Motosharra (Mbresa)

0
128

NGA : ZIJA VUKAJ 

Kur bëja bilancin e të këqijave dhe të mirave dhe i vendosja në peshoren e jetës sime prej Robinsoni, robinsonada ime ndriçonte nga një rrethanë e bekuar. Nga fakti se në atë humbëtirë ku më kishin emëruar mësues dhe në atë karakatinë që shërbente edhe si shkollë, por edhe si vend ku flinim dhe jetonim të gjitha ditët e javës, ishte edhe një kthinë e mbushur plot me libra, pra biblioteka e shkollës. Është lehtë të gjykosh sot për përbërjen e librave të asaj biblioteke, siç është e pamundur të merret me mend fati i madh që ata libra ekzistonin pikërisht aty, në atë vend të humbur e të shkretë, larg çdo gjurme qytetërimi, larg çdo ëndrre për jetë normale, larg çdo koncepti apo objekti urbanizues, brenda një lugine alpine në formën e një djepi të çrregullt e të stërzgjatur ku ishte ngritur e gjallonte që prej kohëve prehistorike ai fshat me ata banorë të vuajtur, të çiltër, fisnikë, xhenuinë deri në pafajësi, që besonin me seriozitet foshnjarak në zana e shtojzovalle. E pra libri në vetvete ishte dhjetë herë më i vlefshëm aty, në ato kushte, se sa në çfarëdo qyteti. Aty merrte shumë funksione. Përveç funksionit njohës, informues e formues, merrte një funksion të jashtëzakonshëm argëtues, zbavitës, rekreativ. Të mbushte jetën. Përmes faqeve të librit bëja udhëtime imagjinare në ambiente të ndryshme. Fantazia ndizej dhe pegasi nuk e ndalte turrin. Por edhe meditimi në ato kushte ishte edhe më i pastër, i qetë, i përkëdhelur nga oshëtimat e gurrave në shpatet e malit, nga zhurmat e erës apo vija e lakuar e horizontit të maleve. Një mendim, përsiatje, ide, personazh, ngjarje apo ndjenjë kishte kohë të bluhej e të tretej mirë në mjediset e asaj natyre të virgjër e të asaj vetmie të shkëlqyer medituese. Po çfarë librash kishte aty? Natyrisht që kishte libra me parti e ideologji, me vepra të diktatorit e raporte a fjalime politike. Por kjo nuk ishte e gjitha. Aty kishte pjesën më të rëndësishme të letërsisë botërore e shqiptare. Ishte “Iliada”, “Odiseja”, “Eneida”, pjesë nga “Metamorfozat”, “Epigrame” të Juvenelit e të Marcialit, përkthyer nga Henrik Lacaj, “Don Kishoti”, komeditë e Molierit, vepra të Viktor Hygoit, Bajronit, Pushkinit, Dikensit, Balzakut, Anatol Fransit, Emil Zolasë, Gorkit, Tolstoit, “Tregime të shekullit XX”; pastaj autorë si Xhonatan Suift, Xhozef Konrad, Sharl Snou, Antuan dë Sent Ekzyperi, Maks fon der Gryn etj., etj, Libra filozofie kishte vetëm “Anti Dyringu”, Zotin Fogt”, “18 brymeri i Lui Bonapartit”, “Familja e shenjtë ose Kritika e kritikës kritike”, “Socializmi dhe empiriokriticizmi, “Mjerimi i filozofisë“ etj., etj. Kishte pastaj edhe libra për foragjeret, për jonxhën, për kulloshtrën, për perimet etj. Këto që përmenda janë në fakt një e pesta e fondit të asaj biblioteke, që ishte njëlloj si të gjitha bibliotekat e tjera të çdo shkolle, sado modeste dhe në gjendje të mjerueshme. Dhe ky më dukej paradoks i madh atëherë edhe sot. Nuk kam ditur kurrë ta shpjegoj atë prezencë të librit në kushte ekonomike tepët të mjerueshme. Dhe mbaj mend kur unë kisha zbritur pak më poshtë, në një fshat nja 50 km më afër qytetit, nga ku mund të kthehesha përnatë në shtëpi, pasditeve vonë. Ishte koha kur po frynin erërat e demokracisë. Edhe në atë shkollë kisha në ngarkim bibliotekën. Ishte edhe më e pasur. Por populli nisi të rebelohej me gjithçka dhe në rebelim e sipër gjithë inatin fillestar e shfreu me librat, të cilët pasi u morën nga raftet e bibliotekës u nxorën në fushën e topit dhe nëpër rrugët e fshatit. Por të kthehemi tek biblioteka që përmenda në fillim. Bekuar qoftë. çdo libër e kisha lexuar. Kishte nga ata që i kisha lexuar edhe nga tri herë. S’kisha ç’të eksploroja më. Shikoj librin “Foragjeret”. Nisa ta lexoja. Nuk munda. Iu ktheva “Kulloshtrës”. Lexova diçka, nisi të më pëlqente deri sa ndesha disa matrica që tregonin përqindjen e yndyrës së qumështit. E lashë. Shoh një libër tjetër me një titull shumë prozaik, “Motosharra”. Kaq prozaik, sa ishte i vetmi që nuk kisha guxuar ta prekja. E mora. Autori quhej Nils Parling. Ishte Suedez. Nisa ta lexoja. Një mrekulli. Një prozë poetike e shkëlqyer. Një lirizëm i hollë. Një histori njerëzore e ngritur mbi kultin e miqësisë dhe të sakrificës. Një trajtim elegant me doza misticizmi. U mahnita dhe ua sugjerova edhe të tjerëve. E lexuam të gjithë dhe po diskutonim për vlerat e tij. Unë mburresha duke thënë se po të mos isha unë në kushtet e vetmisë së maleve dhe të depresionit të Robinsonit ky libër nuk do të ishte lexuar kurrë, me atë titull që kishte.

SHARE
Artikulli i mëparshëmDUHET NJË “ZEMËR NUDO”
Artikulli tjetërSKENDER TAFAJ , AKTOR I PERMASAVE KOMBTARE

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here