PENA SHQIPTARE E FTUAR SHKRIMTARJA : FATBARDHA ALIMETA

0
1386

                                     BETA

Ditët kalonin. Ngjarjet pasonin njëra – tjetrën. Qyteti mbushej çdo ditë me njerëz që vinin nga zonat malore. Ky ndryshin i papritur kishte një pasojë negative për njerëzit e mbetur në këtë qytet të vogël. Oh, sa e vështirë që ishte të bashkëjetosh me këta njerëz të sapo ardhur që të duhej t’i mësoje për gjithçka. Lagjet zhurmojnë nga zërat e shumtë të fëmijëve. Oborret të krijojnë një gjendje të sikletshme kur i shikon të mbushuara me lloj- lloj mbeturinash. Tani çdo gjë e ka humbur atë rregullin e dikurshëm. Dikush thërret me zë të lartë pa pyetur nëse bezdis të tjerët apo jo. Jo vetëm kaq, por më skandalozja është kutërbimi i pusetave të ujërave të zeza. Era e tyre të vjen deri brenda në shtëpi.
E teksa rrinte në ballkon mendonte se e gjithë kjo rrëmujë donte kohë të rregullohej. Por nuk ke se ç’t’i bësh! I vetëm nuk mund të ndreqësh dot asgjë. E duke jetuar në këtë gjendje shumë pak mbetet për të shijuar apo ndjerë bukurinë e gjërave.
Beta ishte një grua artiste, e cila e kalonte kohën me pikturat e saj. Ajo futej në atë dhomën e vogël e nuk kishte kohë të mendonte për asgjë, por shija prej artisteje ja vriste syrin. Qyteti ishte i vogël, por i ndërtuar me një urbanistikë të rregullt. Ai i përshtatej harkut unazor përgjatë lumit, që shtrihej rrëzë kodrave përreth.
Shpesh herë Beta merrte telajot dhe pikturonte gjatë ditës bregun e lumit, i cili kur binin shirat tërbohej. Gjatë stinës së nxehtë ai u shërbente banorëve të qytetit si vend çlodhje. Beta e donte shumë qytetin e saj. Që e vogël ishte ushqyer me dashurinë për vendlindjen. Ajo u rrit bregut të lumit dhe shpesh kur kishte mall për kohën e fëmijërisë e kalonte atje tërë ditën. Por fëmijëria tanimë kishte ikur përgjithmonë. Beta tani ka përpara gjithë jetën e saj, ëndrrat për të ardhmen.
Mori sendet e saj për të shkuar në punë, të cilën e vlerësonte shumë. Ajo ishte mësuese në tetëvjeçaren e qytetit. Puna me nxënësit e gëzonte pa masë. Ajo mundohej t’u jepte atyre maksimunin e çdo gjëje në drejtim të mësimit, por dhe në jetën e mënyrën e sjelljes së tyre. Ajo zotëronte një aftësi komunikuese, e cila e bënte të dallohej nga kolegët e saj. Me nxënësit kishte krijuar marrëdhënie të ngrohta e mezi priste të shkonte në punë. Klasa që ishte nën kujdestarinë e saj dallonte nga të tjerat në të gjithë shkollën. Ajo kishte punuar dhe investuar për të krijuar bazën materiale në klasën e saj, por në shkollë kishte mjaft gjëra mangut.
Paraqitja e jashtëme e saj të bënte ta shihje me frikë, se nga çasti në çast të dukej sikur do të shkëputej një copë mur e do të zinte brenda.
Beta kishte debatuar shumë herë për këtë problem, por fjalët e saj kishin shkuar në vesh të shurdhër. Ajo përpiqej të jepte mendimin e saj në çdo drejtim të problemeve që ndodhnin. Nuk mund të qëndronte indiferente përballë nevojave si disa drejtuesa që kishin zënë nga një karrige e s’bënin asgjë për qytetin, por vetëm sa e ngrohnin atë. Natyra e ndjeshme e bënte Betën të mos ndjehej rehat. Problemet shtoheshin dhe ata të punës e kishin bërë të ishte mjaft aktive dhe të binte në sy të të tjerëve. Në një shoqëri ku mbizotërojnë burrat, gratë si Beta janë objekt goditës.
Qyteti kishte një qetësi ku të jepte përshtypjen e një prehje, por brenda hapte varre për çdo kënd që ishte objektiv. Edhe pse demokracia kishte marrë pak frymë prapë shenjat e moralit komunist kishin lënë gjurmë. Mendimi ndryshe është ende i papranueshëm. Njerëzit duan të mendojnë në mëmyrë kolektive dhe s’janë të lirë veçse në llomotitjet e kota të tyre në ditët e bukura të verës, ku shëtitorja është kthyer në një sfiladë mode. E teksa shikon këtë parakalim të tyre të krijohet përshtypja se këtu çdo gjë është normale. Por më shumë se dy orë nuk zgjat ky shkëlqim, pasi mëngjesi agon e këto princesha që shkëlqenin nën dritën e prozhektorëve të natës vuajnë papunësinë, shtypjen e dhunën abuzive të të tjerëve.
Beta ende s’ka vendosur të zgjedhi fatin e saj për tërë jetën. Ajo është e pavendosur e ndoshta në këtë çast s’ka menduar për këtë gjë. Ka një mungesë lirije të grave dhe me problemet që dëgjon është pak e hutuar në këtë drejtim. O Zot, ndoshta ajo kur dëgjonte historitë e tyre për keqtrajtim prej bashkëshortëve, të afërmëve, i dukej shumë i largët qëllimi.
Beta mendonte se si t’i ndihmonte, të paktën t’u jepte një kurajo të vogël pak nga bukuria e shpirtit të saj. Ajo takohej vazhdimisht me to e u jepte kurajo për të mos iu nënshtruar dhunës dhe të njohin të drejtat e tyre. Nuk duhet të përulen kur dikush i dhunon me pa të drejtë. Nëse s’do të kundërshtonin ato, burrat e tyre nuk do të ndryshonin rrugë nga e keqja.
“Pse gjithë ky abuzim?” mendonte Beta. Ajo e ndjente këtë kudo, sidomos në ato raste ku ishin drejtues meshkuj dhe asaj i duhej të ngrinte zërin për probleme të ndryshme. Fryma e maskilizmit është përdorur si prirje në këtë qytet të vogël ku papunësia dhe hipokrizia e kishte bërë t’i duket edhe më keq. Të paktë janë ata që duan të bëjnë përpjekje për të bërë progres e nuk gjejnë hapsirën e mundshme.
Me këto shqetësime Beta tashmë ishte mësuar. Puna e saj si piktore bënte që të largonte mendjen, ndërkohë ajo e kalonte qytetin e saj nga bukuria e peizazhit që të kënaqte. Aty nuk shfaqej as papunësia as hallet e tjera të tij. Çdo gjë shkëlqen nga ngjyrat. Ashtu e do ajo qytetin e saj, të bukur si në një tabllo të realizuar artistikisht.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.