TRUPAT – SKELETE ESHTRASH, KU JANË ??

0
227

POEZI nga – Fatime KULLI

TRUPAT – SKELETE ESHTRASH, KU JANË???

Atje, krejt në kufi me Greqinë,
Në fshatin Qafë Botë
Engjëjt kanë lënë hijet
Në kafaz prej mermeri,
Vetëm me EMRA….!
Po trupat – skelete eshtrash, ku janë???
Fryma e tyre mpiksur
Me gjak në errësirën e përjetshme,
Ku gjinkallat ende këndojnë përvajshëm
Në pellgje gjaku të ngrirë n’sy të perëndisë…
Unë, shkoj në çdo Qershor
E përkëdhel kafazin që qëndron stoik
Para holokaustit (mortor) barbar…
….dhe fytyra më përplaset
Me spërkatjen e gjakut të pafaj
Afro një shekullor,
Që në heshtje akuzon
Barbarinë çnjerëzore
Dhe kërkon, drejtësi hyjnore….!
Atje, tej në Qafë Botë
Dëgjoj tinguj zogjsh zëmekur….
Të qara foshnjash, ulërima nënash, e pleqsh….
Dëgjoj amanetin e gjyshes sime
Në grahmat e fundit të frymës,
Me ia fshi gjakun në pelena,
Foshnjës së saj…!
…….
Kush jam unë?!
Një degëz ulliri,
Një boçe trëndafili
Me farë Çamërie.
Frymova në Epokën e zinxhirëve
U rrita në Epokën e dhimbjes, pa liri.
Sot jetoj në Epokën e hipokrizisë,
Servilizmit, babëzisë e ligësisë,
Me identitet varur në çengel të ndryshkur
Të EPOKËS së përgjakshme,
Genocidit e barbarizmave çnjerëzore.
Hijen e gjakut frymë-ngrirë
Ma kanë ngritur MONUMENT,
Atje, tej në Qafë Botë.

 

BALADË NËNËS SIME

Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse engjëjsh të pafaj…
Koha u trullos, u bë qameti,
Nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
Këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo
ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo”

Oh, nënë, ç’është ky zë si në legjendë
që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë

Ah, moj bijë e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
Ish shtrëngatë e stuhi në atë kohë
Yjet ranë nga qielli të përgjakur një e nga një
Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
Barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…

Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…ohhhhhhhh…

Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore
Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë në sy…
Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja
Ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet…
Eh, s’munda të ngjyej as hijen e gishtit,
Në një copëz toke
Ta shkruaj emrin mbi një varr,
Në oxhakun ku kam qarë për herë të parë…

 

O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë…

O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë…

Dielli po më rrëzohet para këmbëve të miaNë qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit…

Rënkon e thinjur në vetull Çamëria…Janinës ç’i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo…

Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon!
Po, moj bijë, do këndoj sa të plas, se kështu është historia!

VENDI IM

Vendi im ka vdekur,
Pa lindur unë…
Gjyshi e varrosi me plumb
Në zemër…!
Plagët janë të njomshta,
Ende në reaminacion…
Vendi im,
Diku pas kufijve të ndryshkur…
Jeton në përralla mitike!

JAM GUR VARRI

Jam gur i vdekur, rri strukur
Nën ahet e zhveshura shekullore
Ku dielli lind e perëndon me dritë të vakët
Dhe vesa pikon gjak mbi gjethet e shkruara
Ndër sirtarët e sharruar nga druvarët shenjtorë
E tinguj mortor rrëshqasin fletëve të zverdhura….

Jam gur varri, kam çelur hijeve dritë-verdha
Në trupin tim kam veshur xhubleta me ojna dielli
Të ndjell zgjoje bletësh në kohë stuhish…
Ëndërrimtarët i zu trishtimi në qoshe të konakut,
Nga përgjumja dimërore, koha i kryqëzoi dashuritë…

Jam gur varri, fle dhe zgjohem në copëza shkretëtirash
Me gishtat e zgjimit mbështjell fytyrën
Për të lindur foshnjën në djep baladash
Që të këndojë këngën e përjetshme, në krahë të lirisë:
“O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej!”

Jam gur i vdekur, fryma m’lëshon zaaaaaaaaaaaa
………..n’jele të historisë…
IDENTITETIN ma lidhën me zinxhirë n’gijotinë,
Legjenda u përlot dhe veshi kostumin më të bukur
Me plagët e marra në telat e lahutës
Që shëtisnin honeve në vendet e qytetëruara.

Të gjitha sprovat i kanë bërë në trupin tim,
Por unë, ende marr frymë me mushkri të copëtuara,
Rrethuar prej ajrit aromë trëndafilash t’gjakosur
Në dheun e lashtë dhe të dashur fisnikërisht,
Që edhe djerr lëshon tinguj vaji hije-dritës…

 

Mbi kokën time dëgjoj hënën që lëngon
Njeriu ka humbur emrin, NJERI,
“Parlamenti popull” -siç thotë Balzaku
“bën politikë para filxhanit të kafesë”
E burrat pa mustaqe kruajnë dhëmbët nga mishi i shijshëm.
Kollaret i varin si neone darkave në hotelet e Evropës,
Aty, ku gjyshërit tanë kanë lënë këpucët…

Dhe sot në shekullin e XXI, unë ecë zbathur,
Me duart e Zotit arnoj ajrin me fijet e diellit
Të nduk botën e hipokrizisë, marrëzitë
Bukurinë e gënjeshtër, pabesinë, grykësinë,
Që paranë e kanë më të rëndësishme
Se IDENTITETI dhe LIRIA!

Jam gur i vdekur, frymoj në botën moderne
Si emigrante, pa identitet, në vendin tim…!

SHARE
Artikulli i mëparshëmNE TUZ JEVREM BRKOVIQ IA DOREZON CMIMIN “TEUTA” MOIKOM ZEQOS
Artikulli tjetërVJOLA , NJË LULE QË NUK VYSHKET KURRË

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here