Kriza mësim-edukim

0
793

Përgaditi : Lekë Imeraj – shkrimtar dhe përkthyes 

Mbrëmjeve dëgjojmë dhe shikojmë në stacione të ndryshme televizive sukseset e reformës arsimore, shembuj dhe modele mësuesësh dhe shkollash. Shikojmë tekste të rinj për klasa dhe mosha të ndryshme. Gëzohemi. Krahas këtyre shikojmë edhe mjerimin shkollor, nxënës që braktisin shkollën, shkolla të shkatrruara, mësues dhe pedagogë të korruptuar, të dhunshëm, të paaftë. Shikojmë nxënës brutalë, të dhunshëm, që dhunojnë shokët dhe mësuesët.

Dhe… ekrani i televizorit vazhdon të transmetojë skena të dhunës në parlament, në rrugë, familje, në botë. Sikur të mos mjaftojnë këto, shfaqen analistët të cilët flasin me gjuhën e terrorit dhe të dhunës kundër bllokut politik kundërshtar. Dhe… thirrje për luftë, revolucion, gjakderdhje vëlla me vëlla.Ky është mjedisi ku rriten, mësojnë dhe edukohen fëmijët tonë. Mjedisi i populluar nga dhuna, krimi, korrupsioni, degjenerimi. Në këtë mjedis, fëmijët nuk duken, nuk ndjehen. Ata nuk janë më fëmi, nuk ka fëmi. Edhe nëse prindët, kanë dashurinë dhe aftësitë e duhura për edukimin e fëmijëve të tyre, çfarë mund të bëjnë ata brënda katër mureve!?Duket se politika, përfundimisht, ka hequr dorë nga drejtimi i shkollës dhe, veçanërisht, nga edukimi i të rinjve. Ndoshta në mënyrë të vetëdishme, me argumentin se, psiqika e fëmijëve, formohet vetëvetiu, në mënyrë të pavarur. Politikës i duhet njeriu i bindur dhe jo i ditur. Sa më i paditur që është njeriu, aq më lehtë manipulohet ai. Këtë e dinë mirë politikanët.Kudo dhe çdo ditë takojmë dhe shikojmë fëmi me shqetësime të shumllojshme. Aq sa, nëse nuk merren seriozisht, do të përbëjnë një problem potencial shoqërorë. Do të shtohet masivisht numuri i atyre që nuk e dëshërojnë punën, që humbasin aftësinë e komunikimit social, të lidhjeve sociale. Do të “prodhohet” njeriu i desocializuar, pa kulturë socialjuridike i cili nuk njeh as ligj dhe as moral. Psikologët sqaroujnë se, tek njeriu i desocializuar, desocializimi i tij ka filluar që në fëmijërinë e hershme. Zhvillimi i tyre fizik dhe ai psiqik janë larguar shumë nga njëritjetrit. Kurrësesi ata nuk mund të ndërtojnë mardhënje normale me botën dhe mjedisin që i rrethon. Ndërhyrja nga jashtë, tek ata, duket si e pamundur. Ata, me mospranimin e tyre, terrorizojnë mjedisin dhe kanë një “imunitet” absolut nga ndërhyrjet e jashtme. Duket sikur trekëndëshi i mësimedukimit-familje, shkollë, mjedis ka dështuar.Disa mundohen të argumentojnë çrregullimet e karakterit tek të rinjt si gjenetike, të lindura. E papranueshme . E vërteta është se fëmijë të tillë, nuk janë të aftë psiqikisht që sjelljet e tyre ti vlersojnë dhe mendojnë si të gabuara. Zhvillimi i tyre psiqik ka mbetur pas.
Përgjegjësia për këtë disfatë njerëzore nuk mund të kërkohet tek njëri apo tjetri cep i trekëndëshit mësimedukim. Eshtë një konglomerat i tërë që e bllokon zhvillimin psiqik të fëmijëve duke “prodhuar” kështu të rinj tiranë dhe përbindësha, të cilët ne i ndeshim gjithandej në jetën e përditshme.Vetëm nëse, teoria e padagogjisë, konceptet e edukimit, metodat e mësimedukimit, në kopësht dhe shkollë, të kombinuara këto me edukimin në familje, do të kenë si qëllim zhvillimin psiqik të fëmisë, në përshtatje me moshën e tyre, do të mund të arrihet qëllimi i edukimit. Këtë koncept bazë, madje, edhe vetë ata që përgjigjen direkt për edukimin, nuk e njohin fare. Ata, shumë më tepër, i qëndrojnë besnikë teorisë fallso se, psiqika e fëmijëve, zhvillohet vetë, paralel me trupin dhe se ligësitë i mësojnë nga jashtë. Sa gabim!Lajmet që ne shikojmë mbi kriminalitetin tek të rinjt, janë vetëm maja e aisbergut, në krahasim me shqetësimet e pafundme psiqike të tyre por, që askush nuk e vret mendjen për një gjë të tillë kaq tragjike.Vetëm ata që punojnë direkt me të fëmijët, kopësht-shkollë i njohin kundërshtitë dhe sjelljet e tyre prej tirani aq sa duket sikur janë të pashpresë. Pjesa më e madhe nuk tregojnë respekt dhe duken sikur e kanë humbur orientimin në lidhje me vlerat dhe normat. Mbi të gjitha, një gjë e tillë viht re tek fëmijët nga familjet e dështuara, të devorcuara, të varfëra, me shumë fëmi, tradicionale, fanatike, fshatare etj. <Një mësuese gjimnazi, duke më folur për “tiranët e bankave”, më tha: U takova ma babain e një nxënësi shumë problem. Kur i tregova për mënyrën se si djali i tij i dhunonte dhe tiranizonte shokët, mësuesët dhe të tjera gjëra, u përgjigj: “Po, veç e ka baba trim”. Zotëria ishte një nga prapamalet, i rënë në qytet. Ai jo vetëm që nuk mund të integrohet vetë me jetën sociale të qytetit por, ua heq fëmijëve të vet, të gjitha mundësitë e integrimit. Psiqika e fëmijëve të tij, duhet të jetë psiqika e tij. Dhe pikë. Qytetet tona janë mbushur plot me të tillë.Pas vitit 1990, ashtu si çdo gjë kombëtare, u rrënua edhe shkolla, mësimedukimi. Filloi rebelizmi ndaj autoritetit të mësuesit. Nxënësit humbën mësuesin, mësuesi humbi nxënësit. Prindët humbn fëmijët dhe fëmijët humbën rrugën drejtë shkollës. Mësimedukimi kaloi në anarshizëm. Edhe sot, pas 28 vjetësh, duket sikur është riparuar shumë pak nga ky anarshizëm. Duhet një kthesë ratikale. Si do të bëhet kjo? Kjo është çështja. Shumë mendojnë se duhen përdorur masat shtërnguese, kushtëzimet, sanksionet. Natyrisht, jo dhuna. “Shkulja e veshit”, ndoshta edhe duhet pranuar. Mësuesi duhet të njihet për mësues, ndryshej nuk bëhet. Eshtë koha që nxënësit, edhe nëse nuk duan, duhet të detyrohen të binden se: Shkolla është shkollë, urdhëri është urdhër, mësuesi është mësues! Por, cilat mund të jenë dhe duhet të jenë masat shtërnguese, kushtëzimet!? Këtë duhet ta vendosin specialistët, psikologët dhe pedagogët. Eshtë problem specialistësh dhe jo injorantësh nga studiot televizive. Boll me këta! Asgjë nuk është e pamundur. Çelësi i ndryshimit të sjelljeve të nxënësve dhe të rinjve, është tek pedagogjia e re nga e cila duhet të dalin modelet e reja didaktike. Format shtërnguese apo kushtëzimet, nuk duhet të kenë si qëllim dhunimin dhe as diskriminimin e nxënesit. Kurrësesi, as plotpushtetshmërinë e mësuesit, mbi nxënësit. Nuk bëhet fjalë për fajtor dhe ndëshkues, nuk bëhet fjalë për përcjelljen e fajsisë tek njëri tjetri-mësues-prind-nxënës. E vetmja mënyrë e “pjekjes” së psiqikës së fëmijëve është “saçi mbi kokë”. Qellimi i mesimedukimit nuk arrihet me “llomotitje bizantine”. Saçin le ta prodhojnë specialistët, pedagogë-psikologë, jo kovaçët.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.