DEUX EX MACHINA

0
785

-ZIJA VUKAJ 

Me qentë kam marrëdhënie mjaft problematike , gjithmonë të pastabilizuara e asnjëherë të sistemuara. Borxhi ndaj tyre shpërthen në forma befasuese e tinëzare, të përsëritura shpesh e rregullisht. Për këtë arsye, sa herë kaloj apo më jepet rasti të jem pranë tufave të tyre, përjetoj shikime plot mllef, lehje, kuisje të lemerishme, fjalë të pakuptueshme, që në gjuhën e tyre përkthehen në trajtën e një thashethemnaje kërcënuese e vrastare ndaj meje. Shikimet e tyre të kithëta më ndjekin armiqësisht dhe simfonia e tyre kakofonike si koret e Aristofanit më shfaqet edhe në ëndërr. Kohët e fundit janë shtuar mjaft dhe tufat e tyre parakalojnë togje- togje si kopetë e deleve që zbresin nga bjeshkët. Përshkojnë rrugët e qytetit me prepotencën dhe sigurinë që u jep edhe matrikulla që kanë nëpër veshë. Po, po. Përshkojnë rrugët dhe institucionet. I them dikujt: “Sot shpëtova për mrekulli nga qentë e institucionit x…” Miku im u keqkuptua dhe mendoi se e kisha fjalën për personelin e këtij institucioni të nderuar, por jo. Nuk po flisja në mënyrë alegorike. Pranë atij institucioni ka gjithmonë një regjiment qensh që inspektojnë kazanët. Kishin zënë hapësirat e trotuarit ku ndodhen kazanët dhe një pjesë të rrugës. Mua më duhej të kaloja andej. U përpoqa t’i vidhesha shikimit të kapos së tyre, por shikimi i tij kërcënues u ngul mbi mua dhe kaq u desh. Nisi kori i kuisjeve dhe thashethemnaja e tyre mori trajta të frikshme. I shtangur para hepirremës së tyre aristofanike, po prisja fundin. Por si me magji, u shfaq fluturimi i një qeseje të stërmadhe që u shkëput nga një kat i lartë pallati. Kaq u desh. Lukunia u sul drejt saj. Tani unë nuk hyja më në prioritetin e tyre. Korifeja ia kishte ngulur dhëmbët lidhëseve të qeses dhe kishte futur në punë të gjitha gjymtyrët e përparme dhe të pasme për të shpartalluar qesen që kishte zbritur si me magji. Pjesëtarët e tjerë dhe gjithë kori ishin përfshirë tashmë në përmbajtjen e qeses. Askush s’po kuiste as mjaullinte më ndaj meje. Më kishin harruar fare. Dhe unë ika i lumtur, por, siç thotë Migjeni, “me kujtim në ndërgjegje” dhe me respektin e duhur institucional.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.