Gazetari dhe poeti i një profili të veçantë

0
165

— ndryshe , ky ishte Anton Grishaj

Ka ndarje dhe ndarje nga jeta.Ka ndarje që të marrin me vete si rrezatim ndjeshmërie, respekti dhe investimi moral, qytetar dhe intelektual, që mbeten të pashlyera, jo thjesht brenda një rethi të ngushte jetësh njerëzore, por shumë më gjërë. Kjo e fundit ndodh pikërisht atëhere kur ndarja nga jeta konvertohet pashmangshmërisht në memorjen e njerëzve nga një fjalë në vete në ngjizjen si memorie e përhershme respekti, dashurie dhe kumti jetësor. Një të tillë ndarje përjetoi familja Grishaj, në kryeqytetin tonë, Tiranën më 17 prill 2017.

Pikërisht në këtë ditë, në ora 9.15 minuta, paradreke, në prani të nënës së tij që e deshi dhe e nderoi aq shumë, në prani të Dritës, shoqes së jetës dhe dy fëmijëve, Adit dhe Aidës, sikur motrës, vëllezërve dhe xhaxhait, ndahet nga jeta gazetari dhe poeti, producenti dhe skenaristi, telekronisti i parë i televizionit shqiptar për Malësinë e Madhe, bashkëpunëtori dhe kolegu nga më të vlerësuarit, brenda dhe jashtë vendit, në jetën e gazetarisë televizive shqiptare, shoku dhe miku ynë malësor, frymëzuesi i idealeve demokratike, mjeshtri i sensacionit dhe po aq poeti Anton Grishaj, që diti të sfidojë keqas moralisht edhe vdekjen duke evokuar deri në çastet e fundit të jetës dimensionet e paimagjinueshme të shpirtit: Në mugëtirën e natës

Kam parë vetëtimat
Tek skuqnin
E tek shqyenin Qiellin
E s’jam trembur

do të shprehej me gjuhën e shpirtit në librin e tij,”Amaneti i pa lënë”, pas dy vëllimeve të mëparshme me poezi, si një amanet për të gjithë ata që i deshi dhe e deshën, që jetuan dhe shoqëruan, nga afër apo në distancë në tërë jetën e tij, vërtet të shkurtër, por interesante, si i lindur për të komunikuar me buzë në gaz me njerëzit, edhe atëhere kur vdekja ia kishte këputur të gjitha rrënjët e shpresës për jetën. Më 18 prill 2017, në njërën nga mjediset publike, pranë Kishës së Qytezës së Bajzës, nga ora 90.00 deri ne ora 13.00.familjarët, miqtë dhe shokë bënë nderimet e rastit pranë arkivolit të Antonit duke ngushlluar nënën, familjen, vëllezërit, xhaxhain dhe gjithë njerëzit e gjakut të tij.

Në shenjë nderimi dhe respekti, me ndjenjen e përgjegjësisë morale dhe institucionale, se shumë më tepër duhet bërë për jehonën publike ndaj vlerave të tilla, si Anton Grishaj, që i bëjnë nder Malësisë dhe gjithë Shqipërisë, në ora 9.00, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Malësisë së Madhe, së bashku me Dakë Keqajn, nënkryetarin e këtij komuniteti krijues dhe poetin Tonin Kaçaj bëmë nderimin e rastit. Do të jenë Grishajt, vendlindja e tij që në ora 14.00 do ta presë djalin e saj të prehet në banesën e fundit, pranë varrit të të jatit dhe të të afërmëve të tjerë.Në këtë prani nderimi dhe respekti për Antonin deri në banesën mortore e përcollën, krahas familjarëve dhe të afërmëve të tjerë, edhe shokë dhe miq, bashkëstudentë e bashkëqytetarë sa malësorë, sa nga kryeqyteti ku banoi prej vitesh, si: deputeti i M. Madhe, z.Paulin Sterkaj, i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë Malësi e Madhe, z. Toni Marinaj, deputeti Gjovalin Bzheta, shok dhe mik i tij, bashkëstudentë e bashkëpunëtorë në qeverisjen lokale 1992-1996.

Njëherish si bashkëstudentë, bashkëpunëtorë si gazetar apo si bashkëautor të shumë filmave dokumentarë si: Spartak Padhimitri, Marash Mirashi, gazetar i TVSH-ës, Zef Gjeta “doktor” i shkencave bujqesore, njëri nga shokët më të afërm të tij, botuesi i librit të tij të fundit”Amaneti i pa lënë”, Ilir Shordja, Prof.Gaspër Koka si mik, si shok, si bashkëmalësor, por edhe si pronari i televizionit “Rozafa”që pati fatin të përcjellë për shume vite bashkëpunimet elegante dhe me aq përkushtim të Anton Grishës.Vlen të nderohet në këtë rast përcjellja elektronike që i bënë televizionet”Rozafa” Shkodër, me pronar z. Gaspër Koka si dhe televizioni “Kopliku”me pronar z.Zenel Hoxhën, përmes dy specialeve kushtuar Anton Grishaj, ku ra në sy sidomos specialja e paraqitur nga gazetari koplikas, z. Gëzim Vuçaj.

Këtu duhet të merrnin shembull mediat tjera lokale që heshtën, ndërsa po e rregjistronte me aq seriozitet operatori i RTVSH.Shoku tjetër i Anton Grishajt, bashkëstudenti Sytki Ndrecaj, nënkryetar i Bashkisë Koplik, jo thjesht do të gjendej pranë familjes në homazhin kushtuar të ndjerit Grishaj, por po aq do të sensibilizonte menjëherë opinionin në kohështrirjen e tij në fejzbuk për humbjen e një shoku, miku dhe malësori të nderuar. Ndërkohë Tonin Kaçaj, njëri nga adhuruesit e shoqëruesit aktivë të kontributit serioz të Grishajt, kontribut të cilin e ka ndjekur dhe shoqëruar po aq edhe si një konsulent, me ftesën e mikut dhe shokut të tij Anton Grishaj, kujton me shumë respekt disa prej atyre çasteve të pashlyeshme në memorjen e tij rreth peshës elegante të Grishajt, sidomos si kineast, producent i dokumentareve nga më të vlerësuarit, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Prolog i afirmimit të tij me filmin dokumentar, pra filmi i parë i tillë do të jetë dokumentari kushtuar jetës dhe veprimtarisë shoqërore dhe aritistike të deputetit të parë të opozitës demokratike shqiptare në Malësine e Madhe, shokut dhe mikut të tij, poetit të talentuar Dodë Kaçaj, në vitin 1998. Sukseset në këtë fushë brilante të kontributit të Grishajt do të bëhen nga më bashkëudhëtarët gjatë gjithë karrierës së tij. Kështu në konkursin kombëtar të vitit 2000, në Teatrin Popullor, ku merrnin pjesë edhe konkurentë te tillë, të shquar si Petrit Ruka, me filmin dokumentar “Harresa e madhe”, me motive nga jeta e emigracionit shqiptar të viteve “90-të, Grishaj do të konkurojë me tepër sukses duke fituar Çmimin e Parë me dokumentarin ”Gjakmarrja” me motive sociale të mirënjohura, sidomos pas rënies së shtetit shqiptar, në mars 1997.

Hap pas hapi sukseset e tij bëjnë që Grishaj të kalojë pa shkuar shumë kohë nga filmi dokumentar tek filmi artistik. Madje, gazetari veteran i televizionit shqiptar Marash Mirashi, Anton Grishajn e vlerëson si themeluesi i telenovelave shqiptare. Numri i atyre që kanë dëshirë të thonë fjalën e tyre të ngrohtë për marrëdhëniet me Antonin dhe kontributin e tij veçanarisht si producent, kineast apo si autor i dhjetëra dokumentarëve televizivë në këtë ditë dhimbjeje, për humbjen e tij fizike, për të gjithë që e njohën është jo i zakonshëm. Falë një kontributi shumëdimensional si gazetar televiziv, kineast apo si producent i filmave artistikë, si: “Letra fatale”, “Pleqtë e hashashit” si dhe filmi vizatimor “Koha e dashurisë së akrepave”, pa harruar produksionin e 37 dokumentarëve televizivë, 21 filmave dokumentarë, si bashkëpunim, me Fondin shqiptar të Zhvillimit, si dhe 6 serive të telenovelës “Familja”, një bashkëpunim me RTSH, janë dëshmia më autentike e një producenti tejet të suksesshëm.

Jo rastësisht, sot dhe mot Anton Grishaj do të kujtohet dhe nderohet për një seri vlerësimesh, si inkurajime serioze të mëtejshme, në karrierën e tij të suksesshme, siç janë nderimi gjatë veprimtarisë së tij, të sipërcituar, me: Çmimin e parë në Festivalin Botëror të Filmit Dokumentar, në Milano, me temë sportive, për filmin”, Lidhëzet e këpucëve”, Çmimin e dytë në Festivalin Botëror, në Bjellorusi, për filmin “Bertinus”, kushtuar kodikëve të Beratit dhe Çmimin special për nder të jubileut të 20-Vjetorit të Gazetarisë Shqiptare.Ky ishte Anton Grishaj, zëri ynë dinjitoz, me dinjitet moral dhe profesional si gazetar, telekronist, kineast, producent dhe krijues, që na mblodhi në këtë ditë dhimbjeje, Ky ishte Anton Grishaj gazetari dhe poeti, kineasti dhe producenti i një profili të veçantë.

Bajzë , më 18.04.2017 – Kadri Ujkaj
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, M. Madhe

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here