Kur dielli fshihet

0
1010

Rruga sa vinte dhe shkurtohej. Hapat e saj ndaluan dhe ajo vështronte nga larg pamjen e lagjes, ndryshimet e reja si dhe lumin që rridhte i vetmuar si përherë në të njëjtin shtrat, mes rrapave. Aty për aty iu kujtua fëmijëria e saj, zërat e shoqeve dhe shokëve. Koha kur mblidhnin lule për çdo festë dhe i fuste në një vazo prej qelqi. Eh, sa kujtime të bukura e lidhnin me qytetin e lindjes. Sa do të dëshironte të kthehej dhe njëherë ajo kohë e lumtur. Ana bëri dhe dy hapa dhe u ndal përsëri. Asaj i shkuan lotët nëpër faqe. Malli për vendin e lindjes e kishte këputur. Deri në moshën katërmbëdhjetë vjeçare ajo kishte njohur vetëm lodrat dhe gëzimin. As vetë nuk e kuptonte se sa shpejt ishte rritur. Çfarë kishte ndodhur me të. Si u shndërrua kaq shpejt në një grua? Mori rrugën nga shtëpitë e vogla që tani kishin filluar t’i rregullonin dhe t’i zgjeronin. Sytë i kishte të mbushur me trishtim. Ju kujtua dita kur braktisi fëmijërinë në një mënyrë të tmerrshme. Kishte qenë një ditë si gjithë të tjerat. Ana po luante me shokët dhe shoqet e saja. Me të errur ata e kishin zakon që luanin kukamshefti. Ana gjeti një vend të fshehtë e të sigurt se nuk do ta gjenin dot, por duke pritur që ta kërkojnë shokët ajo ndjeu dy duar të fuqishme që e shtrënguan fort pas gjoksit të një djaloshi të bëshëm. Ana u tremb dhe donte të çohej e të bërtiste, por nuk mundi të nxjerrë as një fije zëri. Djaloshi që e kishte mbërthyer pas vetes ishte më i fuqishëm se ajo. Ai e kishte kapur për gryke dhe duke i bërë presion e futi në makinën e tij ku e priste një shok tjetër. Pasi e futën në makinë, ata të dy, u nisën si të çmendur drejt rrugës që të çonte nga kodrat e qytetit. Ajo ishte tromaksur shumë nga kjo e papritur. Nuk ishte veçse një fëmijë ende e parritur. Nuk e merrte me mend se çfarë e keqe e priste. Mendonte vetëm më të keqen, se mos e vrisnin si nëpër ato filmat e shumtë që kishte parë. E kaploi frika dhe tmerri. Nata sa vinte dhe bëhej më e errët. Errësira kishte mbulluar çdo gjë dhe përreth nuk dukej asgjë. Djemtë të eksituar dhe të kënaqur që ja arritën qëllimit i lidhën duart Anës dhe e kthyen përmbys. Ata filluan të grindeshin se kush do ta provonte i pari. Pasi bënë një marrëveshje midis tyre ata filluan ta përdornin atë pa pikë mëshire. Harruan se kishin të bënin me një vajzë vetëm katërmbëdhjetë vjeçare, kur ata vetë ishin rreth të njëzet e pesave. Por ata kishin një logjikë të ulët. Ana e vogël ulërinte nga dhimbja dhe tmerri. Ajo mundohej të mbulonte pjesët e zhveshura të trupit që ja kishin zbuluar me forcë. Ajo mallkonte duke klithur e qarë me zë atë natë të errët dhe të tmerrshme. Nuk donte të jetonte më ashtu si e kishin katandisur ata të mallkuar. Nuk kishte dëshirë të shihte dritën e diellit në atë gjendje që ishte. Brenda saj i dridhej shpirti i brishtë, i zjente urrejtja për ata banditë të pamoralshëm. Duart e tyre, edhe pse nuk e preknin më, dukej sikur i ishin ngjitur pas trupit. Erën dhe kutërbimin e ndyrë të djersës së tyre e kishte në majë të hundës. “O Zot, pse nuk më mbrojte këtë natë?!”, klithi mbyturazi ajo. Pas atij tmerri që pësoi, si ai gjahu i lodhur që pret se çdo t’i ndodh më tej, edhe vuajtjet e Anës nuk mbaruan aty. Djemtë, të kënaqur, sikur të kishin ngrënë një darkë të shijshme, lëpinin buzët nga kënaqësia. – Tani dhe kjo punë mbaroi. – tha njëri prej tyre. – Duhet të lajmërojmë Kuqon të vijë e ta marri se e ka gati. Duhet të nxitojmë se mos na gjejnë se me siguri kanë filluar kërkimet. Ata e morën Anën ashtu siç ishte e gjakosur dhe e hipën në makinë për ta larguar nga vendngjarja. Makina hyri në një rrugë qorre, larg qytetit. Pasi ndaluan në një kthesë, vijnë dy djem të tjerë më të mëdhenj në moshë, të cilët ndërruan makinat dhe u larguan në drejtim të paditur. Ana pa gjithandej, por ende s’po e kuptonte se ku ishte dhe ku po shkonte. Ajo nuk ekzistonte më. Djali që ngiste makinën ndihmoi shokun e tij që ta shihte mos kishte temperaturë. Ai i tha se duhet të bënin kujdes pasi mund të kishin probleme me shëndetin e saj. Gjendja e Anës ishte e dukshme. Përveç rrahjes ajo kishte edhe shenja gjaku dhe në atë gjendje që ishte ajo duhet të rrinte nja dy ditë e fshehur diku. Pasi të merrte veten ata duhej të niseshin menjëherë drejt Brindisit. Në një banesë të vjetër ata qëndruan të tre deri në të gdhirë. Ana digjej nga temperatura dhe për këtë Keli po shqetësohej. Ai tha se çdo sakrificë po u shkonte dëm. Duhej të gjenin një mjek pasi ajo nuk e përballonte dot udhëtimin me traget. Keli dukej më bujar nga ai tjetri. Ai i afrohej Anës duke e përkëdhelur dhe i thoshte se gjërat do të shkonin mirë dhe se shumë shpejt ajo do të shërohej. Ai i premtoi se do t’i rrinte pranë në çdo çast dhe se ajo duhej t’i bindej atij po qe se donte që të mos merrte për keq – Tani nuk je më e vogël dhe duhet punosh për veten tënde. – i kishte thënë ai. Ana në këto kushte që ndodhej, të cilës i mungonte familja e saj, ju duk sikur Keli kishte një si farë dhimbshurie ndaj saj, prandaj e pyeti veten, se pse të ishte lidhur me këta kriminelë. Ajo kishte menduar se kishte gjetur një pikë se ku mund të gjente shpëtim. Ana gënjente veten me atë arsyetim prej fëmije duke menduar se mund t’ua hidhte kaq lehtë atyre. Trageti ishte nisur pesë munuta me vonesë. Deti kishte dallgë dhe dukej sikur e shtynte atë më shumë prapa se para. Ana e vogël ishte turbulluar më keq nga udhëtimi. Asaj i ishte këputur shpirti kur kishte parë se po largohej përherë e më shumë nga bregdeti shqiptar. Ajo mendonte njerëzit e saj: nënën, babain dhe vëllain e vogël që ishin të shqetësuar dhe nuk dinin ku ta kërkonin. Ajo ndjente klithmën e të ëmës në shpirt e zemra filloi t’i rrihte fort. Ankthi i madh e torturonte dhe nuk dinte se si ta qetësonte veten. Kishte ndjerë të nevojshme se duhej të fliste me dikë, por me cilin? – Keli! – kishte thirrur ajo me gjysmë zëri. Shoku i tij ishte tallur dhe i kishte thënë: – Shko se të kërkon ty dhe më lër diçka edhe mua. Ana ishte vrarë në shpirt dhe ishte tmerruar nga fjalët e tij. Keli edhe pse s’kishte dashur të tregohej i përzemërt e tradhtonte vetja. Atij i ishte dhimbsur vërtetë dhe i ishte afruar me mirësjellje: – Ana, vogëlushe, mos u mërzit se arritëm. Do ta shohësh se sa shpejt do të përshtatesh me Brindisin. Ajo i kishte zgjatur dorën e saj të vogël dhe me gjysmë zëri i kishte folur që andej: – Keli, të lutem lajmëro në shtëpinë time që jam këtu me ju, se do të të bindem për çdo gjë. Keli e kishte siguruar se sapo të zbrisnin në Brindisi do të fliste vetë me familjen e saj. Ana ishte qetësuar. Të paktën ata të shtëpisë do të mësonin se ishte ende gjallë e s’do ta kërkonin gjëkundi tjetër. Pas gjithë atyre peripecive të ndryshme Ana tashmë nuk ishte më e vogël, e dobët dhe pa eksperiencë. Ky kishte qenë fati i saj. Por ajo gjithmonë mendonte hakmarrjen, fundin e tyre. Vitet kalonin dhe Ana rritej me urrejtjen e hakmarrjes në shpirt. Ajo po i shtohej ditë pas dite. Sa herë gjendej e vetme kujtonte ditën që kishte mbërritur në Itali. Atë ditë ajo s’do ta harronte kurrë. E kishte të shënuar në kalendarin e shpirtit të saj me njgjyrë të zezë. Keli vazhdonte të sillej mirë me Anën. Ajo hiqej sikur ishte mirënjohëse ndaj tij. Pak nga pak Ana po kuptonte lidhjet e tyre, poshtërsitë dhe bëmat e pafundme. Ajo donte të hakmerrej për të gjitha vajzat shqiptare të trafikuara si vetë ajo. Kishte pranuar se nuk do të vdiste pa u hakmarrë ndaj tyre. Bashkë me dy vajza të tjera, që i kishin trafikuar qysh më parë, ata vendosën të bashkëpunojnë së bashku. Ajo, edhe pse më e vogël se ato, u jepte kurajo që të çliroheshin nga kjo zgjedhë se po të kishin të tria një mendje do të dinin se si të vepronin në të ardhmen. Pa menduar për rrezikun Ana filloi të detajonte planin e saj. Ajo kishte bërë për vete Kelin dhe përpiqej që të kishte mbështetjen e tij. Në një aksion që vajzat kryen, të mbështetura dhe të udhëhequra nga Ana, grupi i djemve ra në prangat e policisë së Brindisit. Të trija vajzat u kthyen në Shqipëri. Ata i priste burgu. Ndofta do të paguanin dhe do të dilnin një ditë. Por Ana nuk i kishte falur në shpirt. Edhe pas vuajtjes së dënimit të tyre, ata nuk do ta gëzonin lirinë, sepse ajo do të vinte drejtësinë në vend me duart e saja. Jeta e saj tani nuk i përkiste vetvetes. Ajo do të luftonte në shumë forma për të sensibilizuar të gjitha vajzat që të ishin të kujdesshme. Do ta tregonte historinë e saj pa ndrojtje e frikë se dikush do ta përgojonte për keq. Asaj nuk i interesonte se çfarë thuhej për të. Do të kthehej në një legjendë trimërie për të gjitha vajzat shqiptare. Do t’u tregonte atyre se si t’i ndalonin këto ndodhi dhe tragjedi të tmerrshme. Ajo u ndje më mirë tek sa mendonte kësisoj dhe ju duk sikur dhimbja që kishte ndjerë po i fashitej. Dhe si ai lumi që rrjedh mendoi se kishte dhe shumë rrugë për të bërë. Ana mori frymë e lehtësuar, hodhi dy grushta ujë në fytyrë dhe ashtu e bukur, me sytë e lagur u çua sikur donte të shihte dhe njëherë përreth pamjen tanimë me një vështrim të qartë. Iu duk sikur gjithçka kishte ndryshuar në çast. Ajo nuk ngopej me këtë peizazh të çastit dhe mendoi se Zoti bën mrekullira. U mbush me ajrin e freskët të buzëlumit dhe iku me kokën lart drejt shtëpisë së prindërve që mezi po e prisnin. Po ecte me një siguri në vetvete.

SHKROI: Fatbardha Alimeta

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.