Pas betimit të Metes reagon shkrimtari shkodran : Janë zbehur institucionet apo njerëzit që i përfaqësojnë ato ?

0
577

Nga : Zija Vukaj

A mund të ndodhë që një ditë, një post, i cili është krijuar nga eksperienca, gjenialiteti njerëzor dhe nevoja deri në domosdoshmëri për të pasur njerëzimi ca stacione të pashkelshme, të padhunueshme, në formë tempujsh njerëzorë apo socialë, për të shenjtëruar ekzistencën e vet, për të lartësuar kuptimin e qenies njerëzore, të çmistifikohet, të desakralizohet, të mediokrizohet e të rrafshohet deri në nivelin e mosqenies?

Postet e larta janë bërë për të përfaqësuar entitete të rëndësishme. Një i tillë është kombi, qoftë ky etnik apo civil dhe një post për ta përfaqësuar është presidenti, i cili ka një rëndësi shumë të madhe simbolike, është pothuajse një heraldikë e gjallë, që është destinuar t’u ngjallë respekt maksimal, në fillim bashkëkombasve të vet e pastaj gjithë pjesës tjetër të botës që duan të bien në kontakt njohjeje me kombin që ai përfaqëson. Në këtë kuptim, kjo figurë duhet të jetë përherë e mbështjellë me një aureolë të shenjtë, gati mistike që të shkaktojë komplekse emocionesh pozitive, zgjim ndjenjash kombëtare dhe respekt të lartë e të padiskutueshëm human. Sepse ky është dhe duhet të jetë edhe kuptimi i qenies së tij. Në përgjithësi njerëzit mendojnë për politikën, sado të hiqen si indiferentë. Politika është veprimtaria, më e lartë dhe e rëndësishme, sepse merret me zgjidhje problemesh madhore, që kanë të bëjnë me fatet e miliona njerëzve. Në mos qoftë e rëndësishme, nuk është faji i saj, por i individëve që merren me të. Prandaj pritshmëria e njerëzve është e natyrshme. Dhe prandaj njerëzit, që magjepsen nga një top futbolli, duhet të kenë kureshtje, pritshmëri dhe emocion edhe për zgjedhjen e kryetarit të familjes së madhe që quhet shtet a komb (etnik apo civil). Dhe kjo fillon qysh te lakimi që i bëhet emrit të individit të ardhshëm që do të bëhet president. Pastaj te ceremonia e betimit dhe tek të gjitha detajet e protokollit të vendosjes së tij.

Por a ka ndodhur tek shqiptarët kjo kureshtje? A e kanë ndjekur të gjithë me vëmendje ceremoninë e zgjedhjes së presidentit? A kanë qenë të emocionua? A ka lëvizur në ndërgjegjet e individëve shqiptarë ndonjë çikë adrenaline kombëtare? Me sa duket, mjerisht jo. Shumica nuk e kanë ndjekur. Ata që e kanë ndjekur nuk besoj se kanë përjetuar ndonjë gjendje emocionale që lidhet me ndjenjat patriotike. Pse të ketë ndodhur vallë kjo punë? Mos është zbehur institucioni? Apo mos vallë pritshmëria nuk përputhet me përfytyrimin që shqiptarët kanë për atin e shtetit të tyre? Si duhet të jetë ky individ? E kanë njohur shqiptarët njeriun që pritej të bëhej president? Kanë (kishin) dëgjuar për të? Ia dinin bëmat? Kishin ndërtuar raporte me këtë individ? E përfaqëson simbolikën e unitetit kombëtar? Është statura e përkryer e individit të pakorruptueshëm, me një të kaluar të ndritur politike dhe integritet human e kulturor të spikatur? Apo mos ndoshta politikanët e Shqipërisë (krerët e ekzekutivit), kryeministrat me egon e tyre të përbindshme proverbiale, nuk kanë njohur kurrë pushtet tjetër përveç pushtetit të tyre dhe e kanë katandisur postin dhe pozicionin e presidentit në diçka më pak se honorifike, në një post butaforik që i jepet dikujt, o për ta nxjerrë nga politika, o për t’i mbyllur gojën, o për të ndrequr ca kusure hesapesh të dinamikës së përditshme të zhvillimeve.

SHARE
Artikulli i mëparshëmTREGIM – ÇEZARE PAVEZE : EREMITI
Artikulli tjetërVIZITE NE SHTETIN E VOGEL…

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here