FESTË E MADHE NË GJAKOVË …

0
103

Nga : Ramazan Çeka

Përkujtohen me madhështi Dita e Çlirimit të Gjakovës dhe 80-vjetori i lindjes së doajenit gjakovar, legjendë e këngës popullore shqiptare Ismet Peja …

 

Në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, në prani të një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme të qytetarëve gjakovarë, por dhe të personaliteteve të shquara të artit dhe kulturës mbarëshqiptare, morën pjesë shumë yje në këtë skenë, ku u zhvillua ceremonia përkujtimore kushtuar Ditës së Çlirimit të Gjakovës, si dhe 80-vjetorit të lindjes dhe 63-vjetorit të karrierës së këngëtarit legjendë, të madhit Ismet Peja, organizuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës dhe Komuna e Gjakovës.
Kjo skenë, për herë të parë është inaguruar me dramën “Fisheku në pajë” dhe në vitin 2000, kur Gjakova po digjej, në këtë skenë jepej drama “Dasma e trojeve tona”, shkruar nga Fadil Kraja, një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë kombëtare, emblema e qytetit të shkodrës.
Fjalen përshëndetëse në këtë festë historiko-artistike e mbajti Kryetarja e Komunës së Gjakovës znj.Mimoza Kusari Lila, e cila në ligjëraten e saj evokoi ngjarjet e mëdha historike, heroizmin e pashoq të djemve dhe vajzave kosovare, sakrificat e mëdha të një populli që përjetoi për dekada me radhë dhunën dhe reprezaljet e një shteti fashist.
Ajo në fjalen e saj solli në këtë mbrëmje historinë bashkëkohore të Kosovës Martire, sakrificat e një populli të tërë që kurr nuk u gjunjëzua për lirinë dhe pavarsinë e tij, por njëkohësisht e lidhi këtë histori me vëllazërinë e madhe që karakterizon Kombin Shqiptar, me Shqipërinë mëmë që hapi dyert e saj në çdo cep, nga Jugu në Veri.
Kjo histori është e freskët dhe një ndër qytetet që e ka përjetuar atë, ashtu si gjithë Kosova, është Gjakova.
Në gjithë historinë e Kombit Shqiptar, frymëzuese dhe evokuese të ngjarjeve kanë qenë këngët që nga eposi i kreshnikëve e deri në kohët tona, ku zërat e kushtrimit për liri do të përcillnin artistët e mrekullueshëm, për t’i përjetsuar brez pas brezi heroizmat, që nga Shotë Galica e Azem Galica e deri tek legjendari i pavdekshëm Adem Jashari.
Nuk është se u zgjata shumë me ligjëraten e kësaj zonje të nderuar, por pikërisht këto ngjarje të shënuara kishin mbledhur në këtë mbrëmje, jo vetëm qytetarë gjakovarë, por edhe personalitete të shquara të artit dhe kulturës mbarëshqiptare dhe kjo tregonte kujdesin në radhë të parë të vetë Komunës së Gjakovës, por dhe të Ministrisë së Kulturës së Kosovës.
Unë pata fatin të isha atje dhe të përjetoja nga afër këtë festë të madhe, të organizuar si një spektakël madhështor, i ftuar nga Komuna e Gjakovës, së bashku me kompozitorin e shquar shkodran maestro Ilir Zoga dhe këngëtarja tashmë ikonë e këngës popullore shqiptare Mukades Çanga.
Ftesa jonë lidhej pikërisht me një këngë që kemi krijuar vite më parë për këngëtarin e madh të këngës shqiptare, legjendën e gjallë të kësaj kënge, Ismet Peja, i cili në këtë natë magjike u nderua me çmimin jashtëzakonisht domethënës “Gjakovari i ndritur”, si dhe me një Mirënjohje të veçantë në emër të Kuvendit Komunal të Gjakovës.
Përcaktimin më të veçantë për këtë ngjarje të shënuar në jetën 80-vjeçare dhe veprimtarisë artistike 63-vjeçare të Legjendës Ismet Peja, askush nuk e përcaktoi më bukur se sa vetë Kryekomunarja gjakovare Mimoza Kusari Lila, e cila më shumë emocion u shpreh para këtij auditori të jashtëzakonshëm “Unë jam sonte këtu me prindërit e mi, me bashkëshortin tim dhe fëmijët e mi, prej tre brezash që përjetojmë emocione nga i madhi Ismet Peja, të cilit i urojmë që të jetë jetëgjatë edhe për breza të tjerë”.
Këtë aktivitet e përshëndeti edhe Sekretari Permanent i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës z.Veton Firzi, i cili në momentin që i dorëzoi Mirënjohjen të madhit Ismet Peja tha se emocionet janë të papërshkruara për faktin se kam nderin që në emër të Ministrisë së Kulturës t’i dorëzoj këtë Mirënjohje legjendës së gjallë Ismet Peja, gjë që ndodhë për harë të parë nga kjo Ministri.
Kështu Ismet Peja, tanimë me 80 vite mbi supe, por me një eksperiencë të madhe artistike, me një reputacion të pakrahasueshëm, u ngjit në skenë vital, sikur të ishte shumë vite më i ri dhe surprizoi të gjithë të pranishmit kur ai interpretoi këngën e parë të fillimit të karrierës së tij, të kënduar në vitin 1954, titulluar “Këndo o zogu i malit”, por tashti së bashku me djalin e tij Vegimin dhe nipin Leonardin, për të treguar kështu se tradita në këtë familje vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Më pas ai këndoi edhe një nga perlat e këngës popullore shqiptare “Kur t’i shoh dy sytë e shkruar”.
Më pas koncerti vazhdoi rrjedhën e tij sipas programit me këngëtarin nga Prishtina Ymer Bajrami.
Këngëtarin Ismet Peja e shoqëruan edhe breza të tjerë këngëtarësh si: Zenel Doli, Shkëlzen Jetishi, Edi Furra, Edi Ermeni, Afrim Muçiqi, Xhavit Sadiku etj, shoqëruar nga orkestra e mrekullueshme nën drejtimin e maestro Vllaznim Buxhovi, me një potpuri këngësh popullore nga perlat e kësaj shoqërie, ku këngëtari më i dashur i Kosovës Shkëlzen Jetishi u shkëput nga ansambli i këngëtarëve duke iu drejtuar publikut të mrekullueshëm në sallën e tejmbushur dhe me një emocion të papërshkruar dhe të jashtëzakonshëm, me një dashuri e respekt për virtuozin Ismet Peja tha: “Aiii a është gjynah bre me u plak ky farë zanit?”
Publiku me këto fjalë magjike të Xenit shpërthei në ovacine dhe duartrokitje që nuk munguan gjatë gjithë këtij spektakli.
Moment i veçantë dhe befasues me plot dashamirësi ishte kur Baca Ismet i fton nga salla “Mjeshtren e Madhe” Shkurte Fejza e Miranda Hashanin, për t’u bashkuar me ansamblin e këngëtarëve në interpretimin e këngës tshmë “Himn” për shqiptarinë “N’xhamadanin vija-vija”.
Por ajo që kulmoj në këtë mbrëmje madhështore, ku agrepat e orës nuk kishin më vlerë, ishte momenti kur doli në skenë këngëtarja e madhe shkodrane Mukades Çanga.
Ishte momenti më interesant dhe më i bukur i këtij spektakli madhështor, kur ajo me zërin e saj brilant interpretoi një këngë kushtuar këtij virtuozi të këngës shqiptare, titulluar “Zemrat pesh’ çon zani jot”, me tekst nga autori i këtij shkrimi dhe muzikë nga maestro Ilir Zoga, që erdhi në këtë spektakël si një dhuratë nga Shkodra, nga qyteti, këngët e të cilit, Ismet Peja i këndoi për gjithë jetën.
Interpretimi brilant i Mukades Çangës, u prit me ovacione dhe falenderime vëllazërore nga të gjithë të pjesëmarrësit, duke e rikthyer disa herë në skenë.
Këtë sukses ajo me modestinë e saj u përpoq ta ndajë me autorin e tekstit Ramazan Çeka dhe kompozitorin e talentuar Ilir Zoga, të cilit iu drejtua para publikut për t’u ngritur në këmbë dhe në atë moment salla e tejmbushur shpërthej në duartrokitje të fuqishme që rrallë herë ishin përjetuar në evente të tilla.
Këngëtari Ismet Peja i emocionuar, tregoi se prej vitesh kishte pasur një ëndërr që të këndonte një këngë kushtuar idolit të tij, shkodranit të paharrueshëm Bik Ndoja “Nderi i Kombit”, të cilën, tha ai, arrita ta realizoi me shumë sukses me vargjet e arta të poetit shkodran Ramazan Çeka, titulluar “Nuseron jarja me ty”, me muzikë nga kompozitori Luan Dagistani. Kjo këngë u prit me shumë interes nga të pranishmit.
Ky spektakël ishte përgatitur dhe organizuar me shumë profesionalizëm, falë kontributit të çmuar të Drejtorit të Kulturës, prof.Meriton Ferizi, por njëkohësisht edhe kujdesit të studiuesit dhe muzikologut të shquar gjakovar prof.Behar Arllati, që të dy të njohur për vlerat që i kanë dhënë kulturës dhe artit në Kosovë.
Një rol të veçantë luan në këto evenimente skenike edhe prezantuesi i spektaklit, i cili arrin të bëhet një urë lidhëse mes skenës dhe publikut.
I tillë ishte Zeki Vehapi me profesion gazetarë në Radio Gjakova, i cili menaxhoi artistikisht dhe profesionalisht çdo detaj të këtij aktiviteti.
Në këtë koncert kaq madhështor Baca Ismet iu drejtua me humorin që e karakterizon, këngëtarëve më të ri në moshë, duke i falenderuar ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë natë magjike dhe duke iu premtuar se do të vinte të merrte pjesë edha ai në 80-vjetorin e tyre. Kjo batutë u prit me shumë duartrokitje dhe me të qeshura në sallë.
Ky aktivitet, organizuar në mënyrë kaq madhështore, kishte planifikuar që me rastin e Ditës së Çlirimit të Gjakovës dhe 80-vjetorit të lindjes së këngëtarit të madh Ismet Peja, të nderonte për meritat e tyre artistë të shquar që kanë bashkëpunuar në vite, në mënyrë të veçantë për këngën dhe muzikën shqiptare, ku titujt, çertifikatat e nderit dhe të mirënjohjes u dhanë duke filluar nga “Gjakovari i Ndritur” Ismet Peja e më pas akorduar poetit dhe publicistit Ramazan Çeka, kompozitorit Ilir Zoga, për të vazhduar tek krijuesi i madh tiranas, autor i mbi 200 këngëve, Muharrem Gurra (pas vdekjes), që iu dorëzua të birit Ramazan Gurra.
Merita dhe lavdërime, ashtu siç ndodh gjithmonë, vijnë në fund, për punën e madhe që kanë bërë në transmetimin e këtij aktiviteti, për televizionin “Syri Vizion” i Gjakovës, televizioni RTV 21, si dhe RTK, Televizioni Kombëtar i Kosovës.
Kjo natë magjike u mbyll me një darkë madhështore në Restorant “Presidencial”, ku deri në orët e vona të natës, festa vazhdoi …

Gjakovë , qershor 2017 

 

SHARE
Artikulli i mëparshëmNJË TREGIM DASHURIE – Albina IDRIZI
Artikulli tjetërKarikatura nga Shaban Bercaj

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here