LAJ E RRUAJ TË VDEKURIT

0
119

SKENDER TEMALI

-Tregim satirik-

Qazimi është i papunë ç’prej tri javësh. Fabrika e këpucëve ku punoi disa vite roje tek porta hyrëse, falimentoi, pronari ia mbathi pa u dhënë as rrogën e muajit. Kuptohet është në zgrip të jetës. S’ka shkollë as zanat. S’ka as moshë për njërën e tjetrën. E, xhepbosh s’e don as gruaja. “Qyq ke qenë e qyq ke mbetë”, i thotë sa kalon prakun e shtëpisë. Fryhet si pavodë edhe pse s’asht pavodë. Se i ka ardhë dita me e vue të shoqin poshtë. Asaj fshesën nga dora si pastruese shkolle s’ka ministër me ia heqë! As rrogën e as siguracionin.
Ia dorëzonte Qazos rrogën deri në qindarkën e fundit, kurse tash? Epo tash është zonjë shtëpie! I jep një kacidhe sa për një kafe dhe e ushtë që të gjeje punë e të dalë përditë tek Omonia e qytetit të tyre.
Po punë s’ka kërkund. Edhe kush kërkon me punësue e ka vu kufirin te thana: deri në 40 vjeç! Po ai sapo ka kaluar të 60-tat.
Mendon e ç’ka s’mendon, aq sa ia ka zili edhe kushëririt që vdiq para nji jave. Më mirë i vdekur nën dhé si ai, se sa i vdekur mbi dhé!
Trupi i kushëririt të ndjerë i vinte parasysh ashtu skelet i gjallë: Gjoksi si tastë e çakordueme fizarmonike, këmbët si dy steka bilardoje të përdorura, fytyra bash si ato që vihen nepër kabina elektrike.
Ka net që fantazma e kushëririt i shfaqet sa ulë kryet tek jasteku. Mbase bëri gabim që e pranoi propozimin e dy vëllezërve të të ndjerit që e kishin shtri në një sustë teke në banjon e shtëpisë, në pritje për ta larë, sipas ritit që edhe fizikisht të shkonte i pastër para Zotit. Ai shkoi për ngushëllim dhe aty u përball me shqetësimin e familjarëve. Saluk Shpalca, që mirrej nga shumëkush për të larë të vdekurit, pat pësue aksident e ndodhej i shtruar në spital, një tjetër që vinte pas tij e që thirrej kur kish disa vdekje në qytet, i kish dalë lotoria amerikane e ia kish mbathë përtej oqeanit.
-Si thua, zotni Qazo?
I sheh dy vëllezërit e të ndjerit, se mos po tallen, pasi njëri prej tyre njihej se bënte hoka, madje edhe në raste vdekjesh, pasi kur u pat vdekë më plaku i fisit në një ditë dimri me dëborë, pat thënë se “ku çohet e vdes ky në këtë hata bore”. Por jo, serioziteti lexohej qartë në sytë e dy vëllezërve si dhe kërkesa që ai ta lante të vdekurin.
-Po unë…
S’e lënë të thoshte se s’kishte zemër, as se nuk ia kish haberin asaj pune, po i ofruan gjithçka duhej me e krye si duhet atë rit.
Duke ia dijtë edhe takatin e xhepit, si e lau të ndjerin, i futën një skenderbeg në xhep, të cilën s’kish pse ia tregonte pavodës së tij.
Ngaqë çdo i papunë i ka pa pare kujtimet, edhe këtë që bëri e sjell ndërmend edhe ditën e mbase, tue veprue kështu, ato i shndrrohen në fantazma skeletore natën.
I shkrepë një mendim…Po sikur?…Po sikur?…Të hapë fjalë se lanë të vdekurit? Kriza e larsave mund t’i jepte një zanat arit. Edhe pse e shoqja e ulte dhe e çonte qyq, kishte raste që dilte në breg kur s’e mendoje.
Përtej rrugës është një kancaleri. E msyn. Një vajzë përballë ekranit të një kompjuteri. Taman ajo që kërkon ai. I thotë t’i rreshtojë sa letra e të vdekurve një lajmërim me këto fjalë: “LAJ TË VDEKUR, nr. i telefonit 0695555007. Mund të kontaktoni në çdo kohë. Edhe në mesnatë.” Më shtyp sa të mundesh, i thotë. Po jo, jo sa të mundesh, po sa kam me vehte dhe nxjerr monedhën e kafes së papirë atë ditë.
Vajzukja tue qeshë i jep pa pare një ngjitës dhe ai pa një pa dy i vë tek lajmërimet e vdekjeve. Ulet në një stol pranë e vëzhgon. Njerëzit e lexojnë, qeshen e largohen. Ka ndonjë të moshës së tretë që e merr numurin e celularit në shënim. Ndonjë që lshon ndonjë batutë, mes të cilave i mbeti në mend njëra “Këtë e paska rrue Perja”. Ah, tha, si nuk e vura edhe “Laj e rruaj të vdekurit”.
A i ra telefoni? Pas nja dy ditësh.
A doli prej skamit?
Doli aq sa:
1.Pas një viti hodhi themelet e një shtëpie;
2.Ia mësoi zanatin pavodës së tij për me la gratë;
3.Mendoi me hapë një kurs për larjen e rruarjen e të vdekurve, por shpejt hoqi dorë se do shtohej konkurenca e mund t’i mbetej pa ia hedhur çatinë shtëpisë së re!!!!

SHARE
Artikulli i mëparshëm” PROVA XHENERALE E REFORMES NE DREJTESI “
Artikulli tjetër4 SKICA NGA : BONA MULAJ LLUKA

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here