GJENIU I CENOTAFIT

0
415

 

Nga :  Zija Vukaj

Dedikuar mikut tim  Shtjefën Ivezaj

E dini se ç’është cenotafi?
Disa nuk e dinë dhe nuk kanë faj.
Cenotafi është një varr i zbrazur ose një varr pa të varrosur, por thjesht një varr- monument që i kushtohet dikujt. Ka të tillë qysh në Egjiptin e lashtë, ka për Dante Aligierin, ka për të rënët nga bombardimet e Hiroshimës etj., etj. Ideja e cenotafit, simbolika e tij, ekzistenca e këtij realiteti të kobshëm më ka ngjallur gjithmonë një ndjenjë të rëndë, një përjetim të përzishëm, një dhimbje kozmike. Kjo gjetje lugubre më erdhi në mend teksa pata parë dy varre të hapura për dy njerëz që janë gjallë akoma; ose dy cenotafe të hapura nga njëri prej këtyre dy të gjallëve. Ky i gjallë është Shtjefën Ivezaj dhe varret i ka hapur për vete dhe për gruan e tij fisnike, Gjysten. Shtjefni jeton në Lekaj të Tuzit dhe është themeluesi i muzeut etnografik më unikal në trojet shqiptare. Por po kaq unikale është edhe vuajtja e sakrifica e tij, së cilës i bashkohet edhe një mosmirënjohje thuajse totale. Dhe pra ka hapur dy varre dhe duket sikur ia ka hapur dyert vdekjes me vullnetin dhe stoicizmin e njeriut që raportin me vdekjen e nderton jo si ikje, por si përballje. “Se prapa lë vazhën e ndritur/ që e hapa me shpirtin fatos/ fistonin gazmor ku pat shkitur/ valimi i anijes q’u sos”- na ushton zëri i Lasgushit te “Gjeniu i anijes”. Ç’të jetë vallë ky veprim? Cili është shkaku i këtij përjetimi sublim dhe i demonstrimit ekstrem të revoltës ndaj qiellit apo tokës?! Revolta? Dëshpërimi? Mungesa e shpresës? Ndjenja e kotësisë? Përçmimi për këtë botë dhe tallja me përjetësinë? APO: Etja për lavdi; lakmia për t’u monumentalizuar me forcat e veta? Një lloj hara-kiri moral dhe virtual. (Këto nuk i besoj fare; këto janë për gjykimin e cinikëve.) Sidoqoftë, hapja e këtyre dy cenotafeve është një akuzë e rëndë për secilin prej nesh; është zor të gjendet një kafshë sociale apo politike, që ka mbi supe formën e kokës së një homo sapiensi, që të mos tronditet nga ky realitet që nuk është aspak artistik, por është një klithmë dhe një piskamë që komprometon çdo çast të lumturive tona, shpesh të pamerituara dhe një kambanë tmerrësisht e frikshme për katandisjen në hiç të vlerave të vërteta të individit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.