COGITO ERGO SUM

0
129

Nga : Zija Vukaj 

Lexoj nganjëherë disa shkrime që bëjnë fjalë për vlerësime veprash letrare. Sot po lexoja njërin prej tyre dhe teksa e lexoja, e pashë veten në një pyll fjalësh, jo pyll, por më shumë një gëmushë fjalësh, që popullohej nga: “tekst, metatekst, hipertekst, intertekst, diskurs, arketip, modul, konotacion, denotacion, antihero, abstragim, postmodern etj. etj., etj.
Sikur të mos mjaftonte kjo gjëmë provinciale, vijnë pastaj citimet: “ka pas thënë Virxhinia Ulf për Ezra Paund; ka pas thënë Leon Tolstoi për Shekspirin, ka pas thënë Pirandello për Servantesin, ka pas thënë Stendali për Gi Dë Mopasanin, ka pas thënë Krist Maloki për Lasgushin etj. etj. etj.; ndërkohë që unë nuk kam pas thënë asgjë për askënd. Kjo or mik i dashur, është kritika bashkëkohore shqiptare e Kotlandit tonë letrar, krenar, mospërfillës dhe liridashës. Kritika bashkëkohore shqiptare është një grumbull mullarësh dhe kavaletesh gjigante me kashtë fjalësh e citimesh. Në gjithë këto tonelata të pavlera kashte fjalësh, nuk gjen as dy kokrra drithi, mendimi origjinal. Përveç kësaj, këta mullarë të pavlefshëm fjalësh dëmtojnë edhe shpejtësinë e perceptimit dhe zgjasin rrugën për të shkuar tek e vërteta estetike. Pra, atë që ndihet dhe thuhe direkt, mullarët e fjalëve e zgjasin, e ndërlikojnë dhe e ngatërrojnë në mënyrë të mallkuar, duke i hequr çdo individi me arsye mundësinë për të menduar thjesht dhe me mendjen e tij. Pra, nëse duam të themi:
“burri ka uri”; këta autorët e ngathtë të mullarit glotologjik, thonë“ 
“…Subkoshienca e burrit po përjeton ca relacione hipokondrike, shkaktuar nga fraktura eklektike të kimisë dhe të alkimisë intertekstuale të stomakut të boshatisur dhe nga sindroma interaktive intestinale në modulin e tentacioneve apokaliptike të diskurseve migjeniane të mungesës së kronotopit me konotacione dhe denotacione kuantiko-fiziko-mekanike, qenia humane rrezikon të perjetojë njëlloj apokalipsi infernal, deri në trajtat e një abstragimi postmodern të këtij heroi që po kthehet në antihero.”….. dhe burri vdes nga uria, pa e kuptuar se nga ç’sëmundje ka vdekur….
Së fundi: meqë nuk kemi kritikë, ua lini kritikën atyre që dinë të krijojnë qoftë edhe një varg poetik apo një fjali letrare.

SHARE
Artikulli i mëparshëmMësoni më shumë rreth Nikoll Camës …
Artikulli tjetërVjeshtë në Shkodër

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here