “t’varfnua” por me “t’pasurua”. Dhe ky kushtrim duhet dhënë sa më shpejt. Se ndryshe edhe turizmi do mbetet një kujtim dhe, në ndonjë nga historitë e shumta që kanë zakon të tregojnë malësorët e këtyre anëve, do të thuhet: “U dha kushtrimi se mësyni turisti, por nuk e ndigjoi kush!”
Është ky një trishtim, të cilin edhe mund ta lija të heshtur. Por nuk dua që për Vermoshin të vlejë akoma ajo thënia e shkrimtarit të njohur anglez, Samuel Johnson: E vlen ta shohësh, por nuk vlen të shkosh gjer atje për ta parë.
Gjithsesi, në mbyllje duhet kujtuar vetëm një gjë: Kush shkon në Vermosh nuk e ban ditën dam.

31 korrik 2017

SHARE
Artikulli i mëparshëmFISI I ANES SE MALIT
Artikulli tjetërMbresa , pjesa II -të

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here