Dashuria më mbajti peng …

0
945
Anjeza Mullahi

Viktimë e dashurisë

Në labirintin e zemrës tënde
unë hyra me dëshirën time.
Aty doja të humbisja
ndoshta sepse doja vetminë
që më kishte pushtuar të vrisja.
E dija shumë mirë se nuk do dilja dot,
prapë i mora përsipër të gjitha.
Njësoj si ajo flutura në rrjetën e merimangës
unë isha viktimë e asaj dashurie.
Po më mbante peng
e unë çdo ditë ndieja
se si më merrte nga pak jetë.
Kështu do vazhdonte derisa trupi im
të ishte një dhomë bosh
me mure të lartë dhe të ftohtë.
Edhe nëse Zoti do bënte diçka
prapë do ishte e kotë.
Po fillonte të më mungonte
vetja ime e vjetër,
ndieja se tanimë
isha kthyer në një person tjetër.
Fajtori i vetëm ishe ti,
apo isha unë?
Unë që nuk duroja dot
pa provuar pakëz dashuri.
E ç’rëndësi ka çdo gjë tani?
Unë jam brenda në atë labirint të mallkuar
të pres ty si hëna diellin në mëngjes,
ndoshta ti do vish për të më shpëtuar.

Kush ngopet me jetë?

Ti po ikën
dhe po merr me vete shpirtin tim.
Po e merr njësoj si era në dimër
që rrëmben gjethet nga pema.
Ja ku është trupi im bosh,
njësoj si pema pa gjethe.
Po qëndron me njerëzit e tjerë
ndërsa shpirti im ka kapur dorën tënde
dhe është arratisur me ty.
Nuk i thashë gjë askujt,
e dija që do më ndalonin,
por prapë,
nuk jetoja dot me kujtime,
do vdisnin shumë shpejt.
As me buzëqeshjen tënde,
as me fotografitë,
me asgjë nuk ngopesha dot, 
çdo gjë,çdo gjë ishte e kotë.
Po ç’faj kisha unë?
Nuk të doja unë afër
por zemra ime.
Në fund të fundit,
kush është ai njeri që ngopet me jetë,
sepse jeta ime
ishe ti vetë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.