KRONIKA E NJË DITE

1
930
Resmi Osmani 

Shenim nga Redaksia : Sinqerisht vleresojme punën dhe krijimtarine e palodhur të shkrimtarit Resmi Osmani . Vlersojmë të citohet se në krijimet e z. Osmani shumë nga lexuesit mund të gjejnë vehten e tyre , por gjithashtu këto artikuj pasqyrojne realitetin e së shkuares e të tashmes , me këtë tregim të së shtunes , Ju urojmë një fundjave të këndshme ! 

Gjatë një dite , në jetën e njeriut, mund të mos ndodhë asgjë për t’u shënuar, por mund të ndodhin edhe shumë gjëra. Këtu do të bëhet fjalë për një nga ditët e jetës së Marës.
* * *
Kënga e ditës së re, u çel me borien e këndezit, kakarisjen e pulave dhe basin buluritësë të lopës Larë. Përjashta nata po zvarriste përtueshëm perden e zbehte të muzgut dhe dita që kishte çelur në lindje e ndiqte prapa, duke e shigjetuar me tufën e ndritshme të rrezeve, që paralajmëronin ardhjen e diellit, që ende s’kishte lindur.
Ishte gdhirë dhe kjo ditë. Mara zgjohej para lindjes së diellit, e priste atë dhe në punë e sipër, ai i dërgonte në ditët e kthiellta një vrundull të artë rrezeshn, në ditë të vrenjtura bardhesine e dritës dhe i uronte ditën e re: “Mirmëngjes”! Kështu për ditë. Ditë si njera-tjetra.
Ndënji ulur buzë shtratit, sa trupi të mësohej me zgjimin, t’i kthjellohej shikimi e që të mos i merreshin mendtë kur të ngrihej. Rrjedha e pandalshme e ditës për të, kishte kodet e saj dhe ishte si një mësim i mësuar përmendsh. Punët kishin radhën e tyre, ishin të shumta aq sa dita s’mjaftonte për t’i kryer të gjitha. Ajo duhet t’u bënte ballë e vetme. I shoqi, Marku, punonte me buldozer ne një kantier të largët që hapte rrugë të reja. Vinte në shtëpi për fundjavë. Ditët e tjera i merrte ne celular.
U vesh me përtesë, ende ishte si përgjumësh dhe kapakët e syve i rëndonin. Te sqolli u hodhi një grusht ujë syve. I dha dritë koridorit që ishte në gjysmë errësirë. Sytë i shkuan te korniza me fotografinë e madhe. Kishin dalë pas martesës. Dukeshin të lumtur: e kush u martua e s’u gëzua! Ajo rrëzëllente nga bukuria.Kishin kaluar shumë vite. U pa në pasqyrë. Aty u shfaq ajo Mara tjetër , e ndryshme, e tanishme. Fytyrë e rreshkur, e pjekur nga dielli, e rrahur nga erërat dhe cikna që kishin lënë gjurmët e tyre: ato rrudhëzat te cepat e buzëve e të syve, në ballë, në faqe. Edhe ajo drita e syve si ngazëllim e gëzim që buronte së brendshmi, tashmë ishte zbehur e trishtuar, në tëmtha ishin çfaqur fijet e argjendta të thinjave. Barra e rëndë e jetës i peshonte mbi shpatulla dhe i mblidhej në bel si një dhimbje prore. U kthye sërish nga fotografia, si t’i vinte keq për veten. E ku kishte shkuar ajo bukuri?Tinëzisht, koha, e kishte fshirë e tjetërsuar, por nuk kishte mundur t’ia hiqte fisnikërinë e mirësinë, që i buronte nga gjithë pamja dhe çiltërsia e buzëqeshjes.
Veshi çismet e llastikta, hodhi në tas ushqimin e pulave, doli në oborr dhe hapi derën e qymezit. Pulat duke kakarisur u sulën përjashta dhe e qarkuan, prisnin ushqimin. Ua shpërdau. Në furriqe, zbardhnin vezët, i mblodhi në prehrin e përparses, ishin ende të vakëta. Pula bardhoke rrinte në furrik.”Po ti,ç’ne që s’del me shoqet?”E kapi nga krahët, por ajo desh ta çukiste me sqep, dhe iu përgjigj me një “Klluk-klluk”.Kur e ngriti pa që ndën vete kishte vezën që po e ngrohte.”Jo moj bardhoke, u kujtove von për të klloçitur e nxjerrë zogj, po vjen vjeshta dhe dimri i gjen të pa rritur. “Hajd, shko ”- dhe e flaku përjashta. Doli dhe vetë. Mori kovën dhe hyri në kasollen e lopës.Dukej që Lara me gjirin e rënduar nga qumshti po e priste. i ledhatoj vithet, ndjeu me mollzat e gishtave një dridhje të lehte kënaqësie nën lëkurë e ngrohtë. I pëlqente kur e ledhatonin. Pastaj ia lau gjirin e bëshëm me ujë të vakët. Vuri koven ndën të dhe nisi ta milte.Lara këtë priste që ti lehtësohej gjiri. Lara i dha edhe pikën e fundit të qumshtit të saj dhe e shikoi si me të lutur me ata sytë e mëdhenj e të butë si kadife. Ato ishin më shumë se shoqe. Ajo e kishte rritur që mëshqerrë, po me atë kujdes si t’a kishte fëmijë. Lara ishte si pjestar i shtëpisë. Qeni Murro, edhe pse me zinxhir, kishte dale nga kolibja, luante bishtin miqësisht dhe e shihte të zonjën si me të lutur. Priste ti jepte mëngjesin. Të gjithë kerkonin të hanin nga duart e saj!
Hoqi pak qumësht dhe e vuri në zjarr që ta valonte për mengjesin e fëmijëve. Tjetri ishte për në treg, i pajtuar nga familjet qytetare të një pallati. Mbushi shishet, i kishte larë e bërë dritë që në mbrëmje.
Dielli hala s’kishte lindur, megjithatë duhej ngutur. Fëmijët ende bënin gjumë, zgjimin do t’ua bënte më pas, pasi të kryente edhe disa punë të ngutshme.
Mori shportën dhe kosën e zbriti në kopshtin e perimeve. Ky kopsht ishte krijesë e duarve te saj. I mbrujtur nga puna,në çdo fryt ishte një pikë nga djersa e saj, por edhe nga dashuria. Se tokën dhe bimët duhet ti duash. Asgjë nuk bëhet pa dashuri. Ishte si një qëndismë: domatet kuqëlonin, specat jeshilonin, patllixhanat ndrinin me reflekse blu, lakrat po hidhnin shtat, pjeprat kundermonin…tufat e borzilokut ermironin ajrin.Piklat e vesës mbi gjethe dhe fryte ua shtonin hijeshinë. Nuk mungonin as lulet: lulekadifet, bufkat e verdha, luleshëmitri që çelnin në vjeshtë,se lulet zbukurojnë jetën. Kishte dëgjuar të thoshin se të duash lulet është fisnikëri dhe se kush do lulet do edhe njerëzit. Vllaja e erzave : kopra, majdanozi selinoja, maraj, sherebela që u japin shijen gjellëve, se shija e gjellëve është pjesë e kënaqësive të jetës. Ishte një kopsht familjar, por diçka tepronte edhe për treg.
“Mirmëngjes”, i përshëndeti Mara, ishte mësuar t’a njihte gjuhën e tyre të heshtur e të fshehtë, por që fliste shumë, ngaqë i kishte parë e kujdesuar që kur kishin mbirë nga fara, si fidane te vegjël e të brishtë, sesi rriteshin nga dita në ditë, si lulëzonin e lidhnin frytet. Selitja e tyre nuk donte vetëm punë, por edhe kujdes e dituri! Edhe pse ishte ende freskët e s’kish nisur të nxehtit, në gjethe kishte shënja vyshkje.Bimët kërkonin ujë. Por ujë s’kishte. ”Durim, miket e mia,u tha, jemi në dorë të resë. Të presim e të shpresojmë se shiu do të vijë” Hodhi sytë në qiell, ishte qelq i kthiellët!Voli dhe mbushi shportën me perime.
Në ngastrën e jonxhës kositi nje ovrat. Kishte mësuar kaherë për ta përdorur kosën, njësoj si burrat. Jonxha e kositur, kishte atë aromën idhcake, të amsht e të këndshme të barit të luadheve, që ajo e pëlqente. Këputi edhe një krah me degë të njoma misri. Të gjitha i futi në thes. Lara kishte ç’të hante tërë ditën. Thesin me zor e hodhi në shpinë, ishte i rëndë. Me dorën e majtë mbajti shportën e perimeve dhe u nis për në shtëpi. Nga pesha e rëndë i merreshin këmbët!”Mbahu moj marë”, i dha zemër vetes.
Syri i artë i diellit u ngrit mbi majëmalet. Ajo zgjoi fëmijët, i detyroi të laheshin e të kriheshin. U uli sillën: qumësht, vezë të ziera dhe djathë të njomë, pa kripë, të sapo nxjerë nga napa.Ndërkohë u ndrrua, veshi ndrresa të lara , një shami të bardhë dhe përparse me qëndizma.U veshën dhe fëmijët, rroba të reja, të pastra, këpucë atlete, çorape të bardha, që shokët e tyre qytetarë të mos i gërgisnin dhe ti quanin katundarë.
Shpejt, shpejt, se koha nuk pret!
Shkolla e fshatit kishte kohë që qe mbyllur, ndaj shkonin në atë të qytetit. Po të ecnin mirë, u duhej gjysme ore. Rruga ishte e vjetër, e pa shtruar, gropa – gropa, në verë të mbyste pluhuri në dimër balta. U bë kohë që makinat nuk kalonin më në ‘të. Kjo rrugë, që rrugë i thënçin, ua nxiu jetën, ishte pjesë e mundimeve të përditshme, dimër-verë, si të mos mjaftonin e tepronin të tjerat.
U bënë gati për të dale”Shiko dhe ruaj shtëpinë, se ne ikëm”, i tha Murros, pastaj i bëri një zë Diellzës,nuses së nipit, që i ndante vetëm pahia me petavra dërrase, që të hidhte një sy nga shtëpia, sa të kthehej. “Ikë pa merak e mendje mbledhur” , i tha nusja e nipit.
E ndau ngarkesën. Albanit, djalit të madh, që kishte hyrë në të katërmbëdhjetat, i dha trastën me shishet e qumshtit, Sokolit, djalit të dytë, vezët dhe qeskën me erëzat, për vete mbajti dy shportat me perimet, Luçies, vajzës, që ishte në klasë të dytë, nuk i dha gjë, i mjaftonte çanta e librave që ishte bajagi e rëndë. Ishin të detyruar të ecnin me hapin e Luçies. Dielli po ngrihej dhe vapa po shtrëngonte. Në çdo hap që hidhnin, ngrihej pluhuri, që ua veshi atletet dhe kërcinjtë. Duhet t’i lanin te çesma që ishte në qendër të qytetit, para se të shkonin në shkollë.
Kur mbrritën te sheshi i qytetit u ndanë, fëmijët shkuan në shkollë, Mara vajti te këmbësorja e rrugës, rrëzë pallateve të reja, ku ishte vendi i saj i përditshëm, i shpresës dhe zhgënjimit.Ata të policisë bashkiake e njihnin dhe s’i binin qafës. Kishin mbrritur para saj edhe bashkfshatare të tjera: Kristina e Ndreut, Dila e Zefit dhe Margjela e Pjetrit. Shoqe të halleve. Ja la Kristinës nën kujdes ato që kishte sjellë dhe vetë shkoi të shpërndante qumshtin: derë më derë, i binte ziles ose trokiste. Ata e prisnin. I jepnin një shishe bosh dhe merrnin atë plot. Të shumtit e paguanin në dorë ,por kishte edhe që i luteshin t’i priste për nesër ose pasnesër, se nuk u ndodheshin lekë! I mirëkuptonte, ishin hallexhinj si ajo.
Ishin të shumtë ata që kishin dalë në treg për të blerë harxhet e ditës, amvisa, burra, të shumtit në mesmoshë por edhe pensionistë. Kalonin, ndaleshin, shihnin, pyesnin për çmimin dhe të pavendosur ngisnin më tej për të shkuar te tezgat e tregut. Leku, që s’fitohej kollaj, duhej harxhuar me ekonomi. Edhe kur blenin,sasia ishte e pakët; tre-katër kokrra domate, po aq patllixhane, do copë speca. Mara u jepte falas një tufë erza, si tu pëlqente, majdanoz, kopër, apo selino e mente. Sido që perimet dhe vezët ishin të freskëta, vezë fshati, shitja ecte ngadalë. “Bëj durim moj Marë”, i tha vetes dhe hodhi sytë nga qëndra e qytetit. Makinat gumzhinin, njerëzia mizëri, me punë e pa punë, të ngeshëm e të ngutur, me gajle e pagajle, lumi njerëzor rridhte papra. “Të gjithë këta, mendoj ajo, e pakta tri herë në ditë ulen në tryezë, kush më mirë, në tryezë të pasur, e kush në më të varfër, sipas gjendjes, mire a keq, hanë vaktet. Kësisoj në gjithë qytetet ku gjallon jeta. Ushqehen me ato që seliten nga duart e saj, të gjithë atyre mijëra grave e ca më pak burrave, anë e kënd fshatrave të Shqipërisë, që u ka rënë mbi shpinë barra e jetës… Po a e mendojnë apo kujtojnë vallë se gjithëçka kanë mbi tryezë vjen nga fshati e nuk bie nga qielli, që eshtë fryt i punës dhe djersës së tyre? E ç’do të ishte qyteti pa fshatin? Një gërmadhë e uritur. Shumë – kush këtë e di, veç jo politikanët. Kështu e mendonte Mara. Por atyre as u shkonte ndër mend për ‘të. Kur donin të fyenin kënd i thoshin përbuzshëm“fshatar” dhe kjo ishte e rëndë dhe aq fyese. Mos durofsh o Zot!
Xhanëm, edhe qyteti kishte hallet e veta, mendoj ajo: të papunë, hallexhinj, varfanjakë, të pastrehë, po të paktën ata kishin ujë, rrugë të shtruara, shkolla,farmaci, ambulanca e spitale.
Ajo që mbjti këmbët para saj, ishte një zonjë e re, që mbante nga rripi i gjatë një qenush vocrrak gjithë lesh të bardhë. E përshëndeti dhe nisi të shihte perimet. Mara e njihte në të parë, ishte zonja e deputetit, folëse në televizionin lokal, jepte lajmet mbrëmjeve. E bukur? S’ke ç’i thua,si kukull. Prej saj perhapej aroma ngacmuese e parfumit të lehtë.
– I ke bio?
– Janë të freskëta të sapo vjela në kopsht-i tha mara që nuk e kuptoi pyetjen.
– E shoh. Desha të them nëse janë pa kimikate, si u thonë, pa pesticide, pa hormone.
– Ashtu janë, nuk përdorim na asi soj gjanash.
– Të besoj. Po i marr atëhere-dhe filloi t’i zgjidhte kokërr më kokërr.
Mara i pa duart: të vogëla, të buta, gishtërinjtë të gjatë, zbukuruar me unaza të arta me gurë të kuq e të gjelbër, në kyçet e duarve byzylykë, thonjtë të gjatë si bajame, të lyer me manykur ,dukej se mbi ta kishin çelur ca lule të kuqe. Pa të sajat: duar të ashpra, lëkura e rreshkur, nga ngricat dimërore dhe dielli përvëlues, me kallo e të çara nga punët e shumta, përditë. Në gishtin e unazës vetëm rrethi i martesës. Thonjtë të prerë thellë, që të mos mbusheshin me dhe dhe bajga. Ja që kështu ishin ndarë fatet! “A bënte punë kjo grua, – pyeti veten Mara-të paktën brënda shtëpisë. A lante enët, lëveret, pastronte shtëpinë, merrte pluhurat, gatuante gjellët? Me siguri që jo. Ajo vetëm mbillte e korrte llafe para ekranit. Jo vetëm kjo, po gjithë zonjat e pasunarëve të rinj. Ato pajtojnë ndonjë nevojtare, që tani nuk u thonë më shërbyese, por punëtore shërbimi. Jo ush po gomar! Ua mbante xhepi moj xhane.”
-Po i marr të gjitha vezët. Sot im shoq vjen nga Tirana për fundjavë dhe dua t’i bëj një surprizë.Tortën dhe majonezën dua t’i përgatis vetë. Sa për sonte, se nesër për uikend, do shkojmë në Shkodër. Buzë liqenit, në restaurantin”Mbreti Gent” gatuajnë një tavë peshku të hatashme që të lëpish gishtat. E shoqërojnë me verë të bardhë “Shardone”që është si eliksir,mandej do të ngjitemi në Theth……
Mara e kishte parë të shoqin e zonjës, deputetin. Dy herë radhazi gjatë fushatës elektorale, tok me Markun,Margjelën, Ndrecën dhe Diellën. Ai kishte ardhur në qendrën e komunës si era me shi e bubullima, kishte zbrazur rrufetë verbuese të premtimeve: shtrimin dhe asfaltimin e rrugës, riparimin dhe rihapjen e shkollës, ujë nga bjeshka, për çdo shtëpi që do të rridhte mga rubinetat ditë-natë dhe ujë për ujitjen e bimëve, për t’i dhënë fund thatësirës zhuritëse, qendër shëndetësore, shëndetësi falas…..Nga goja e tij rridhte mjaltë, dilnin mrekullira. Burrit të kësaj zonje Mara dhe Marku i kishin zënë më shumë besë se ishte i një partie të madhe që ngjallte shpresë dhe votuan për ‘të. Që prej asaj dite ai s’ishte kujtuar më për ‘ta ishin gjallë a vdekur! Fjalë, fjalë e vetëm fjalë. Asgjë nga ato që u thane. Premtimet u tretën si kripa në ujë! Kishte hedhur lumin e kishte pështyrë kalin! Ja që të tillë ishin këta politikanë.
Zonja po mbushte qeskat dhe s’pushonte së foluri, po Mara se kishte aty mendjen. Aty pari kaloj një qen rrugësh. Qenushi i zonjës u trimërua e egërsua dhe iu gërduf me të lehura inatçore dhe iu turr. E lehura e qenit, ia preu ligjeraten së zonjës, ajo i tërhoqi rripin.”Urt Xhixhi, ç’të gjeti? E mori Xhixhin në duar. Xhixhi u qetësua. Thoshin se zonja ishte beronjë dhe dashurinë për fëmijët që s’i kishte, e kishte hedhur mbi qenushin. Mara i peshoi perimet me kandarin e dorës, i numëroj vezët dhe i tha sa duhet të paguante. Kur nxori dhe hapi portofolin,Marës i zuri syri që ai ishte plot me kartmonedha. Prandaj ajo nuk e rrudhte dorën dhe s’bënte pazar për çëmimin. Kur Mara po kërkonte të vogla për t’i kthyer kusurin, i tha ta mbante.Bujare në qindarka!
Po kapërcente mesdita. Kur durimi dhe blerësit po soseshin, ato që kishin mbetur i shiti toptan dhe me çëmim të ulur.
Fëmijët dolën nga shkolla. Mësimet për atë ditë ishin mbyllur. Bashkë me ta, shkoi në shitore: sheqer, oriz, vaj gatimi, makarona, miell, sapun, larësdore rrobash e gjithë ç’i duheshin shtëpisë. Thuajse ç’kishte fituar i la po aty. Ikën siç kishin ardhur, sikush peshën e tij, ecnin me çapin e Luçies.
Gjellën e kishte gatuar të mbrëmshmen, në tenxheren me presion. Nga një pjatë fasule dhe sallatë. Hëngrën në heshtje,por punët e ditës nuk kishin Mbaruar. Duheshin larë enët, por i vuri në sqoll dhe i la për në darkë. Bashkë me Albanin, morën kazanin, govatën e llamarintë, kanistrën me lëveret për t’u larë, që ishin bajagi dhe zbritën në lumë. Kur u kthyen në shtëpi, ishte e lodhur dhe i dhimbte beli. U shplodh një cope herë, pastaj hapi të larat në tel.
-Hajd, u tha fëmijëve, – shpejt në banjë, se do të flini në çarçaf të pastër. Mësoni mësimet dhe bëni detyrat.
Ata nuk bënë llafe, Albani me sokolin laheshin vetë, ajo lau Luçien.
O punë ju mos u sosçi, u bëfshi sa mos u njohçi! Duhej mjelë Lara,nxjerë plehu nga kasollja e saj, e më pas hedhur ushqimi. Më pas duheshin mbyllur pulat. Uf! Edhe hekur të ishte do t’ishte perkulur, po ja që njeriu qenka më i forte se hekuri!
Kur do të shtrihej për gjumë, ndjeu atë shtrëngimin e fortë në anën e majtë të gjoksit dhe ndjesinë e një peshe në kraharor, e mbuluan djersët e ftohta dhe iu vështirësua frymëmarrja, pati këputje dhe gati sa s’po i binte të fikët. Vështrimi ju mjegullua. Duke u mbajtur pas murit, hapi komodinën e shtratit dhe mori tabletin dhe e vuri nën gjuhë. U shtri. I kishte ndodhur dhe herë të tjera, por kjo qe më e fortë. Rrahjet e zemrës po qetësoheshin,por ishte e këputur e pafuqi. Mbase po kalonte. “Mbahu moj zemër, i tha ajo,lermë të jetoj e t’i rris fëmijët, se mbase për ‘ta do të ketë ditë të bardha.”
* * *
Kishte kaluar mesnata, iku edhe një ditë dhe kishte hyrë dita e re.Do të ishte një ditë si gjithë ditët. Marën s’po e merrte gjumi. E ndjente shumë mungesën e të shoqit, se shtëpia pa burrë, është si kulla pa çati. Ai, atje në kantierin e largët, nuk mund ta dinte se çpo i ndodhte asaj, se po ta dinte, do te behej zog me krahe e do te fluturonte per tek ajo dhe fëmijët. “Fli”, i tha vetes. Duhet te flesh, të mbledhësh fuqitë, se do të gdhihet përsëri. Dhe shiko: nesër të shkosh te doktori, nëse do që fëmijët të mos i lesh rrugëve”
E nesërmja, një ditë si gjithë të tjerat, ditë e re, pa asgjë të re, e prapseprapë, e prisnin gjith’ato punë, e kështu pa mbarim.

Tiranë , Tetor 2017 .

1 KOMENT

  1. Zotrinj administratore te redaksise se revistes Shkaba-Fjala, pershendetje.Se pari falnderime per hapesiren qe i keni hapur krijimtarise time ne revisten tuaj. Gjithashtu, falnderime per shenimin vleresues ne krye te ketij tregimi dhe rekomandimet per lexuesit.
    Me konsiderate,
    Prof.dr. Resmi Osmani,
    Tirane, me 21.01.2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.